Tundimi i Kenedit

Këtë muaj mbushen pesëdhjetë vjet nga vrasja e Presidentit Xhon F. Kenedi në Dallas të Teksasit. Shumë amerikanë besojnë se kjo ngjarje tragjike shënon humbjen e pafajësisë kombëtare. Sigurisht, kjo përbën një nonsens. Historia e Shteteve të Bashkuara, sikur edhe historitë e të gjitha vendeve tjera, është histori e shpëlarë me gjak.

Por, duke e shikuar këtë ngjarje nga perspektiva aktuale, presidenca e Kenedit duket si një moment prestigjioz në historinë e vendit. Më pak se pesë muaj para vrasjes së tij, Kenedi iu drejtua një tubimi të madh të gjermanëve në qendër të Berlinit, që gjendej në kufirin e krijuar nga Lufta e Ftohtë, duke sjellë tek ta një entuziazëm gati histerik me thënien e tij të famshme: “Ich bin ein Berliner”.

Për miliona njerëz, Amerika e Kenedit ishte simbol i lirisë dhe shpresës. Ngjashëm sikur shteti të cilin e përfaqësonte, Kenedi dhe bashkëshortja e tij Zhaklina dukeshin të ri, glamuroz, të pasur dhe plot energji pozitive. SHBA-të ishin vend i cili shihej si model, si fuqi e së mirës në një botë plot ligësi.

Ky imazh do të dëmtohej tepër me vrasjen e Kenedit, vëllait të tij Bobit dhe Martin Luter Kingut, por edhe nga lufta në Vietnam të cilën e kishte nisur vetë Kenedi. Nëse Kenedi do ta çonte mandatin e tij deri në fund, veprimet e tij sigurisht se nuk do të ishin të përmasave që priteshin nga ai dhe të cilat frymëzoheshin nga ai.

Për një periudhë të shkurtër kohore votimi i amerikanëve për presidentin e parë me ngjyrë, i cili ishte një figurë tjetër e re që sillte shpresë, dukej sikur SHBA-të kishin kthyer një pjesë të prestigjit që e gëzonin në fillim të viteve të 60-ta. Ngjashëm me Kenedin, Barak Obama mbajti një fjalim në Berlin, para së paku 200,000 njerëzve, madje edhe para se të zgjedhej në postin e tij.

Ky premtim i hershëm nuk u plotësua. Në fakt, prestigji i SHBA-ve është dëmtuar rëndë që nga viti 2008. Politika kombëtare e Amerikës është aq e helmuar nga ndjekja e vijave partizane në nivel provincial, veçanërisht mes Republikanëve të rinj, të cilët Obamën e urrenin që nga fillimi, sa që duket se ka pësuar edhe vet demokracia. Pabarazia ekonomike është çdo herë e më e madhe. Autostradat, urat, spitalet dhe shkollat janë duke u shkatërruar. Krahasuar me aeroportet më të mëdha të Kinës, aeroportet e Nju Jorkut tani duken primitive.

Në politikën e jashtme, SHBA-të shihen ose si ngacmues të krekosur ose si frikacak i ndrojtur. Aleatët më të ngushtë të Amerikës, sikur Kancelarja gjermane Angela Merkel, janë nervozë me spiunimin që u është bërë. Të tjerët, si Izraeli dhe Arabia Saudite, ndjejnë neveri nga sjelljet e Amerikës të cilat ata i shohin si dobësi. Madje edhe Presidenti i Rusisë Vladimir Putin, lideri autokratik i një fuqie të rangut të dytë, arrin të bëjë shfaqje më të mira publike se sa Presidenti i Amerikës të cilit si duket i është vyshkur shkëlqimi.

Është e lehtë që faji për këtë gjendje të nderë t’i vihet mbi supe Obamës ose pakujdesisë së republikanëve. Por, kësisoj do ta anashkalonim çështjen kryesore që formëson rolin e Amerikës në botë – faktin që është pikërisht idealizmi që e popullarizoi Kenedin ai që po vepron si shtytës i rënies së prestigjit ndërkombëtar të Amerikës.

Disa prej admiruesve më të flaktë të Kenedit vazhdojnë të besojnë se ai do ta kishte parandaluar eskalimin e luftës së Vietnamit po të jetonte më gjatë. Por, nuk ka kurrfarë dëshmie për një gjë të tillë. Kenedi ka qenë përkrahës i Luftës së Ftohtë, ndërsa antikomunizmi i tij ka qenë i mishëruar në idealizmin amerikan të tij. Ai në fjalimin inaugurues të tij kishte thënë: “Ne do të paguajmë çfarëdo çmimi, do të bartim çdo barrë, do të përballemi me çdo të keqe, do të përkrahim të gjithë miqtë, dhe do ta kundërshtojmë çdo armik me qëllim të sigurimit të mbijetesës dhe suksesit të lirisë.”

Entuziazmi për misionin e vetëpërcaktuar të Amerikës për të luftuar për liri anembanë botës u zvogëlua dukshëm (dhe jo vetëm brenda SHBA-ve) pas katastrofës së përgjakshme të Vietnamit. Rreth dy milionë vietnamezë u vranë në luftën që nuk i çliroi.

U desh të shfaqet një katastrofë tjetër për ta ringjallur retorikën mbi efektet çliruese të fuqisë ushtarake të SHBA-ve. Arsyet përse Presidenti Xhorxh W. Bush vendosi të hyjë në luftë me Afganistatin dhe Irakun ishin padyshim komplekse. Por gjuha e shfrytëzuar nga promovuesit neokonservatorë të këtyre luftërave vinte drejtpërdrejt nga epoka e Kenedit: avancimi i demokracisë, kauza e lirisë dhe autoriteti universal i “vlerave amerikane”.

Një arsye përse amerikanët e zgjedhën Obamën në vitin 2008 ishte se retorika e idealizmit të SHBA-ve prapë kishte shtyrë miliona njerëz drejt vdekjes apo zhvendosjes. Tani, kur politikanët flasin për liri njerëzit këto fjalë i asociojnë me fushata bombardimi, dhoma torturash dhe kërcënime konstante nga fluturaket vdekjeprurëse pa pilotë.

Problemi me Amerikën e Obamës është i rrënjosur në natyrën kundërthënëse të lidershipit të tij. Obama është distancuar nga misioni i SHBA-ve për ta çliruar botën me dhunë. Ai e ka përfunduar luftën në Irak dhe do ta përfundojë së shpejti luftën në Afganistan. Ai gjithashtu i ka rezistuar tundimit të hyrjes në luftë me Iranin apo Sirinë. Për ata që presin nga SHBA-të që të rregullojnë të gjitha të këqijat e botës, Obama duket i dobët dhe i pavendosur.

Megjithatë, në të njëjtën kohë ai ka dështuar në mbylljen e burgut grotesk të SHBA-ve në Gjirin e Guantanamos. Ata që nxjerrin lajme mbi veprimtarinë e zbulimit dhe kundërzbulimit në vend dhe jashtë vendit arrestohen, ndërsa shfrytëzimi i fluturakeve vdekjeprurëse pa pilotë sa vjen e rritet. Edhe pse luftimet e hapura janë rralluar, lufta me fluturake po intensifikohet dhe shtohet. Imazhi i Amerikës po fundoset më thellë dita ditës.

Por, problemi kryesor nuk është Obama; problemi kryesor është kryelartësia e amerikanëve dhe besimi i tyre që kanë një rol të veçantë në botë, besim ky që është keqpërdorur shumë herë për të promovuar luftëra të panevojshme. Idealizmi i amerikanëve jo vetëm që ua ka ngritur atyre pritshmërinë, por gjithashtu ka bërë që bota të presë më tepër se që duhet nga Amerika. Pritjet e tilla mund të përfundojnë me vetëm një mënyrë – me zhgënjim.

Ian Buruma është Profesor i Demokracisë, Drejtave të Njeriut dhe Gazetarisë në Bard College, dhe autor i librit Year Zero: A History of 1945.

Të drejtat autoriale: Project Syndicate, 2013.
www.project-syndicate.org