Violeta Goxha-Hoxha. Foto: KALLXO.com.
Pasioni për traditën, atelie “Viki” në Çarshinë e dominuar nga kafeteritë në Gjakovë (VIDEO)
Që nga mesi i muajit prill në Çarshinë e Vjetër në Gjakovë është hapur një atelie e arteve figurative. Atelieja “Viki” e themeluar nga piktorja Violeta Goxha- Hoxha, po i jep freski Çarshisë së ‘dominuar’ nga kafeteritë.
Brenda ateliesë ajo ka ekspozuar pikturat e saja të punuar në dy dekadat e fundit, ku bien në sy ato me figura të femrës shqiptare. në një bisedë për KALLXO.com, piktorja Goxha- Hoxha ka thënë se në këto piktura gruaja trajtohet si forcë, si energji e familjes.
“Qëllimi i Ateliesë është që ta ndryshojmë pak strukturën e Çarshisë së Vjetër, ta kthejmë si ka qenë me zanate, se unë e quaj pikturën si zanat i vjetër dhe shpresoj që ia kam arritur”- ka thënë ajo, në një bisedë për KALLXO.com.
Ajo ka thënë se hapja e ateliesë është pritur me interesim nga qytetarët e Gjakovës.
“Më të vërtetë është prit (hapja) jashtëzakonisht mirë si prej të rinjve si prej atyre që janë më në moshë, është duke iu pëlqyer, kam pasur vizitorë shumë, të Kosovës, mirëpo edhe turistë, veç kanë fillua turistët dhe është duke iu pëlqyer puna, pikturat janë duke u pëlqyer, sidomos shqiptarëve që jetësojnë jashtë dhe që e kanë atë nostalgjinë për traditat tona, për veprat dhe atyre po iu bëjnë përshtypje shumë”- është shprehur ajo.
Krijimtaria e pasluftës e piktores Goxha -Hoxha, ndryshon dukshëm nga ajo e viteve të 90-ta. Përmes pikturave të saj ajo pasqyron legjendat, historinë mijëravjeçare, por edhe progresin e popullit të saj.
“Para lufte kam punuar akte, kam punuar si lloj portrete të ndryshme, si lloj abstrakti, autoportrete, mirëpo ato kanë qenë para luftës. Pas luftës, si kam ardhur, kam ardhur me atë frymëzim, me iu tregu të tjerave dhe armiqve që ne jemi te fortë, ne jemi popull shumë i lashtë, dhe si me ju tregu atyre, vetëm me këtyre motiveve tona, me anë të plisit, me anë të motiveve shqiptare, me anë të pikave. Pikatë i simbolizojnë sytë te ilirët e vjetër, kështu që secili punim ime është me motive tona”- është shprehur ajo.
Përveç stilit, aurat, koloritit shkëlqyes ku dominon e kuqja, pikturat e saj karakterizohen nga një mënyrë e veçantë e paraqitës së portreteve.
“Nuk i paraqes fytyrat, secili le ta gjen vetën e vet, d.m.th., secili e gjen vetën, si në familje, si në punë, secila figurë është pa fytyrë, fytyrën e ka po si ka sytë, se ka gojë, se ka hundën, por e gjen vetën, e gjen vetën”- ka thënë ajo.
Motive e veshjes së gruas së Hasit janë theksuar në pothuajse pjesët më të mirë të pikturave të saja.
“Gruaja (veshja) e Hasit i ka motivet ilire i ka përcjellë motivet ilire, për këtë arsye më ka bë përshtypje, shumë, tek pikturat i kam të mbarë shqiptarisë, d.m.th., i kam përmbledhë me një veshje, të Shqipërisë, Kosovës, Gjakovës, të gjitha rretheve, kryesisht shqiptare, normal. Mirëpo jam ndalë të veshja e Hasit, më bënë përshtypje se është shumë e bukur e se të gjitha janë me punë dore, prej këpucëve deri tek shamia që e kanë më kokë, duart, e që krejt janë motive të vjetra ilire, e që mua më bën përshtypje shumë”- ka pohuar piktorja Goxha-Hoxha.
Por, një ndikim në punë e saj thotë ajo, ka edhe filigrani – ornamentika, duke pasur parasysh se ajo vjen nga Prizreni.
Edhe mikpritja, një virtyt i çmuar i shqiptarëve nuk ka kaluar pa u përjetësuar artistikisht nga piktorja Violeta Goxha- Hoxha, sikurse tek tabloja “Mikpritja”.
Përveç ekspozimit në Atelieja “Viki, piktorja Goxha -Hoxha kalon orë të tëra duke krijuar vepra të reja.
Ajo thotë se shumë të rinjtë i bashkohen për të mësuar zanatin e pikturës, por, edhe shijuar artin e bukur të pikturës.