Paqe, grushtshtet ose Siri evropiane: tre skenarë për Ukrainën

Nga grushtshteti tek një marrëveshje, ja se si mund të përfundojë lufta e Rusisë në Ukrainë.

Si t’i vijë fundi këtij makthi?

Nga strehët e errëta të bombave të Mariupolit deri te korridoret e ajrosura të NATO-s, pyetja nuk është më pak urgjente dhe jo më e qartë se kur forcat ruse janë futur në Ukrainë më 24 shkurt.

Njoftimi i Moskës të martën se do ta zhvendosë fokusin e saj nga Kievi në Donbas dukej si një shenjë se presidenti Vladimir Putin po përgatitej ta ndjekë një fitore më modeste. Megjithatë, ky spekulim u hodh poshtë shpejt ndërkohë që forcat e tij vazhduan bombardimet e tyre rreth kryeqytetit ukrainas.

Me NATO-n e vendosur në refuzimin e saj për të ndërhyrë në emër të Ukrainës, zyrtarët perëndimorë gjithnjë e më shumë shohin tri kategori të gjera se si mund të përfundojë ky konflikt. Pavarësisht se cili skenar do të ndodhë – rrëzimi i Putinit, një zgjidhje e negociuar apo një ngërç i vazhdueshëm – nuk ka kthim në rendin e vjetër të pasluftës.

Do svidaniya, Vlad

“Për hir të Zotit, ky njeri nuk mund të qëndrojë në pushtet.” Përmes kësaj fjalie e cila është dëgjuar nga bota mbarë, presidenti i SHBA Joe Biden e tha atë që shumë liderë perëndimorë kanë menduar. Ata nuk e kuptojnë mendimin e Putinit, janë të lodhur nga goditjet e tij bërthamore dhe nuk i besojnë asnjë fjale të mallkuar që ai e thotë.

I motivuar nga ideologjia, Putini “nuk është një lloj mendimtari i analizës kosto-përfitim”, tha ish-ambasadori i SHBA-së në Moskë, Michael McFaul. Kjo do të thotë se Perëndimi nuk mund të kishte bërë shumë për ta penguar Putinin nga zgjedhja e kësaj lufte në radhë të parë, as shumë për ta bindur atë për t’i dhënë fund.

Pra, në vend të kësaj, Uashingtoni dhe Londra po ëndërrojnë se si mund të duket një botë pas Putinit. Dhe ata e pëlqejnë një botë të tillë.

Në këtë vizion, rezistenca e Ukrainës (me ndihmën e mjaftueshme perëndimore për ta shmangur përshkallëzimin) e mban Putinin të mbërthyer në një konflikt të zgjatur.

Për të mbetur në lojë, Putini duhet të rekrutojë gjithnjë e më shumë ushtarë. Ata nga ana e tyre kthehen në shtëpi me arkivole që as makina e tij propagandistike nuk mund t’i zbardhë – duke i nxitur nënat të dalin në rrugë siç bënë gjatë pushtimit të dështuar të Afganistanit nga Rusia. Ndërkohë, ndëshkimi gjithnjë e më i madh i sanksioneve e shtyn klasën e mesme ruse – tashmë e mësuar me trajtimet kapitaliste si Ikea dhe McDonalds – të radikalizohet dhe të përkeqësohet nga lufta.

Elitat ruse ka të ngjarë ta krijojnë një skuadër pushkatimi për “progresin katastrofik” të Rusisë në luftën e saj me Ukrainën, tha një zyrtar perëndimor. “Njerëzit do të jenë mjaft mbrojtës ndaj dështimeve të tyre dhe, mendoj, do të kërkojnë ta drejtojnë gishtin te të tjerët”.

Ka pasur “prova të konsiderueshme shqetësimi për mënyrën në të cilën pushtimi është përhapur për Rusinë në mesin e elitës ruse të përcaktuar gjerësisht”, shtoi i njëjti zyrtar.

Përfundimisht, gjeneralët dhe spiunët e Rusisë – shumë prej të cilëve janë në arrest shtëpiak – vendosin t’i japin Putinit një dozë të helmit të tij dhe ta heqin qafe me forcë. Ndërkohë që grushtshteti përkon me protestat masive, një gjeneratë e liderëve properëndimor del nga kaosi në Moskë.

Zjarri revolucionar i rusëve dhe triumfi i ukrainasve sjellin një gjallëri të re për demokracinë liberale që nuk është parë që nga fillimi i viteve 1990.

Ukraina bëhet një objekti mësimi, jo vetëm për Moskën, por edhe për Pekinin. Presidenti kinez Xi Jinping, i cili mund të jetë më shumë “një lloj mendimtari i analizës kosto-përfitim”, shikon poshtërimin e Rusisë përballë një fronti të bashkuar perëndimor dhe kupton që ta bësh një lojë të tillë me Tajvanin thjesht nuk ia vlen.

Kundërefekti: Hera e fundit që rusët e përmbysën papritur liderin e tyre ishte në vitin 1917 – dhe duke pasur parasysh mungesën e plotë të opozitës së organizuar, nuk ka asnjë garanci se një pasardhës i Putinit do ta kishte një mendim tjetër. Ndërkohë, mund të jetë gabim të mendohet se përvoja e Rusisë do t’i jepte Pekinit ndonjë mendim të dytë për Tajvanin, siç argumentoi historiani Niall Ferguson. Kina, e cila ka një ekonomi shumë më të madhe se ajo e Rusisë, mund të ngushëllohet me paaftësinë e Perëndimit për t’i hequr qafe karburantet fosile ruse dhe refuzimin e NATO-s për ta rrezikuar drejtpërdrejt sigurinë e anëtarëve të saj për ta ndihmuar Ukrainën.

Le ta bëjmë një marrëveshje

Presidenti francez Emmanuel Macron ka qenë i bindur se një marrëveshje paqeje e negociuar është ende e mundur. Konturet e një zgjidhjeje të mundshme ndryshojnë në mënyrë të konsiderueshme dhe nuk ka qartësi se sa koncesione ukrainase mund të pranonte Perëndimi – dhe vetë populli ukrainas.

Vendet e Evropës Perëndimore janë shumë të motivuara për t’u rikthyer në normalitetin ekonomik. Mes shenjave se efekti i sanksioneve po zbehet, dënimet do të duhet vetëm të bëhen më të ashpra, dhe kjo nuk e dëmton vetëm Rusinë. Rritja e kostove të jetesës duket se do të jetë kërcënimi më i madh për ofertën për rizgjedhje të Macron, për shembull, dhe në Gjermani, kancelari Olaf Scholz paralajmëroi se shmangia e naftës dhe gazit rus do ta shkaktonte një recesion.

“Nëse do të kishim një zgjidhje të negociuar të këtij konflikti që nxjerr jashtë forcat ruse nga Ukraina, që mbron sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës në vijimësi, që siguron rindërtimin e Ukrainës, atëherë sanksionet mund të tërhiqen”, nënsekretarja amerikane e shtetit Victoria Nuland tha të mërkurën për kanalin në gjuhën ruse Current Time TV të mbështetur nga SHBA.

“Mund ta shihni një skenar ku, me hapa për t’i larguar forcat ruse nga Ukraina, do të gjeni një radhitje sanksionesh,” tha ajo, megjithëse “ne jemi një rrugë e gjatë, e gjatë prej andej”.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy e ka shprehur tashmë njëfarë hapjeje për ta refuzuar anëtarësimin e Ukrainës në NATO. Putini gjithashtu mund të jetë në gjendje të nxjerrë disa territore – të themi, duke e marrë Krimenë dhe Donbasin pa kontestime të mëtejshme ukrainase – në këmbim të një tërheqjeje ruse nga pjesa tjetër e vendit.

Polakët në Berlin dhe Paris e ndiejnë guximin e tyre duke menduar për këtë rezultat, me potencialin për fitore fuqi-buta në afat të gjatë. Nëse Ukraina ndahet në dysh, BE-ja mund të marrë përgjegjësi të dukshme për rindërtimin e pjesës tjetër të lirë. Kjo krijon një kontrast tërheqës të stilit të Gjermanisë Perëndimore-Lindore për të theksuar se sa e keqe është oferta e stilit të jetesës së Moskës. (Mos harroni: Ne ende duam që Putini të largohet.) Dhe të kesh një kufi të pastër de facto BE-Rusi në lumin Dnieper është gjithashtu diçka tërheqëse – veçanërisht kur alternativa do të kishin qenë kufijtë e Polonisë, Sllovakisë, Hungarisë dhe Rumanisë nëse Putini do të kishte arritur ta fuste nën kontroll të gjithë Ukrainën.

Kundërefekti: Putin ka thyer pothuajse çdo premtim që ka bërë gjatë muajit të kaluar, qoftë tërheqja nga Kievi ose lejimi i korridoreve të arratisjes humanitare nga Mariupol. “Pikëpamja ime është se Putini nuk duhet besuar,” tha kryeministri Boris Johnson të mërkurën, teksa vuri në dyshim nëse negociatat e Macron me Kremlinin kishin ndonjë vlerë.

Edhe nëse Putini i përmbahet një marrëveshjeje, çdo arritje e arritur përmes dhunës së paprovokuar e dëmton thellësisht rendin kombëtar të bazuar në rregulla. Vendet lindore të BE-së që kanë qenë të ashpra ndaj Rusisë do ta shihnin një marrëveshje të tillë si qetësim për një ngacmues që e kërcënon sigurinë e tyre. Putini mund ta shohë atë si një ftesë për të provuar përsëri që ta pushtojë  një fqinj – dhe këtë herë ai mund të jetë më i përgatitur.

Lojë e (pa)fundme

Departamenti i Mbrojtjes i SHBA vlerëson se konflikti mund të vazhdojë për një dekadë. Në të vërtetë, nuk ka asnjë shenjë që secila palë do të jetë e gatshme për negociata serioze të paqes së shpejti.

Zelenskyy madje refuzon ta hapë temën e dorëzimit të territorit derisa rusët t’i kthejnë trupat e tyre në pozicionet e para 24 shkurtit dhe koncesioni tjetër i tij i mundshëm –  neutraliteti i shpallur ukrainas – kërkon një referendum kushtetues që është gjithsesi i pamundur të organizohet. Ndërkohë, vlerësimet e inteligjencës perëndimore argumentojnë se Putini as nuk e di se sa keq po i shkojnë gjërat; këshilltarët po e mbajnë atë në injorancë të lumtur. Efekti i zbehtë i sanksioneve në Rusi e ngurtëson vendosmërinë e Moskës, ndërkohë që liderët perëndimorë tregojnë ngurrim në rritje për ta shtuar dhimbjen tek votuesit e tyre.

Konflikti i vazhdueshëm ushtarak ka filluar t’i ngjajë një Sirie në Evropën Lindore. NATO qëndron e vendosur dhe e bashkuar në refuzimin e saj për të vendosur trupa në territorin ukrainas ose për t’ sulmuar avionët rusë në hapësirë. Ukrainasit, pavarësisht pasionit dhe disiplinës së tyre, janë përhapur shumë duke mbrojtur Kievin dhe pikat e tjera kyçe nga ngacmimet ruse për ta nisur një kundërofensivë të vërtetë.

“Do të vijë një moment kur forcat ruse do të vendosin se kanë bërë mjaftueshëm në Mariupol dhe më pas ata do të shikojnë drejt … duke lëvizur në veri dhe duke u përpjekur ta ngrisin këtë operacion më të gjerë rrethues” të forcave ukrainase në Donbas,tha një zyrtar perëndimor.

Ndërsa rusët arrijnë të marrin qytete, shpresa më e mirë e forcave ukrainase do të jetë përdorimi i teknikave të stilit gueril për ta parandaluar që një operacion ushtarak të bëhet realitet politik. Kjo do të thotë të largohen burimet ruse nga linjat e forta të frontit, një “ndryshim shumë i kushtueshëm i pozicionimit”, thotë Jennifer Cafarella, shefe e stafit në Institutin për Studimin e Luftës me qendër në SHBA.

Në mungesë të shpresës për ta mbajtur në fakt Ukrainën, Putini zgjedh shkatërrimin sistematik, duke e bërë koston e rindërtimit të vendit jashtëzakonisht të shtrenjtë. Rusia nuk fiton asnjëherë, mirëpo Ukraina e humb popullsinë dhe ekonominë e saj.

Kundërefekti: NATO nuk po përfshihet në këtë luftë për ta evituar një Luftë të Tretë Botërore. Por një luftë e zgjatur ka pasoja globale. Refugjatët ukrainas që vërshojnë në Perëndim nuk do të mund të kthehen në shtëpi. Dhe ata nuk do të jenë të vetmit të që vijnë në Evropë: Njerëzit nga Lindja e Mesme, Afrika dhe Azia Qendrore të rrezikuar nga ekonomia ruse në rënie dhe ndalimi i eksporteve të ushqimit do ta rinisnin migrimin duke shkaktuar probleme edhe më të mëdha për demokracitë perëndimore./Politico

 

Përgatiti: Nuhi Shala