Pas 4 Vitesh, Shpresat Janë Zbehur

Pronari i Tavernës “Tirona”

Isan Galimuna, 62-vjeçar, pronar i lokalit të famshëm në kryeqytet Taverna “Tirona”, ku gjeneratë mbas gjeneratë kanë shijuar ushqimin, pijet dhe natyrisht më së shumti rakinë e shtëpisë.

Si e keni festuar ditën e pavarësisë para katër viteve?

Para katër vitesh këtu në “Tironën” tonë të vogël, 200-300 veta kanë qenë këtu, flamuri jonë kombëtar kuq e zi ka qenë i gozhduar në tavan. Të gjithë çka mbërrinin merrnin me pi, nuk mbërrinim me i shërbye të gjithë, nuk kishte vend as kohë, por askujt nuk i bëhej vonë, të gjithë ishim duke festuar. Ne më të moshuarit edhe qanim, nuk besonim se kemi mbërri për ta përjetuar pavarësinë e Kosovës. 58 vjet kam jetu ndryshe, përnjëherë po të bëhet vendi yt shtet. Gjatë viteve 1990-të e kemi parë sa jemi popull i vogël, nuk kemi fuqi për asgjë.

Çfarë kanë qenë pritjet tuaja atëherë? A jeni zhgënjyer deri më tani?

Në atë ditë, para katër vitesh, gjithçka dukej më e madhe, më e mirë. Por euforia nuk zgjati shumë, ndoshta një javë. Shqetësimet u kthyen dhe ishte e qartë se kishim një rrugë të gjatë për të shkuar përpara, se të mund të jemi të kënaqur sadopak si popull. Ne i kemi pasur shpresat tona tek ndërkombëtarët, dhe duke qenë një shtet i paarsimuar, ishte e qartë, edhe pas luftës, se pritjet tona ishin shumë shumë të larta. Pjesa dërmuese e fshatarëve u zhvendos në qytet, dhe shumica e tyre nuk shikojnë majtas dhe djathtas para se ta kalojnë rrugën, e cila është normale duke pasur parasysh faktin se nuk kishte asnjë rrugë apo autostradë në fshatin e tyre. Ata nuk dinë se si të parkojnë një makinë, ose ku mund ta parkojnë atë, sepse përsëri në jetën e tyre fshatit, ata mund të parkojnë makinën kudo. Pra, ishte e qartë se në mënyrë që shteti ynë të lulëzojë, ne duhet të jemi si të gjitha shtetet e suksesshme, një bashkim kolektiv dhe korrekt. Diçka, të cilën unë kam frikë, nuk do të jetoj aq, sa për ta përjetuar.

Si do ta festoni përvjetorin e pavarësisë këtë vit?
Unë nuk do ta festoj përvjetorin e pavarësisë këtë vit. Nuk ka mbetur asgjë për të festuar. Njerëzit në pushtet nuk po e dinë se na kanë lënë, kemi stagnuar në vend, për të mos thënë që na kthyen edhe më prapa me shpejtësi të madhe. Askush nuk është më mirë që nga pas lufta.

Ndërkombëtarët nuk do të kishte qëndruar kaq gjatë, sikur ne ta kishim marrë veten dhe të merrnim gjërat në duart tona; të kishim qenë një shtet që zbaton ligjet. Por jo, monopolet dhe mafia, e kanë ngulfatur krejt jetën tonë. Nuk ka asnjë arsye për të festuar.

Si e shihni të ardhmen e Kosovës dhe ardhmërinë tuaj në Kosovë?
Unë më së shumti brengosem dhe frikësohem për brezat e rinj. Jeta jonë u shkatërrua, duke filluar në vitet 1980-të. Ne kemi qenë të arsimuar, Prishtina ishte plot intelektualë dhe erdhi një ditë, kur megjithëse një inxhinier me prosperitet, papritmas Serbia të qet nga puna, papritmas askush nuk ka nevojë për ty. Pra, kjo ishte një luftë ndryshe për ne, por tani unë mendoj se është më keq, serbët u larguan, por Hashim Thaçi dhe njerëzit e tij erdhën dhe unë nuk e di se çfarë do të sjellë e ardhmja për brezat e rinj.

Ne duhet të behëm shtet gjyqësor, në qoftë se sistemi gjyqësor funksionon si duhet, pas disa kohësh, gabimet dhe thyerjet dhe moszbatimi i ligjit do të zhduken ngadalë. Por ne të gjithë duhet të punojmë së bashku, si një popull i tërë, që të vijë dita ku të gjithë e dinë që nuk munden të bëjnë çfarë të duan, sepse atëherë do të zbatohet rendi dhe ligji. Atëherë do kemi bazë për të festuar. Ndoshta unë do të jetoj aq sa për ta parë këtë të ndodhë dhe ta festojë pavarësinë e shtetit tim edhe njëherë.

Frizeri

Valon Gashi, 27-vjeçar, floktar në Sallonin “Vogue”, i njohur të jetë zgjedhja e parë e shumë shqiptarëve nga estrada dhe personave televizive.

Valon Gashi | Foto: Korab Basha

Si e keni festuar ditën e pavarësisë para katër vitesh?
Katër vjet më parë unë isha duke punuar me gjysmë orari në bazën e KFOR-it britanik. Në Ditën e Pavarësisë, salloni u mbyll, natyrisht, dhe KFOR-i na lejoi të dalim më herët nga puna. Unë mbaj mend ndjenjën e të qenit të lirë, që i përkasim një vendi që ishte zyrtarisht një shtet tani. Ajo ishte një ditë gëzimi për të gjithë. Unë kam festuar gjithë ditën dhe gjithë natën në qendër të Prishtinës, kryesisht në Bamboo Bar.

Çfarë kanë qene pritjet tuaja atëherë? A jeni zhgënjyer deri më tani?
Nuk kam menduar shumë për pritjet, ishte thjesht ndjenjë e pastër e gëzimit. Nuk kishte asnjë në Kosovë që mund të ishte duke menduar negativisht, secili ishte aq i lumtur. Sigurisht, ne të gjithë shpresonim se çdo vit do të ketë përmirësim, si çdo njeri, kam shpresuar për më të mirën. Për fat të keq, jemi lënë në baltë. Jam i zhgënjyer, nuk kam pritur që të ballafaqohem me të njëjtat probleme si atëherë, me mungesë të ngrohjes, të energjisë elektrike dhe të ujit, pas katër viteve të pavarësisë. Tani punoj në profesionin tim me orar të plotë në “Vogue” dhe ende shpresoj që situata do të bëhet më mirë.

Si do ta festoni përvjetorin e pavarësisë këtë vit?
Ashtu si festimet e mia të mëparshme, me miqtë dhe familjen. Shpresoj se përvjetori i këtij viti të pavarësisë do të festohet me shumë dashuri dhe lumturi, sikurse dhe i pari.

Si e shihni të ardhmen e Kosovës, dhe ardhmërinë tuaj në Kosovë?
Unë e shoh të ardhmen të jetë më mirë se që është tani. Kjo duhet të jetë e domosdoshme. Vizat për të udhëtuar në vendet e BE-së, të paktën do të jenë të panevojshme për ne, pastaj të rinjtë e Kosovës mund të shohin më shumë, të kenë përvoja të shumta dhe të studiojnë rreth botës, me një fjalë – ta zgjerojnë horizontin e tyre. Në të njëjtën kohë, unë besoj se do të ketë shkolla të reja, të ngrihet profesionalizmi në nivel të duhur, dhe unë personalisht e shoh veten duke punuar në Akademi për Modelim të Flokëve. Do kisha pasur dëshirë ta përcjell ekspertizën time për stilistët e ardhshëm të Kosovës.

Taksisti

Mehdi Berisha, 49-vjeçar, ish-luftëtar i UÇK-së, sot punon si taksist.

Mehdi Berisha | Foto: Korab Basha

Si e keni festuar ditën e pavarësisë, para katër vitesh?
Sigurisht që kam qenë tej mase i gëzuar kur arriti, katër vjet më parë, Dita e Pavarësisë. Kam festuar së bashku me bashkatdhetarët e mi. Nuk mund të besoja se kisha jetuar për ta parë ditën, kur njerëzit e mi ishin të lirë. Nuk mund ta imagjinoj një njeri të vetëm që nuk e ka festuar së bashku me vëllezërit dhe motrat tona, që ishim më në fund të lirë.

Çfarë kanë qene pritjet atëherë? A jeni zhgënjyer deri më tani?
Kam pritur, personalisht, që jeta ime e pasluftës të jetë më stabile. Kam luftuar si një ushtar i UÇK-së gjatë vitit 1998 në Gllanasellë të Drenasit, kam luftuar për kombin shqiptar dhe për komandantin tim Fehmi Lladrovci. Kur u ktheva, kisha për të siguruar për familjen time si çdo njeri tjetër, dhe pasi që nuk kishte asnjë lloj ndihmë nga Qeveria, fillova të punojë si shofer taksie. Pas pavarësisë, kam pritur që ish-ushtarët do të marrin një formë të pensionit, por sigurisht që kjo nuk ndodhi dhe unë më përpara punoj, sesa të vjedh apo të korruptoj, kështu që ende jam një taksist. Kjo nuk është një punë që e bëj me shumë kënaqësi. Si taksist të bie të kesh punë me njerëz të ndryshëm nganjëherë të tmerrshëm. Nuk e kuptoj ku janë edukuar, sjellja e tyre është çnjerëzore, por unë i duroj, pasi që unë nuk kam asnjë zgjedhje tjetër. Prisja prosperitet për brezat e rinj, por edhe kjo ka qenë një zhgënjim i gjithanshëm.

Si do ta festoni përvjetorin e pavarësisë këtë vit?
Sigurisht që do ta festoj pavarësinë këtë vit, dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë, deri sa të jetoj. Kam luftuar për këtë betejë, sepse pa Kosovë nuk ka Shqipëri dhe nuk ka Shqipëri pa Kosovë, ne jemi një. Vetëm tani Kosova nuk është pjesë e ndonjë pushtimi të huaj më, dhe kjo është diçka për të cilën ia vlen të festohet çdo ditë. Unë do të festoj pavarësinë këtë vjet me familjen time dhe me bashkëluftëtaret e mi.

Si e shihni te ardhmen e Kosovës dhe ardhmërinë tuaj në Kosovë?
Pritjet e mia për të ardhmen janë të gjitha shpresa, unë vetëm mund të shpresoj se ne do të festojmë një herë lirinë tonë, ashtu si kroatët që nga dita e parë. Unë shpresoj që brezat e rinj do të arsimohen në shkollë, si në çdo vend tjetër perëndimor, shpresoj që shkolla të reja të hapen dhe të mbizotërojë drejtësia – në kuptimin që studentët do të pranohen në bazë të meritave të tyre, jo bazuar në njoftësi.
Unë vërtet besoj se populli i Kosovës do të çojë vendin tonë drejt suksesit dhe prosperitetit, në mënyrë që festimet e ardhshme të pavarësisë, vërtet mund të ndihen dhe të na mbushin me lumturi. Dhe jo vetëm ne, por heronjtë të vërtetë dhe bashkëluftëtaret e mi nga Medvegja, Presheva dhe Bujanovci, unë shpresoj që një ditë, ne të gjithë do ta festojmë së bashku lirinë tonë.

Studentja

Vjosa Kika, 22-vjeçare, studente në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës.

Vjosa Kika | Foto: Korab Basha

Si e keni festuar ditën e pavarësisë para katër vitesh?
Dita e shpalljes se pavarësisë është dhe do te vazhdoje të jetë e paharrueshme. Mbaj mend që në atë periudhe, para shpalljes ishte krijuar një atmosferë, kur gjithsecili dhe kudo flitej vetëm për atë se kur do të shpallej pavarësia. “Po shpallet këtë të shtunë, jo tjetrën”. Me afrimin e ditëve, entuziazmi sa vinte e shtohej. Ditën kur u mbajt seanca solemne e shpalljes se pavarësisë, unë kam qene me prindërit e mi. Të them te drejtën aq sa emocionohesha me faktin e shpalljes se pavarësisë, aq edhe emocionohesha kur tek prindërit e mi shihja realizmin e dëshirës për te cilën ata kanë punuar dhe kanë vuajtur shumë. Në atë ditë nuk kishte vend për skepticizëm.

Kompromisi i pavarësisë, Pakoja e Ahtisaarit, përveç që ishte pranuar nga spektri politik, dukej se ishte përqafuar edhe nga masa e gjere, apo euforia e shpalljes se pavarësisë nuk linte hapësire për qasje me kritike ndaj Pakos se Ahtisaarit.

Çfarë kanë qenë pritjet tuaja atëherë? A jeni zhgënjyer deri më tani?
Nuk është se kam pasur pritshmëri të mëdha. Unë studioj shkenca juridike dhe e di deri diku se si mund të trajtohet një shtet i ri në marrëdhëniet ndërkombëtare. E sa i përket punëve të brendshme, kam menduar që pasi që të transferoheshin kompetencat shtetërore nga UNMIK-u te shteti i Kosovës, gjërat do të lëviznin më shpejt. Kam shpresuar në vullnetin e politikës kosovare, e cila dukej se ishte e re dhe plot energji për një fillim të ri. Sot, nuk mund të them të njëjtën gjë. Obligimi i udhëheqësve që të instalojnë parime dhe vlera mbi të cilat do të ndërtohej shteti i ri, nuk mendoj se është përmbushur. Krijimi i një shteti i cili përqafon vlerat euro-atlantike, të shumëpërmendura nga lidershipi jonë, nuk mjaftojnë apo nuk janë adekuate, në gjendjen në të cilën gjendemi ne. Kjo ngase një shtet i porsaformuar nuk ka kapacitete të mjaftueshme dhe nuk mund të adaptohet me vlera të krijuara nga shtetet të cilat përveç që janë krijuar qindra vite me parë, gjenden në një realitet politiko-social, krejt ndryshe nga ne. Mendoj se krijimi i vlerave dhe parimeve mbi të cilat shteti ynë duhet të funksionojë në të ardhmen duhet të bazohet në rrethanat tona politiko-sociale dhe ekonomike. Mbështetja dhe inkurajimi i qytetarisë aktive, reformimi i metodave mësimore, mbështetja e prodhimeve vendore si dhe inkuadrimi i rinisë së arsimuar në proceset vendimmarrëse mendoj se janë determinuese në zhvillimin e shtetit ende të ri.

Si do ta festoni përvjetorin e pavarësisë këtë vit?
Në Prishtinë organizohen plot ndeja për te shënuar këtë ditë, me siguri se do t’i bashkëngjitem ndonjërës. Shpresoj që gjate festimit të kësaj dite, motivi dhe dëshira që të punojmë për interesat e shtetit tonë të rriten më shumë.

Si e shihni të ardhmen e Kosovës dhe ardhmërinë tuaj në Kosovë?
Ka shumë punë për t’u bërë. Ca gjëra po lëvizin me shpejt, e ca gjëra kanë ngecur. E ardhmja e Kosovës varet nga disa zhvillime të caktuara, të cilat unë nuk jam në gjendje t’i parashikoj. Të gjithë e dimë se shumica e popullsisë tonë përbëhet nga të rinjtë. Aftësia e shtetit për t’i arsimuar këta të rinj që ata të jenë në gjendje të udhëheqin shtetin, do të jetë kyç për ardhmërinë e Kosovës. Kjo aftësi e shtetit do të përcaktojë se a do të jetë kjo rini barrë për shtetin, i cili mund te jetë i paaftë për t’i angazhuar dhe për t’i shfrytëzuar kontributin e tyre, apo do të jetë bazë për krijimin e një shteti të mirëqenies sociale dhe ekonomike. Ajo çka mund të them me siguri të plotë është se të ardhmen time e shoh në vendim tim, në Kosovë.