Lufta në Ukrainë - Gazprom do t'i paguajë Kremlinit 9.9 miliardë euro

Kompania energjetike ruse e mbështetur nga shteti, Gazprom, është gati t’i japë Kremlinit një pagesë prej 9.9 miliardë euro pasi ka shënuar fitime rekord. Kompania raportoi një fitim neto prej 2.5 trilionë rubla (41.3 miliardë euro) për gjashtë muajt e parë të këtij viti, raporton The Guardian.

Çmimet e naftës dhe gazit u rritën gjatë asaj periudhe, të nxitura nga shqetësimet për furnizimet pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

Kremlini zotëron 49.3% të Gazprom dhe do ta ndajë një pagesë prej 1.21 trilionë rubla pasi bordi i tij propozoi një pagesë prej 51.03 rubla për aksion të zakonshëm për investitorët. Vendimi do t’u jepet aksionarëve në një mbledhje të përgjithshme të jashtëzakonshme më 30 shtator.

Kundërofensiva e Ukrainës për ta rimarrë qytetin Kherson nuk ka ngecur apo dështuar, ka thënë një këshilltar i lartë i presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy.

“Fakti që ne nuk e kemi marrë ende Kherson nuk do të thotë se operacioni në jug ka ngecur ose ka dështuar”- tha Oleksiy Arestovych në një video-mesazh të postuar në Telegram herët në mëngjes të enjten.

“Kjo është realizuar në mënyrë të planifikuar. Ne shkatërrojmë logjistikën e armikut, sistemet e mbrojtjes ajrore, depot e karburantit dhe municionit”.

Arestovych paralajmëroi ukrainasit që të jenë të durueshëm, duke shtuar se “nuk do të ketë fitore të shpejta”.

Ekziston një pasiguri mbi vizitën e planifikuar të inspektorëve në centralin bërthamor të Zaporizhzhia. Një ekip nga mbikëqyrësi bërthamor i OKB-së mbërriti të mërkurën në qytetin Zaporizhzhia të kontrolluar nga Ukraina.

“Nëse ne jemi në gjendje të krijojmë një prani të përhershme ose një prani të vazhdueshme, atëherë ajo do të zgjatet. Por ky segment i parë do të zgjasë disa ditë”- tha shefi i organizatës, Rafael Grossi.

Të mërkurën, autoritetet pushtuese ruse thanë se ekipit do t’i jepet qasje për një ditë.

Ushtria ruse po vuan “mungesa të rënda të fuqisë punëtore” dhe po kërkon të rekrutojë anëtarë të shërbimit me kontratë dhe madje mund të tërheqë kriminelë të dënuar, tha një zyrtar amerikan të mërkurën, duke cituar inteligjencën amerikane. 

Volodymyr Zelenskiy i është adresuar festivalit të filmit të Venecias duke e përshkruar luftën e Rusisë kundër Ukrainës si “një komplot primitiv në tri akte që bota të bëjë tri gabime dramatike: të mësohet me luftën, të durojë luftën, të harrojë luftën”.

Zelenskiy i tha audiencës “të mos qëndrojnë të heshtur” dhe “të mos qëndrojnë neutral” ndaj luftës.

Rusia e ka ndalur rrjedhjen e gazit përmes gazsjellësit Nord Stream 1 në Evropë, duke përmendur nevojën për të kryer riparime. Qeveria gjermane e kundërshton këtë vendim të Rusisë, duke e quajtur atë një “pretendim”.

Ai tha se Nord Stream ishte “plotësisht funksional” dhe se nuk kishte probleme teknike. Ndalimi i tubacionit të Detit Baltik në orën 5 të mëngjesit të së mërkurës do të zgjasë për tri ditë, tha Gazprom, kompania shtetërore ruse e energjisë.

Estonia synon t’i ndalojë hyrjen e shumicës së rusëve brenda javësh, tha të mërkurën ministri i saj i jashtëm, Urmas Reinsalu.

“Duhet pak kohë, por unë mendoj se koha është gjithashtu kritike, duke parë këtë numër të madh të qytetarëve rusë që hyjnë”- tha Reinsalu në Pragë.

BE-ja ka rënë dakord ta pezullojë një marrëveshje udhëtimi për viza me Moskën për ta frenuar numrin e shtetasve rusë që hyjnë në territorin e BE-së për pushime dhe blerje, duke mos lejuar një ndalim të plotë të vizave turistike. Në takimin në Pragë, 27 ministrat e jashtëm të BE-së premtuan ta pezullojnë marrëveshjen e lehtësimit të vizave të vitit 2007 me Rusinë që e bën relativisht të lehtë marrjen e dokumenteve të udhëtimit.

SHBA ka nxjerrë një urdhër për sekuestrimin e një aeroplani prej 45 milionë dollarësh në pronësi të firmës ruse të energjisë Lukoil, tha departamenti i drejtësisë amerikane, megjithëse avioni aktualisht besohet të jetë në Rusi. Avioni thuhet se fluturoi brenda dhe jashtë Rusisë në kundërshtim me sanksionet e Departamentit të Tregtisë së SHBA.

Ministrat e financave të G7 do ta diskutojnë tavanin e propozuar të administratës Biden për naftën ruse kur të takohen të premten, tha Shtëpia e Bardhë. “Kjo është mënyra më efektive, ne besojmë, për t’i goditur rëndë të ardhurat e Putinit, dhe duke e bërë këtë do të rezultojë në një rënie jo vetëm të të ardhurave të Putinit nga nafta, por edhe në çmimet globale të energjisë”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre. një konferencë të mërkurën./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala