
Kandidati i LDK-së për deputet, Arben Gashi. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com
Objektivat e LDK-së: Marrëveshje të re në kuadër të dialogut, rehabilitim të raporteve me shtetet mike dhe kalim të Kodit Civil
Në rast se Lidhja Demokratike e Kosovës fiton besimin e qytetarëve për të qeverisur me vendin pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, si prioritet zotohet se do ta ketë rehabilitimin e raporteve të shtetit me partnerët ndërkombëtarë- në veçanti me ShBA-të. Arben Gashi nga kjo parti paralajmëron se me qeverisjen e tyre nuk do të kalojë Marrëveshja e Ohrit, por do të bëjnë një marrëveshje të re- gjithëpërfshirëse. Në “Debat Përnime”, ai tregon edhe qëndrimin e partisë rreth draftit të Asociacionit të Komunave më Shumicë Serbe, rreth Kodit Civil, sikundër që shpalos edhe planet në drejtësi, në ndërmarrje publike dhe në organe të pavarura.
Arben Gashi, kandidat për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), thotë se si parti nuk pranojnë të zbatojnë Marrëveshjen e Ohrit, por nëse rikthehen në pushtet pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, do të bëjnë një marrëveshje të re. Në rrafshin e politikës së jashtme, ai thotë se e para gjë që duhet të bëj Qeveria e re është që të rindërtojë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ta shtrojë rrugën për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës.
E, nëse pas zgjedhjeve shtrohet nevoja që LDK-ja të bëj koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje me kushtin që Qeveria të udhëhiqet nga kandidati për kryeministër, Lumir Abdixhiku, Gashi tha se nuk e shohin në asnjë formë si partnere partinë e cila aktualisht udhëheq Kosovën.
“Është pyetje ekskluzive për kryetarin e partisë, por kryetari i partisë ka deklaruar publikisht që nuk e sheh në asnjë formë partner qeverisës Vetëvendosjen (LVV). Në asnjë formë bashkëpunim me LVV-në për këto rrethana momentale”- tha Gashi në “DebatPërnime” më 06.02.2025.
LDK-ja kandidat për kryeministër ka Lumir Abdixhikun për herë të parë. Kundërkandidatë në zgjedhje, ai e ka Bedri Hamzën nga PDK-ja, Albin Kurtin nga LVV-ja dhe Ramush Haradinaj nga koalicioni AAK-Nisma.
Gjithsej 2 milionë e 75 mijë e 868 votues do të kenë të drejtë vote këto Zgjedhje – sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ). Numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime vetëm në Kosovë është 1 milion e 970 mijë e 944 votues.
Në zgjedhjet parlamentare do të garojnë 27 subjekte politike. Prej tyre 19 janë parti politike, pesë koalicione, dy nisma qytetare dhe një kandidat i pavarur. Ky është procesi i parë i rregullt zgjedhor në Kosovë, që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.
Rehabilitimi i marrëdhënieve me partnerët
Arben Gashi ka shprehur shqetësimin e thellë për situatën aktuale të Kosovës dhe marrëdhëniet ndërkombëtare të vendit.
Ai ka theksuar se aktualisht, Kosova është nën sanksione ndërkombëtare për më shumë se 600 ditë dhe se vendi ndodhet në një periudhë të jashtëzakonshme ndryshimi.
Një nga faktorët kryesorë që ka ndikuar në këtë gjendje, Gashi thotë se është qeverisja e kryeministrit Albin Kurti dhe veprimet e tij “të papërgjegjshme”, që sipas tij, e kanë izoluar Kosovën dhe vetë kryeministrin nga partnerët ndërkombëtarë.
“Në këtë periudhë ka një administratë të Donald Trump që është shumë e drejtpërdrejt dhe konkrete, ndërsa ne kemi një qeveri të Kosovës që është e papërgjegjshme dhe që ka sjellë izolimin e vendit”- theksoi Gashi.
Shtetet e Bashkimit Europian ende nuk e kanë një qëndrim unik rreth heqjes të masave ndaj Kosovës. Masat ndëshkuese u aplikuan në qershor të vitit 2023, e shpresat që ato të hiqeshin në vitin 2024 ishin të mëdha.
Masat ndaj Kosovës ishin vendosur në qershor të vitit 2023, si përgjigje ndaj përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të Kosovës, kur kryetarët e rinj nisën punën e tyre në komunat në veri, pas zgjedhjeve që u bojkotuan nga serbët lokalë. Ndër masat e BE-së është edhe suspendimi i përkohshëm i punës së trupave të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.
Gashi nënvizon se për të dalë nga ky izolim, Kosova ka nevojë për një proces të rehabilitimit, që përfshin krijimin e kushteve për heqjen e sanksioneve dhe rikthimin e Kosovës si partner strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian.
Ai iu referua si sanksione, ndërsa Bashkimi Europian u referohet si masa.
Sidoqoftë, në ndërlidhje me raportet me SHBA-në, sa i përket premtimeve për helikopterë nga SHBA të negociuar nga Qeveria Kurti, Gashi ka theksuar se ato janë thjesht deklarata elektorale dhe ka kërkuar fakte konkrete në lidhje me to.
Ai ka theksuar se fakti më i rëndësishëm është se Kosova është ende nën sanksione dhe se kostoja e këtyre masave ka arritur në 1 miliard euro.
Gashi ka kritikuar qasjen e Qeverisë Kurti, e cila sipas tij nuk ka arritur të ndërtojë kritere të reja për bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë, sidomos me SHBA-në.
“Para pesë vitesh ka qenë një qasje e dakorduar edhe ndërkombëtarisht që ‘nuk merremi vesh asgjë nëse nuk merremi vesh për të gjitha’. Pra për të gjitha, marrëveshje gjithëpërfshirëse, përfundimtare, me njohje brenda. Kur erdhi zotëri Kurti tha ‘unë nuk e dua këtë koncept, por e dua konceptin njëherë parimet e pastaj marrëveshjet’. Dhe normalisht Serbia mezi s’e ka pritur këtë punë”- shprehet Gashi, duke iu referuar Marrëveshjes së Ohrit.
Marrëveshje e re në vend të asaj të Ohrit
Arben Gashi në emër të LDK-së, tha se Marrëveshja e Ohrit është më e keqe se ajo e nënshkruar në vitin 2013 nga atëkohë kryeministri Hashim Thaçi, dhe ajo e vitit 2015 e nënshkruar nga Isa Mustafa.
“Pra problemi i ndërtuar nga zotëri Kurti është aty. Marrëveshja e Ohrit dhe e Brukselit janë shumë më të këqija se marrëveshjet paraprake”- tha ai.
Sipas tij, Marrëveshja e Ohrit, e cila është arritur nën ndërmjetësimin e Brukselit, është një marrëveshje e pazbatueshme dhe duhet të rishikohet.
LDK-ja kërkon një marrëveshje të re, gjithëpërfshirëse dhe finale, që siguron njohjen e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran, pa krijuar nivele të treta të qeverisjes që do të dëmtonin karakterin unitar të shtetit, tha ai.
Për të arritur një marrëveshje të tillë, Gashi thekson nevojën për një negociatë të re me administratën e SHBA-së, ndërmjetësuesin europian dhe partnerët ndërkombëtarë.
Ai e cilëson si të papranueshëm Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në kuadër të Marrëveshjes së Ohrit, dhe thekson se një marrëveshje e tillë do të dëmtonte interesat e Kosovës dhe do të rrezikonte të ardhmen e vendit.
“Duhet një marrëveshje e re gjithëpërfshirëse, ai Asociacion është i papranueshëm”- tha ai.
Dialogu për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Europian, ka nisur më 2011. Gjatë procesit janë arritur disa marrëveshje, por pak prej tyre janë zbatuar.
Për Marrëveshjen e Ohrit më 18.03.2023 pas 10 orë bisedimesh, kryeministri kosovar Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq, ranë në ujdi që të zbatojnë Aneksin e Marrëveshjes Bazike që ishte arritur në Bruksel, në ditët e fundit të shkurtit 2023.
Marrëveshja me 11 nene, ndër tjera parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij. Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.
Në lidhje me marrëveshjen e Uashingtonit e nënshkruar në vitin 2020 nga atëkohë kryeministri Avdullah Hoti së bashku me presidentin Donald Trump dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiq në Dhomën Ovale në Shtëpinë e Bardhë, Gashi ka kërkuar një qëndrim të qartë nga qeveria, duke i kujtuar kryeministrit Kurti se, pasi kjo marrëveshje u quajt nga ai tradhti kombëtare, tani po paraqitet si një marrëveshje e rëndësishme bilaterale.
“A po flasim për atë marrëveshje që zotëri Kurti dhe ministrja e Jashtme e patën quajtur tradhti kombëtare. Dhe masandej në një media ndërkombëtare tha se është marrëveshje jashtëzakonisht marrëveshje e rëndësishme bilaterale”- tha ai.
Në fund, Gashi ka theksuar se LDK-ja do të zbatojë të gjitha obligimet ndërkombëtare që i ka marrë Kosova, duke i përmbushur angazhimet ndërkombëtare shumëpalëshe në mënyrë të përgjegjshme dhe të qëndrueshme, në rast se vjen në pushtet.
“Po” Kodit Civil
Arben Gashi ka folur për disa aspekte kyçe të sistemit juridik dhe reformave që duhet të ndërmerren në Kosovë.
Ai ka theksuar se miratimi i Kodit Civil është një hap i domosdoshëm dhe duhet të aprovohet brenda vitit të parë të qeverisjes dhe pastaj duhet t’i jepet kohë të paktën 6 muaj deri në një vit për hyrje në fuqi.
“Kodifikimi i së drejtës është jashtëzakonisht i rëndësishëm, qoftë ajo penale, civile apo familjare”- duke theksuar se miratimi i Kodit Civil është një hap i nevojshëm për stabilizimin e sistemit të drejtësisë në vend.
Gashi tha se si parti e qendrës së djathë kanë qasje të ndryshme sa i përket bashkësisë civile dhe kjo nuk do të jetë shumë e përhapur në Kodin Civil, megjithatë duhet patjetër të aprovohet shpejt.
Në lidhje me sundimin e ligjit, ai ka theksuar rëndësinë e një strukture gjithëpërfshirëse që do të përfshinte të gjitha institucionet, qoftë ato ekzekutive apo gjyqësore. Sipas tij, për të siguruar një sistem të drejtësisë të drejtë dhe efikas është e nevojshme të ristrukturohen disa institucione kyçe.
Për Vetting-un, ai ka shpjeguar se procesi duhet të bazohet në dy shtylla kryesore: “Vetting i performancës dhe vetting i personalitetit.”
Gashi tha se procedurat për Vetting-un do të nisin brenda vitit të parë me ndërtimin e strukturës dhe bazës ligjore. Kurse në vitin e dytë mund të fillojë procesi i Vetting-ut.
“Duhet të shohim- në disa vende e kemi 3 vjet në disa vende e kemi çdo 5 vite. Pra, çdo 3 apo 5 vite duhet të përsëritet procesi i Vetting-ut”- tha ai.
Gashi gjithashtu theksoi se Vetting-u duhet të bëhet periodikisht dhe të jetë një proces transparent dhe efikas për të garantuar besimin në institucionet e drejtësisë.
Ai shtoi se ky proces duhet të përfshijë vlerësimin e rezultateve të punës si dhe hetimin e pasurisë dhe ndershmërisë së zyrtarëve.
“Vetting i performancës që nënkupton sa raste i ka hap, në cilat raste ka shku deri në fund dhe si ka qenë performaca e këtyre rasteve. Pjesa tjetër e Vetting-ut ka të bëjë me vetting-un për pasurinë dhe ndershmërinë e zyrtarëve shtetëror, qofshin ata policë, prokurorë apo gjyqtarë”- tha ai.
Një tjetër çështje që Gashi ka ngritur është ngërçi me Kryeprokurorin. Ai ka thënë se modelin aktual të emërimit të Kryeprokurorit e sheh si shumë të rrezikshëm për sistemin e drejtësisë dhe ka kërkuar që kjo çështje të zgjidhet sa më shpejt.
“Nuk duhet të lejohet nga LDK dhe partnerët e saj që kryeministri të del dhe të thotë në Kuvend se unë nuk e pranoj këtë kryeprokuror, kryetari i Kuvendit nuk e pranon këtë kryeprokuror dhe presidentja nuk e pranon këtë kryeprokuror. Është shkelje kushtetuese është shkelje konceptuale dhe është e papranueshme”- tha ai.
Derisa tha se Kryeprokurori i Shtetit duhet të dekretohet sa më shpejt, ai komentoi edhe Byronë Shtetërore të Hetimit, duke theksuar se koncepti i LVV-së ka krijuar probleme për sistemin e drejtësisë. LDK ka propozuar krijimin e një Byroje Shtetërore të Hetimit për të siguruar një hetim më të pavarur dhe transparent.
Ai ka deklaruar se ky këshill do të përfshijë institucione të ndryshme dhe do të jetë i angazhuar në krijimin e një sistemi më të mirë hetimor dhe të kontrolluar.
Gashi ka theksuar rëndësinë e matjes së performancës dhe punës të zyrtarëve të lartë dhe ka nënvizuar se nuk bëhet fjalë për individë, por për suksesin dhe qëllimin final të institucioneve.
Sipas tij, qëllimi kryesor është të sigurohet një sistem më i sigurt dhe të eliminohen ndikimet politike që mund të shfaqen brenda institucioneve.
“Duhet të matet me performancën dhe punën e tyre, nuk bëhet fjalë për individin, bëhet fjalë për performancën dhe suksesin” – tha ai, kur u pyet se a do ta shkarkojnë Shefin e Agjencisë Kosovare për Inteligjencë të emëruar nga kryeministrit Kurti.
Gashi ka identifikuar disa probleme serioze në lidhje me rekrutimet e reja dhe menaxhimin e brendshëm të institucioneve, duke veçuar hetimin me porosi politike si një çështje të papranueshme.
Ai ka shprehur shqetësim për ndikimin politik që ka ndikuar në hetimet ndaj gazetarëve dhe figurave të tjera publike, duke e konsideruar këtë si “e rrezikshme dhe të papranueshme në një shtet demokratik.”
Për sa i përket Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Gashi ka thënë se duhet të jetë një institucion efikas dhe vendimmarrës, i cili do të ketë llogaridhënie të plotë dhe do të sigurojë transparencë në çdo hap të procesit.
“Të politizohen” disa institucione të pavarura
Arben Gashi ka shprehur qëndrimin se depolitizimi i institucioneve është i domosdoshëm, me ç’rast ka theksuar se disa institucione “të ashtuquajtura të pavarura” është më mirë t’i politizosh sesa t’i mbash të pavarura dhe t’i kontrollosh politikisht.
“Në vitin 2014 unë kam pas një debat…se unë pata thanë te ju që disa prej institucioneve të ashtuquajtura të pavarura është ma mirë me i politizu sesa me i mbajt të pavarura dhe me i kontrollu politikisht”- tha ai.
Gashi ka shtuar se edhe pse në atë kohë nuk pati shumë përkrahje për këtë ide, tani është krijuar një perceptim publik që mbështet këtë.
“Edhe nëse nuk e siguroj përkrahjen e partisë (për këtë ide), e siguroj përkrahjen e popullit dhe mediave, dhe besoj që ka me mbërri”- tha ai.
Ky kandidat për deputet ka kritikuar Zyrën e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) për mënyrën se si ka vepruar në çështjen e rritjes së çmimit të energjisë elektrike, duke theksuar se ky është një problem i përgjegjësisë politike të kryeministrit.
Sipas tij, duhet të jetë Qeveria dhe kryeministri të marrin përgjegjësi për rritjen e çmimit të energjisë dhe të mos i fshehin pas kuazi-institucioneve të pavarura.
Po ashtu, Gashi ka theksuar se disa institucione, si Komisioni i Pavarur për Media, Bordi i Ankesave, duhet të mbeten të pavarura dhe profesionale, duke garantuar që politika ditore të mos ndikojë në media. Ai ka bërë thirrje për një balancë politike, duke e konsideruar të papranueshëm politizimin e bordeve të institucioneve si Radiotelevizioni i Kosovës (RTK).
“Mendoj që me përgjegjësi politike duhet të bëhet ZRrE-ja, Korporata e Energjetike e Kosovës (KEK) Posta dhe Telekomi”- tha ai.
“Nuk mundesh me thanë atje ‘jo unë nuk e di çka po ndodhë në KEK’, ndërkohë që bën grup në WhatsApp qysh me menaxhu KEK-un, e thu ‘jo se atje është bordi i pavarur’. Bordi ka marr përgjegjësi, bordi e ka zgjedh drejtorin. A këndej kryeministri, ministrat dhe Dejona Mihali e cila nuk është hiq pjesë e ndonjë institucioni, jep urdhra si me u qeveris”- tha ai.
Sipas Gashit, është më e udhës që rastet si KEK-u të jenë “me caktim prej kryeministrit, dhe me marr vet përgjegjësinë kryeministri kur të ndalet rryma”.
Gashi gjithashtu ka kritikuar Komisionin e Pavarur për Miniera, duke e konsideruar atë si një “skemë kriminale” dhe ka thënë se ky komision nuk mund të mbetet jashtë kontrollit të Qeverisë kur ka probleme të tilla si helmimi i ujërave dhe ndotja mjedisore në rajone të caktuara.
“Po helmohet uji, toka, njerëzit dhe kryeministri duhet me dhanë përgjegjësi. Duhet me ba një rishikim komplet të strukturës shtetërore”- tha ai në lidhje me Komisionin e Pavarur për Miniera.
Ai ka nënvizuar se bordet e Qeverisë janë shpesh të partizuara dhe jo të merituara dhe ka kërkuar që ata që kanë konflikte interesi të shkarkohen dhe të ndiqen penalisht.
“Ato janë të kundërligjshme. Ato jo që duhet me u shkarku, por edhe me u ndjek penalisht”- tha Gashi kur u pyet se a do të shkarkohen anëtarët e bordeve të emëruar nga Qeveria Kurti e të cilët kanë qenë financues të partisë.
Përfundimisht, ai ka propozuar një rishikim të plotë të strukturës shtetërore dhe një depolitizim të thellë të institucioneve që janë të paevitueshme për të siguruar një sistem më të drejtë dhe më të përgjegjshëm.
“Kryeministri të negociojë vetë me korporata për armatim”
Arben Gashi ka theksuar nevojën për reforma urgjente në ekonomi, duke përfshirë mbledhjen e Tatimin e Vlerës së Shtuar (TVSH) brenda Kosovës.
“Një biznes nëse bjen një material apo produkt në Kosovë apo çka do, ai duhet ta paguaj 18% të TVSh-së qysh në hyrje dhe ndoshta i inkasohen [mjetet] pas 5-6 muajsh dhe i humb likuiditeti. Për me pas likuiditet, ai duhet më shku me marr kredi në bankë. Kredia i kushton 8-10%. Pra ai duhet me e rrit çmimin ose përndryshe del me humbje dhe falimenton”- u shpreh Gashi.
Një tjetër prioritet i Gashit është rritja e investimeve publike dhe përfundimi i projekteve të infrastrukturës, si rrugët dhe autostradat. Ai theksoi rëndësinë e krijimit të besueshmërisë për përdorimin e parave të shtetit në ekonomi.
“Rritja e investimeve publike, përfundimi i rrugëve autostradave dhe krijimi i besueshmërisë se paraja e shtetit po hynë dhe po qarkullon në ekonominë Kosovës dhe përfitues final është qytetari i Kosovës”- tha ai.
Gashi gjithashtu ka theksuar rëndësinë e krijimit të një klime të favorshme për investime të huaja, duke propozuar projekte konkrete që mund të tërheqin investitorët.
“Privatizimi i Postës dhe Telekomit, privatizimi i qendrës së skijimit, ndërtimi i një qendre të madhe të skijimit në Brezovicë, ndërtimi i qendrës së skijimit në Pejë, pra këto krijojnë një klimë pozitive, por kjo prapë duhet me u shoqëru me reforma fiskale dhe ekonomi”- tha ai.
Gashi ka folur gjithashtu për mundësinë që kryeministri të negociojë drejtpërdrejt me korporata të huaja, duke theksuar se disa industri strategjike duhet të trajtohen në mënyrë të veçantë.
“Supozoj në industrinë e armatimit nuk mundesh të bësh tender, ose industrinë e dronëve ushtarak. Ato nuk bëhen me tendera. Ato bëhen me negocime të drejtpërdrejta. I jep lehtësira fiskale, territoriale, financiare dhe vijnë e investojnë- edhe i rrit kapacitetet tua”- theksoi ai.
Sa i përket mbështetjes për bujqësinë, Gashi ka propozuar që subvencionet të jenë për produktet dhe jo për territorin.
“Ne do të subvencionojmë produktin, jo territorin. Deri më tani është subvencionuar territori: i ke 20 ha tokë edhe ti shkon thu i kam mbjell grurë, vjen një komision e vërteton pa qenë hiç që ka qenë grurë dhe ta subvencionon”- tha ai.
Përvoja e LDK-së në pushtet
Lidhja Demokratike e Kosovës më së shpeshti e ka pasur fatin që të jetë në pushtet.
Pas mbarimit të luftës dhe ardhjes së Administratës Ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara (UNMIK) u mbajtën Zgjedhjet e para në Kosovë, në vitin 2001.
LDK fitoi shumicën e votave dhe përfaqësoi shumicën e deputetëve në Kuvendin e Kosovës. Ibrahim Rugova u zgjodh President i Kosovës më 04.03. 2002 dhe LDK-ja formoi Qeverinë e parë pas luftës.
Kjo parti fitoi përsëri Zgjedhjet e vitit 2004, në krye me Ibrahim Rugovën, i cili ishte President deri në vitin 2006.
Ndërsa, në Zgjedhjet e vitit 2014, LDK arriti të krijonte një koalicion qeverisës me partinë e Hashim Thaçit, Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe të formonte një Qeveri të re në krye me Isa Mustafën.
Në Zgjedhjet e vitit 2019, LDK humbi mundësinë për të formuar një Qeveri, pasi LVV fitoi më shumë vota. LVV bëri koalicion me LDK-në, por Marrëveshja u prish pas disamuajsh kur Qeveria e Kurti u rrëzua në Kuvend në mars 2020, përmes një Mocioni Mosbesimi.
Në këtë situatë, LDK-ja, nën udhëheqjen e Avdullah Hotit, arriti të formonte një koalicion me PDK-në dhe partitë e tjera të vogla. Më 22.03.2020, Hoti u zgjodh Kryeministër i Kosovës.
Qeveria Hoti u rrëzua pas një Mocioni të dytë Mosbesimi në Kuvendin e Kosovës.
Kjo u pasua me Zgjedhje të parakohshme të shkurtit të vitit 2021, në të cilat Lëvizja Vetëvendosje doli fituese.Në Zgjedhjet e fundit në vitin 2021, LDK-ja fitoi 12.64 % – duke u renditur si partia e tretë, për nga numri i votave.
“Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 09 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashi dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marr pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve.
RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.
Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.
Jeta Xharra, drejtuese e “Debat Përnime” tha se në këto zgjedhje zyrtarisht i kemi katër kandidatë për kryeministër.
“Të gjithë i kam ftuar për me qenë pjesë e një përballjeje të përbashkët. Ju kam dërguar ftesa e ju kam treguar rregullat e debatit, por i pari që ka refuzuar me u përball me kundërkandidatët e vetë ka qenë Albin Kurti”.