Kandidatja e LVV-së për deputete caktohet ushtruese e detyrës së përgjegjëses së zyrës postare në Podujevë

Shemsie Vokrri, kandidate për deputete nga Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet e vitit 2017, nga 13 korriku do ta ushtrojë një detyrë të re në ndërmarrjen publike – Posta e Kosovës.

Vokrri do të ushtrojë detyrën e përgjegjëses së zyrës postare në Podujevë në bazë të vendimit që është marrë nga ushtruesja e detyrës së kryeshefes së Postës së Kosovës, Fakete Kadiu, që mban datën 30 qershor.

Në vendim thuhet se “sipas udhëzimit mbi procesin e ristrukturimit të ndërmarrjes dhe vendimit për formimin e komisionit qendror për ristrukturim, ndërmarrja mund ta risistemoj punëtoren (Shemsie Vokrri) në ndonjë pozitë tjetër”.

Caktimi i ish-kandidates për deputete përkohësisht në pozitën e re është bërë pasi personi që e ka ushtruar këtë post ka kërkuar që të lirohet nga detyra.

KALLXO.com ka kërkuar sqarime nga menaxhmenti i Postës së Kosovës për risistemimin e ish-kandidates për deputete në krye të zyrës postare në Podujevë grada e së cilës do të jetë 7.

Zëdhënësi i Postës së Kosovës, Arsim Mehmeti, ka thënë në disa përgjigje për KALLXO.com se Vokrri paraprakisht ka pasur gradën 6 ndërsa emërimi në pozitën e re është i përkohshëm.

“Punësimi i punonjëses në Postën e Kosovës nuk ndërlidhet me orientime politike, emërimi i përkohshëm bazohet në përvojën e punës dhe përgatitje arsimore”, thuhet në përgjigjet e Mehmetit për KALLXO.com.

Tutje ai shtoi se  emërimet e punonjësve në pozita të përkohshme vakante deri në ristrukturim nuk paraqesin avancime por zgjidhje të përkohshme, si dhe nuk ndërlidhen me çështje politike.

Në rrjetin social Facebook, Shemsie Vokrri ka shprehur përkrahjen e saj ndaj Lëvizjes Vetëvendosje.

Postimi i Shemsie Vokrri ne vitin 2017 kur ishte kandidate për deputete nga LVV, Foto: Facebook

Ajo ka publikuar fotografi të saj me figura të larta të LVV-së si me kryeministrin Albin Kurti, zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, por edhe postime të cilat përkrahin kryetarin aktual të Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi.

E kontaktuar nga KALLXO.com, Shemsie Vokrri ka thënë se nuk ka pranuar asnjë vendim në lidhje me pozitën e re.

“Unë jam që 36 vite në punë, në Postë askush nuk është më i vjetër se unë. Unë detyrën e kontrollorit e kam marrë kur kanë qenë tjera parti. Nëse vendoset sepse unë nuk kam marrë asnjë gjë zyrtare, nëse vendoset ata me më emëru, unë jam që 36 vjet në Postë nuk besoj që ka ndonjë lidhje politike në këtë vendim”, tha Vokrri gjatë një bisede përmes telefonit me KALLXO.com.

Ajo thotë se është anëtare në Lëvizjen Vetëvendosje dhe se ka qenë kandidate për deputete nga kjo parti.

“Ju duheni me marrë gjenezën, hulumtoni që sa vite jam në Postë, nuk do të thotë që mundet me pas ndonjë ndikim politik sepse nuk edhe ndonjë post që me thanë haj medet”, tha ajo tutje.

E pyetur se pse pas 36 vitesh është vendosur që e njëjta të ngrihet në detyrë ajo tha se mund të jetë konstatuar se e njëjta mund të kryejë detyrën e re.

“Njëri që ka qenë ka dalë në pension, është ardhur tjetri edhe nuk ka mujt me mbajtë dhe në qoftë se kanë vendosur po ma merr mendja që kanë konstatuar se mundem me kry atë detyrë se nuk është shumë kollaj”, tha Vokrri.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për avancimet dhe emërimet e përkrahësve të Lëvizjes Vetëvendosje në pozita të ndryshme në Postë.

Dhjetëra punëtorë të cilët ishin avancuar në fillim të vitit të kaluar në Postën e Kosovës ishin audituar dhe pas hulumtimit të KALLXO.com, disa prej tyre i ishin nënshtruar procesit të risistemimit të pozitave të punës.

Impakti i hulumtimit të KALLXO.com: 111 punëtorë të Postës preken nga rekomandimi i Bordit për anulim të avancimeve

KALLXO.com muaj më parë raportoi edhe se si Shkumbin Krasniqi, vëllai i asamblistit të Lëvizjes Vetëvendosje Alban Krasniqit, ishte pozicionuar në një pozitë me gradë më të lartë.

Vëllai i asamblistit të Vetëvendosjes avancohet në Postë

Ngjashëm ishte avancuar edhe përkrahësi i LVV-së, drejtori aktual i burimeve njerëzore në Postën e Kosovës, Petrit Karakashi.

Ish-këshilltari i kryeshefit avancohet për 5 grada në Postë