Ligj për 'Maocedunizëm Kulturor"

Në më shumë se dhjetë pika, artistët e kontestojnë këtë projektligj duke e vlerësuar si joprofesional dhe të rrezikshëm për teatrin dhe jetën krijuese teatrore në Kosovë.  

Komuniteti artistik konsideron se gjatë hartimit dhe miratimit të tij janë injoruar krejtësisht. 

Projektligji i propozuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe i miratuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës është proceduar për miratim në Kuvendin e Kosovës pa u “zhvilluar qoftë edhe një debat apo dëgjim i vetëm publik gjatë hartimit në MKRS dhe para miratimit të tij në Qeverinë e Kosovës dhe në Kuvendin e Kosovës”.

Komuniteti artistik i teatrit në peticion shprehet se ky projektligj ka defekte të shumta konceptuale, juridike, profesionale e gjuhësore dhe madje është edhe më i keq se ligji actual në fuqi.  

Grupi prej rreth 50 artistëve, mes të cilëve Nexhmije Pagarusha, Mysherefe Llozana, Sulejman Lokaj, duajënë të artit dhe të tjerë kritikë, dramaturgë, regjisorë e aktorë kundërshtojnë ashpër Projektligjin e Teatrit për të cilin thonë se e thellon monopolin politik dhe burokratik të MKRS-së duke i dhënë Ministrit Memli Krasniqi kompetenca dhe ekskluzivitet mbi jetën teatrore në vend. 

“Në kundërshtim me praktikën e teatrove perëndimore, në të cilat Drejtori Artistik është një autoritet me atribute, kompetenca dhe përgjegjësi, e degradon dhe e zhvlerëson krejtësisht pozitën e Drejtorit Artistik jo vetëm me emërtimin e tij të tanishëm si ‘Udhëheqës Artistik’ (Neni 15), por edhe me anulimin dhe zhvlerësimin e pjesës më të madhe të kompetencave dhe përgjegjësive të  tij të  deritashme (Neni 15, pikat 2, 7, 8, 9, 10)” thuhet në këtë peticion. 

Shasivar Haxhijaj, këshilltar i lartë i ministrit të Kulturës, Memli Krasniqi,i kontaktuar nga Koha Ditore i ka quajtur ish-drejtorin artistik të TKK-së, Jeton Neziraj, dramaturgun Arian Krasniqin dhe regjisorin Bekim Lumi si persona që për interesa të ndryshme kanë manipuluar artistët e tjerë. Ai shton se ky projektligj nëse miratohet nga Kuvendi do ta bëjë skenën teatrore me Ligjin ndër më modernët dhe më të mirët në rajon.  

Ndërsa Jeton Neziraj, ish-drejtor artistik i Teatrit Kombetar të Kosovës komentin e Shasivar Haxhijaj e sheh si tendencë që vërejtjet e artistëve për këtë ligj t’i paraqiten opinionit si “pjesë e një beteje politike”,duke synuar portretizimin e tyre si aktivist të ndonjë partie politike. 

“Ne e kemi hartuar këtë peticionin në mbështetje të së cilit kan dalë emra autoritativ të teatrit dhe artit në Kosovë” shprehet ai. 

Ndërsa “Nënshkruesit e këtij peticionin janë artist të profileve të ndryshme të cilët janë bashkuar rreth idesë që ky është një projekt-ligj i dobët i cili do të prodhoj edhe më tepër kaos në jetën teatrore në Kosovë” vazhon ai.

Projektligji shihet si diskriminues sidomos për teatrot private duke e cenuar të drejtën e organizimit dhe funksionimit të pavarur të teatrove private dhe të kompanive teatrore dhe duke i diskriminuar ato në rrafshin financiar cdo kompani jashtëinstitucionale.

Ndërsa duke cituar Nenin 20, pika 3 artistët interpretojnë këtë Projektligj si diskriminues në rrafshin financiar ndaj teatrotve të qyteteve, duke i privuar ato nga e drejta e shfrytëzimit të fondeve nga buxheti i MKRS-së dhe duke i lënë ato në mëshirën e buxheteve të vogla komunale.

Për ta, zbatimi i këtij ligji nuk garantohet, por kushtëzohet varësisht nga situata fiskale dhe buxhetore. 

Me frikën se miratimi dhe formalizimi zyrtar i këtij projektligji do të ishte me pasoja të rënda, rrënuese dhe të pariparueshme për teatrin kosovar, artistët kërkojnë që të organizohet një debat i gjerë publik me artistët dhe ekspertët e teatrit në Kuvendin e Kosovës, në të cilin do të paraqiteshin idetë, vërejtjet, vlerësimet dhe sugjerimet rreth këtij Projektligji dhe krijimin e një komisioni të pavarur të artistëve dhe ekspertëve të teatrit në nivel të Kuvendit të Kosovës, i cili do të merrej me hartimin e një drafti të ri të Projektligjit për Teatrin. 

“Në të kundërtën, miratimi i këtij ligji do të krijojë një lloj ‘maocedunizmi’ kulturor, në të cilin Ministri i Kulturës kontrollon gjithcka dhe vendosë për jetën teatrore në vend” përfundon Neziraj.