Mjekët e Kosovës në dilema kur t`i shkruajnë barnat imunitare të kancerit  

Sëmundja e kancerit trajtohet në disa mënyra, njëra prej tyre është edhe forcimi i imunitetit. Imunoterapia është njëra nga kurat më të shtrejtna, përdorimi i së cilës nisi në vitin 2021 në QKUK.

Por përshkrimi i këtij bari për të gjithë pacientët e diagnostikuar me kancer, rrezikon shpenzimin e tërë buxhetit që është i paraparë për listën e barnave esenciale.

Imunoterapia (bioterapia ose terapia biologjike) është një lloj trajtimi për kurimin e kancerit përmes së cilës rritet aftësia natyrore e trupit për t’u mbrojtur nga qelizat kancerogjene. Kjo terapi po përdoret gjerësisht sot në botë dhe ka të bëjë me novacionet e onkologjisë në trajtimin e sëmundjeve malinje në 5 vitet e fundit. 

Dy prej preparateve që përdoren në këtë terapi tek pacientët janë ajo me Nivolumab dhe Pembrolizumab, edhe pse të listuara në listën e barnave esenciale që nga viti 2019-të, pa i specifikuar indikacionet, furnizimet e para të saj në Kosovë kanë ardhur vetëm në fund të prillit 2021.

Dafina Ademi Islami, shefe e përgatitjes së citostatikëve në Klinikën e Onkologjisë, në emisionin #KallxoPërnime, ka thënë se indikacionet për këtë terapi nuk kanë qenë të qarta.

“Indikacioni tregon se kush përfiton nga ky ilaç, gjithashtu përcakton edhe numrin e pacientëve të cilët do të përfitonin nga kjo terapi. Shkencërisht mbi 90% e tumoreve solide përfshirë edhe ato të gjakut trajtim primar e kanë imunoterapinë”- ka thënë Ademi Islami.

Kjo terapi në Onkologji është planifikuar përreth 20 pacientë të prekur nga dy patologji të kancerit, Melanoma Malinje (sëmundje e lëkurës) dhe kanceri i mushkërive.

Sipas Ademi Islamit, numri i pacientëve të trajtuar me këto dy lloje të barit ishte rritur, ndërkohë gjatë këtij viti duke çuar numrin në mbi 60 persona. Ajo ka thënë se përveç rritjes së numrit të pacientëve, ishin zgjeruar edhe patologjitë në 10 sosh.

“Që nga janari i vitit 2021 e deri në gusht të vitit të kaluar janë futur 90 pacientë, janë futur në imunoterapi, ndërsa barna ka vetëm për 20 pacientë. Por nevoja për këtë terapi është shumë më e madhe.. Në momentin që përcaktohen këto indikacione, edhe ne si profesionist shëndetësor e kemi më lehtë dhe numri i pacientëve zvogëlohet”- ka shtuar më tej Ademi Islami.

Saranda Ramaj, gazetare e shëndetësisë në ‘Koha’, e cila ka qenë prezente në të gjitha mbledhjet e grupit punues për hartimin e listës së barnave esenciale gjatë vitit 2019, ka thënë se në të gjitha draftet, indikacionet për këtë terapi kanë qenë të përfshira.

“Kostoja e parë e listës esenciale e vitit 2019 ka qenë 47 milionë euro, por komiteti ka thënë jo se s’kemi mundësi financiare. Qeveria e asaj kohe e Haradinajt, po ashtu ka thënë se nuk ka aq mundësi financiare. Komiteti është mbledhur sërish në krye me Naim Bardiqin, i cili edhe në atë kohë ka qenë sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Shëndetësisë dhe kjo kosto është ulur për gati 12 milionë, pra 35 milionë euro. E për imunoterapi nga krejt kjo shumë kanë mbetur 150 mijë euro”- ka thënë Ramaj.

Ramaj ka shtuar se nuk e kupton që pse në vitin 2021 nuk është planifikuar nga onkologët që kjo terapi të përdoret nga 200 pacientë.

Ish drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi ka thënë se nga një udhëheqës i OBSH-së, kanë pasur propozim që të përdoret imunoterapia. Por sipas tij deri në fund, indikacionet e kësaj terapie kanë qenë të përshkruara në draftin e listës esenciale.

“Ka edhe disa barna për të cilat nuk ka indikacione. Nuk e di pse nuk figuron në listën esenciale indikacioni për këtë terapi. Por kjo nuk është vetëm në onkologji por edhe në klinika të tjera. Ne atëherë nuk e kemi ditur për koston financiare të këtyre dy bareve të imunoterapisë dhe e kemi tenderuar për 20-22 pacientë, por ka dalë që me sëmundje të kancerit të lëkurës dhe atë të mushkërive janë diku 40 pacientë”- ka thënë Kurtishi.

Dafina Ademi Islami, shefe e përgatitjes së citostatikëve në Klinikën e Onkologjisë, e ka kundërshtuar Kurtishin duke thënë që në vitin 2021, imunoterapia është përdorur edhe për kancerin në veshka.

“Rasti i parë në Onkologji që ka marr këtë terapi është kancer në veshka, në prill të vitit 2021, si dhe edhe për disa lloje të kancerit”- ka shtuar Ademi Islami.

Driton Vela, kryetar i Komitetit për revidimin e produkteve mjekësore dhe materialit shpenzues, ka thënë se tashmë e kanë një draft preliminar për listën esenciale të barnave, e cila është duke u reviduar.

“Kemi pasur bashkëpunim me përfaqësues të Onkologjisë dhe në draftin e ri të listës esenciale të barnave i kemi futur edhe indikacionet. Në këtë draftin e ri janë futur edhe 65 propozime të reja. Që nga 2019 pothuajse është dyfishuar buxheti për barnat, pra janë afër 60 milionë euro”- ka thënë Vela.

Gjatë vitit të kaluar shumë pacientë janë ankuar për mungesën e këtyre dy preparateve në Onkologji, pasi kishin filluar trajtimin dhe më vonë ato mungonin gjë që i detyronte pacientët ta siguronin privat.

 

1700 raste të reja me kancer gjatë 2022 – 3270 raste në 2021-ën

Klinika e Onkologjisë përballet edhe me një problem tjetër, numri i saktë i pacientëve me kancer. Mungesa e një regjistri të mirëfilltë, apo digjitalizimi është sfidues për QKUK-në. 

Dafina Ademi Islami shefe e përgatitjes së citostatikëve në Klinikën e Onkologjisë, ka thënë se në mungesë të një regjistri të pacientëve, nuk mund të planifikohet e ardhmja e vendit për sëmundjet kancerogjene.

“Është shumë e rëndësishme ky regjistër pasi që, incidencë, mortalitet, sëmundshmëri, planifikim të barnave, këto janë krejt të mangëta”- ka thënë Ademi Islami.

Por, Ilir Kurtishi ka thënë se Klinika e Onkologjisë ka një regjistër dhe se në 5 vitet e fundit, numri i pacientëve me kancer është rritur 10 – 15%.

“Në vitin 2021 janë regjistruar 1650 raste, në 2020 – 1500 raste, e në 2022 janë regjistruar 1700 raste me kancer”.

“Arsyeja se pse ASK-ja i ka këto statistika qëndron në faktin se tek ne nuk regjistrohen të gjithë, p.sh. në të dhënat e ASK-së aty përfshihen sëmundjet malinje të fëmijëve, sëmundjet malinje hematologjike që mund të jenë diku 500-600 raste ose edhe më shumë, ndërsa 10% të rasteve mund të mos regjistrohen tek ne, pra në Onkologji”- tha ai.

 

Viti i tretë i qeverisë së LVV-së – Studim fizibiliteti për Shërbimin Informativ Shëndetësor

“Prioritet kryesor në qeverisjen e shëndetësisë i kemi sigurimet shëndetësore publike të paraprira nga Sistemi Informativ Shëndetësor – SISH dhe Udhërrëfyesit klinikë”, ishte premtimi i partisë në pushtet, por edhe pas dy vjetëve ende asgjë nuk është bërë lidhur me këtë.

Saranda Ramaj, gazetare e shëndetësisë në ‘Koha’, ka thënë se SISH-i është problem edhe për MSH-në e profesionistët shëndetësor.

“Më kujtohet ish ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani pati thënë që SISH-i është problem pasi që profesionistët shëndetësor po refuzojnë që ta përdorin, por këtë refuzojnë që ta përdorin edhe donatorët, në Ministrinë e Shëndetësisë. Vetëvendosje ka qenë më e zëshmja, e cila ka thënë se do të fillojnë menjëherë me SISH-in, një gjë e tillë nuk po shihet askund”- tha Ramaj.

Arben Bislimi, u.d. i drejtorit të Klinikës së Onkologjisë, i cili është dorëhequr javën që shkoi, ka thënë se në këtë klinikë ka nuk ka pasur rezistencë për sa i përket digjitalizimit.

“Qysh nga fillimi kemi kërkuar që të bëhet digjitalizimi, kemi dërguar kërkesë dhe kemi biseduar që është kruciale që të fillohet me këtë proces. Megjithëkëtë tashmë ka filluar diçka, ne jemi të interesuar që të bëhet digjitalizimi”- ka thënë Bislimi.

Ilir Kurtishi tha se që nga 2019-ta ka bërë kërkesë në MSh për komplet digjitalizimin e Klinikës së Onkologjisë, por që nga atëherë nuk ka pranuar ndonjë përgjigje.

“Ne kemi kërkuar digjitalizim por nuk na është kthyer ndonjë përgjigje përderisa filloi më pas edhe pandemia dhe kemi pasur edhe telashe të tjera”- ka thënë Kurtishi.

Dorëheqja e u.d. Drejtorit të Onkologjisë në QKUK

Sfiduese e ka quajtur udhëheqjen prej 6 muajsh të Klinikës së Onkologjisë, Arben Bislimi.

“Ne si onkologë kemi probleme edhe me infrastrukturë në këtë klinikë. Dorëheqja është personale është njerëzore. Arsyet janë personale”- ka thënë Bislimi.  

Ndërsa në fund të prillit të vitit të kaluar, Ardian Millaku, ka dhënë dorëheqje pak muaj pasi u emërua drejtor i Klinikës së Onkologjisë.

Problemet e Onkologjisë

– Mesatarisht, 250 pacientë brenda ditës vizitohen në repartin e kimioterapisë, ndërsa 100 të tjerë në atë të radioterapisë në Klinikën e Onkologjisë në QKUK, por aty janë vetëm 5 infermierë për t`u përkujdesur për të gjithë këta pacientë.

– Në Onkologji mungojnë rreth 80% e barnave që janë në listën esenciale, përfshirë këtu edhe baret për imunoterapi.

– Pacientët që trajtohen në Onkologji nuk kanë kartelë, ku do të ruheshin të dhënat e tyre si dhe historiku i sëmundjes e barnave që ka përdorur.

– Nuk ka evidentim të barnave që hyjnë në Onkologji dhe kujt i jepen, problem ky në të gjitha klinikat e QKUK-së, pra nuk ka sistem të digjitalizuar.

– Klinika e Onkologjisë ka probleme edhe me infrastrukturë.