Konfirmohet Aktakuza për Haraqinë dhe Beqirin

Gjykatësja Hava Haliti e  Qarkut në Prishtinë e ka bërë publik, të hënën, vendimin lidhur me konfirmimin e aktakuzës për dy ish-ministrat.

Gjykata në vendimin e saj mbi konfirmimin e ka konfirmuar aktakuzën në të gjitha pikat e saj, ashtu siç prokurorja Drita Hajdari, kishte kërkuar në seancën e fundit të mbajtur për këtë çështje. Aktakuza është konfirmuar për të gjithë të pandehurit.

Ndërkohë në fillim të muajit ishte mbajtur seanca për konfirmim, në të cilën seancë të pandehurit ishin deklaruar të pafajshëm dhe kishin kërkuar që gjykata të mos e konfirmojë aktakuzën.

Tani dy ish-ministrat e Kulturës, Astrit Haraqija dhe Valton Beqiri, së bashku me aktorin e producentin Armond Morina, si dhe producentin tjetër, Nehat Fejza, pritet të dalin para gjykatësit të Gjykatës Themelore të Prishtinës, ku edhe do të zhvillohet gjykimi kundër tyre.

Aktakuza e Prokurorisë së Qarkut në Prishtinë akuzon ish-ministrin Haraqija për veprën penale “shpërdorim i detyrës zyrtare, ose autorizimit”, duke tejkaluar autorizimet e tij me nënshkrime kontratash, në kundërshtim më Ligjin për Kinematografinë dhe atë për Prokurimin Publik. Kontrata me Nehat Fejzën, pronar i kompanisë “Concordia Pictures”, ishte nënshkruar më 27 shkurt 2006, në vlerë prej 220 000 eurosh, kurse me Armond Morinën, pronar i kompanisë “Morina Films”, në vlerë prej 350 000 eurosh, më 30 janar 2007. Kjo e dyta ishte nënshkruar nga  Alberta Troni, drejtoreshë në Departamentin e Kulturës në Ministrinë Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (MKRS), me autorizimin e Astrit Haraqisë.

Në bazë të aktakuzës, më të njëjtën vepër akuzohet edhe Valton Beqiri, i cili në pozitën e tij si ministër i MKRS-së, më 19 shtator 2008, ka lidhur dhe nënshkruar aneks kontratën me Armond Morinën si dhe me 1 tetor 2008 ka marrë vendim për transferimin e shumës prej 100 000 nga linja buxhetore e investimeve kapitale në MKRS në linjë buxhetore të subvencioneve për realizimin e filmit “Mysafir në Sofër”.

E gjithë kjo, në bazë të aktakuzës, është bërë në kundërshtim më Ligjin për Kinematografinë dhe atë për Prokurimin Publik.

Ndryshe nga ish-ministrat, aktakuza ngarkon Armond Morinën dhe Nehat Fejzën për veprat penale “mashtrim në detyrë”, që kanë të bëjnë me lidhjen e kontratave në kundërshtim me ligjin, pasi kishin paraqitur projekte të rreme për realizimin e filmave që në të vërtetë nuk janë realizuar asnjëherë.