E pijshme dhe me potencial

Për një kohë të gjatë verë në Kosovë kanë pirë vetëm mendjehapurit dhe ata që kanë pranuar mundësinë e të konsumuarit të ndonjë gjëje të tmerrshme. E tillë është jetesa në kufijtë e vitikulturës moderne, edhe emocionuese edhe tmerruese. 

Por, çdo herë e më shumë po ka arsye për t’u ndier i emocionuar. Verërat e fundit janë mjaft të pijshme, ndërsa disa prej opsioneve më të lira janë madje edhe të mira. I tillë është Vrançi i Sefës, i cili kushton 2 euro. Ndërkohë, në mesin e verërave me çmime mesatare dhe të larta gjenden disa opsione që janë të mira për çfarëdo standardi. Gamay Noir nga Suhareka/Theranda, që kushton 4 euro, apo Cabernet Reserve e Stone Castle, me çmim mahnitës prej 10 eurosh, veçohen nga të tjerat. 

Zhvillimet më interesante po vërehen te prodhuesit më të vegjël, të cilët janë duke shfrytëzuar më së miri përpjekjet ndërkombëtare për të ngritur cilësinë e verërave. Përmbajtja e alkoolit po rritet, në veçanti te verërat e kuqe, ndërsa prodhuesit po përpiqen të prodhojnë verëra më të plota, të cilat përshtaten më mirë me ushqimet më të rënda kosovare, por edhe me shijet ndërkombëtare. 

Momenti për këtë nuk ka mundur të jetë më i përshtatshëm, duke qenë se BE-ja rishtas është pajtuar që t’i lejojë Kosovës eksportimin e 2 milionë litrave, ose rreth 222 mijë arkave me verë, te shtetet anëtare të saj gjatë vitit në vijim, edhe atë pa u obliguar që të paguajë ndonjë ngarkesë tatimore. Kjo sasi nuk është e madhe, por u ofron prodhuesve të verës rast që të luftojnë dhe konkurrojnë në tregun evropian në këtë kohë kur bota është duke u përballur me mungesë të verërave. Sipas Morgan Stanley-t, kërkesa globale për verëra është për 300 milionë arka më e madhe, sesa prodhimi i verërave brenda një viti. 

Gjatë kohës së Jugosllavisë, nga industria e verës në Kosovë kërkohej prodhimi i sasive të mëdha të verërave të lira të tavolinës. Një pjesë e madhe e asortimanit të verërave të tilla shiteshin në Gjermani, ku stërshitej si Amselfelder, një lloj i verës që adoleshentët e përzienin me Coca Cola. 

Nuk është e befasishme se gjatë viteve të 90-ta kjo industri bukvalisht u varros. Përpjekjet për rimëkëmbjen e saj ishin të vështira. Kosova nga Evropa shihej si një vend që nuk konsumon fare alkool dhe si e tillë ajo ishte relativisht e shkëputur nga tregjet e huaja. 

Por, duhet marrë mësim nga leksionet e nxjerra në Kaliforni. Industria e këtij shteti të SHBA-ve ishte shkatërruar tërësisht nga ndalesa e përdorimit të alkoolit në Amerikë mes viteve 1920 dhe 1933. Por, 40 vjet më pas, Kalifornia prodhonte disa prej verërave më të mira në botë. Edhe pse Rahoveci dhe Suhareka mund të jenë larg nga niveli i Napas dhe Sonomas, verëra të njohura kaliforniane, këto dy qendra kanë potencial për t’u bërë ambasadorë dhe lokomotiva ekonomike të Kosovës. Duke qenë se cilësia ka filluar të kthehet, sfida e madhe e radhës është që njerëzit të nxiten të pinë këto produkte, edhe në Kosovë edhe jashtë vendit.