Kush Mund t’i Mbrojë Avokatët

Praktikat e jo të mira të Odës së Avokatëve të Kosovës u shpërfaqen edhe gjatë dy orvatjeve të saj të muajit tetor për të mbajtur kuvendin e vet të dhjetë.  

Mbase edhe vet organizatoret e këtij evenimenti janë kujdesur që përpjekja e parë për kuvend të dështojë. Të paktën, nuk janë kujdesur që të siguroheshin nëse ftesat e drejtuara avokatëve për pjesëmarrje në kuvend t’i kenë shkuar secilit. Derisa Oda numëron 606 avokatë të anëtarësuar dhe 65 praktikantë, kuvendi nuk arriti t’i mbledhë as gjysmën e tyre për të përfunduar punët e parapara.

Oda vazhdon të përsërisë praktikat e këqija që kanë të bëjnë me kuvendet zgjedhore të saj. Në orvatjen e parë të mbajtur më 16 tetor, ku të pranishëm ishin vetëm rreth 200 avokatë, punimet nuk filluan fare për shkak të mungesës së kuorumit (numrit të nevojshëm të të pranishmëve për mbajtjen e kuvendit). 

Më e keqja erdhi kur Presidentja e vendit Atifete Jahjaga dhe personalitete tjera të larta në Kosovë, ofendohen nga organizatoret pasi ata lejuan mbajtjen e fjalimit edhe pse vet e dinin se Kuvendi do të dështonte. 

Në fjalimin e saj, Presidentja bëri thirrje për realizimin e misionit të Odes në drejtim të sundimit të ligjit duke iu drejtuar njerëzve të thirrur për të respektuar ligjet dhe vet Oden. 

Ofendimi nuk u bë vetëm nga organizatoret pot edhe nga vet avokatët anëtarë, të cilët nuk respektuan kuvendin me pjesëmarrjen e tyre sado që Oda mund të mos ketë bërë sa duhet për të fituar respektin e avokatëve ndaj saj.

Kuvendi ishte paraparë që përveç zgjedhjes së kryetarit dhe bordit drejtues, të diskutojë edhe për çështjet që kanë të bëjnë më amendamentet e ligjit për avokatinë dhe statutin e Odes.

Oda zgjodhi kryetarin dhe bordin drejtues tek në kuvendin e dytë brenda muajit, të mbajtur më 29 tetor. Ibrahim Dobruna u zgjodh kryetar më 112 vota nga gjithsej 248 votuesit. Ishte hera e parë që Kuvendi fillimisht kishte 5 kandidatura për postin e të parit të Odes. Ndonëse njëri nga kandidatët u tërhoq, katër e vazhduan garën. 

Mirëpo, ky kuvend dështoi prapë në evitimin e problemeve ligjore me të cilat përballej. Edhe pse kuvendi kishte paraparë që përmes amendamenteve të evitonte problemet ligjore që kanë të bëjnë me rregullativin ligjor të Odes, përsëri nuk u prekën çështje vitale ligjore.

Fillimisht, në bazë të ligjit për avokatinë, mbikëqyrjen e ligjshmërisë së akteve ligjore të Odes e bën Qeveria, organi ekzekutiv, ku Oda i raporton Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës.  Edhe një herë vërehet qartë, të paktën në letër, rreziku i përzierjes së pushteteve dhe ndikimit të politikës në sistemin gjyqësor.

Përveç këtij problemi, Oda e ka të paqartë edhe punën e votës së praktikantit e cila u reflektua edhe në kuvendin e fundit. Në rregullativin ligjor të Odes, nuk parashihet nëse praktikantët kanë të drejtë vote ose jo, problem për shkak të të cilit u ndërpre për disa minuta procedura e votimit për kryetar.

Gjithashtu Oda vazhdon të përsërisë problemet që kanë të bëjnë më mungesat e kuorumit të nevojshëm për mbajtjen e kuvendit, pra në mbledhjen e njerëzve të saj. Në propozimet e reja për ndryshimet në rregullativin ligjor, nuk është paraparë ndonjë mekanizëm i cili do të detyronte avokatët që të marrin pjesë në kuvendet e Odes me çka nuk mbetet përshtypja se këto praktika jo të mira nuk do të shihen prapë.

Oda përballet edhe me probleme administrative. Në regjistrin e Odes së Avokatëve figurojnë 606 avokatë, regjistër ky që mbetët i papastruar për një kohe të gjatë, të paktën gjatë mandatit të fundit të bordit drejtues të para 29 tetorit. Në listë figurojnë avokatë të cilët nuk ushtrojnë fare profesionin e avokatit. 

Kuvendi i fundit, përveç që zgjodhi kryetarin e ri, bordin drejtues dhe aprovoi propozimet për ndryshimet në rregullativin ligjor, u përball edhe me një problem tjetër – gati sa nuk plasi sherri ndërmjet klaneve të ndryshme. Derisa Kryetari në detyrë Musa Dragusha përzihej në punët e komisionit gjatë procedurës së votimit, pati një avokat që për një moment veç sa nuk grushtoi atë.

Avokatë tjerë kishin pakënaqësi për faktin që propozimet për ndryshime në rregullativin ligjor të Odes u aprovuan pa u diskutuar fare në mesin e tyre. Edhe ky ishte një element tjetër i cili dëshmoi për joseriozitetin e këtij kuvendi.

Bordi i ri i porsazgjedhur duhet të marrë masat që të paktën të kujdeset për mospërsëritjen e praktikave jo të mira të kuvendeve zgjedhore dhe sidomos të përkushtohet në realizimin e misionit të këtij institucioni. Për këtë ajo bile nuk mund të ankohet për mungesa materiale pasi  ka në dispozicion së paku 145,440 Euro në vit si kontribute të anëtarëve të saj.