ISIS Mban “ Peng” Fëmijët Shqiptarë në Siri

Duke kërkuar për një atdhe të ri ku sundon ligji i sheriatit, një numër i shqiptarëve që deshën të jenë xhihadistë morën gratë dhe fëmijët e tyre me vete në Siri për të luftuar për Al-Kaedën dhe ISIS-in.

Dokumentet e siguruara nga BIRN-i tregojnë se 13 gra dhe 31 fëmijë, duke përfshirë 23 të mitur, u zhvendosën në Siri, disa prej të cilëve tani janë jetimë ose të veja për shkak të të afërmve të tyre të zhdukur.

Familjet u nisën për në Siri në vitin 2012 dhe 2014, sipas dosjes hetimore të Prokurorisë së Shqipërisë për Krime të Rënda, të cilën e ka parë BIRN-i.

Dosja shpjegon se gratë dhe fëmijët e xhihadistëve jetojnë në kampe, ndërsa burrat luftojnë në vijën e frontit.

Në një rast, një xhihadist i  përgjuar nga shërbimi sekret shqiptar ShISh dhe prokuroria mori fëmijët e tij në Siri, pa miratimin e nënës së tyre, ndërsa dy policë ndihmuan ata të lëvizin në mënyrë të paligjshme jashtë vendit.

Hetimi ka zbuluar gjithashtu se disa nga fëmijët tani janë jetimë dhe se grupet islamike për të cilat etërit e tyre luftuan ua kanë ndaluar atyre që të kthehen në shtëpi.

Policia ndihmoi xhihadistin të largohet

Eva dhe Endri Dumani, të  moshës nëntë dhe shtatëvjeçare, janë dy nga 31 fëmijët shqiptarë të lënë jetimë nga lufta në Siri.

Shkëlzen Dumani u vra duke luftuar për ISIS-in më 5 nëntor 2014, nëntë muaj pasi  mori fëmijët e tij në Siri pa e njoftuar gruan e tij.

Në Siri, Dumani ndryshoi emrat e fëmijëve të tij në Sara dhe Talha. Që nga vdekja e tij, përkundër përpjekjeve të familjes dhe autoriteteve shqiptare, fëmijët e tij nuk janë lejuar të kthehen në shtëpi.

Në një letër të hapur botuar nga gazeta e përditshme shqiptare Tema më 13 nëntor, 2014, nëna e tyre, Mide Dumani, u bëri thirrje autoriteteve shqiptare për ta ndihmuar atë të kthejë fëmijët e saj në shtëpi.

“Unë kam qenë në gjendje të bisedoj me ata në Skype vetëm disa herë, kur Shkëlzeni u kthye nga fronti, gjithmonë në prani të njerëzve të armatosur,” shkroi ajo.

“Eva dhe Endri tani janë jetimë dhe jeta e tyre është në rrezik. Ata janë pengje të një lufte absurde,” shkroi ajo.

Hetimi nga Prokuroria për Krime të Rënda thotë se autoritetet shqiptare e dinin planin e Dumanit për të shkuarr në Siri me fëmijët e tij, por nuk arritën të ndërhyjnë.

Ai gjithashtu thotë se dy policë në Rinas, njëri prej tyre që punon në luftën kundër terrorizmit, ndihmoi që Dumani të largohet nga Shqipëria me dy fëmijët e tij të mitur.

Sipas të njëjtës dosje hetimi, Dumani, nga Peshkopia kërkoi për një kohë të gjatë për mënyrën  për të marrë fëmijët e tij jashtë shtetit pa lejen e gruas së tij prej së cilës ishte ndarë.

Ai përfundimisht u  largua me Evën dhe Endrin më 1 shkurt 2014, pavarësisht se ishte nën mbikëqyrjen e prokurorisë dhe shërbimit të inteligjencës.

Disa ditë para se ai të largohej, Dumani u përgjua duke folur me imamin e tij, klerikun radikal Bujar Hysa, për rrezikun e ndaljes së fëmijëve të tij në aeroportin e Rinasit.

Hysa, i cili u arrestua në fillim të vitit 2014 për organizimin dhe rekrutimin e luftëtarëve për në Siri, e qetësoi  dhe i dha instruksione.

“Thuaju se jeni duke shkuar për një vizitë mjekësore në Turqi,” sugjeroi ai.

Para se të nisej për në aeroportin e Rinasit, Dumani mori edhe masa shtesë në rast nevoje. Një noter e ndihmoi atë të mashtrojnë gruan e tij duke nënshkruar një dokument për ta  lejuar atë për të marrë fëmijët jashtë vendit.

“Unë mendova se isha  duke nënshkruar një kontrate për të shitur shtëpinë, por pa dijeninë time unë i dhashë atij aprovimin për të marrë fëmijët jashtë vendit,” kujton  Mide Dumani  në letrën e saj të hapur.

Dumani përpos që mbuloi shpenzimet për blerjen e biletave për veten dhe fëmijët e tij për udhëtimin nga Tirana në Stamboll dhe pastaj në Gynej- një lagje të Turqisë, ai këtë e bëri edhe  për dy myslimanë të tjerë.

Në aeroportin e Rinasit, një polic e ndihmoi atë për të kaluar kufirin pa probleme.

Prokuroria gjeti se Dumani shfrytëzoi një lidhje personale me një ekspert të eksplozivëve në Rinas për të marrë fëmijët e tij jashtë vendit.

Oficeri nuk ishte në detyrë në ditën që Dumani ishte nisur, por ndërmjetësoi me një koleg  që të lejojë atë dhe fëmijët e tij të vazhdojnë.

Në aeroport, Dumani u takua me kolegun i cili mori atë në një dhomë të izoluar për kontrolle bagazhi. Me ndihmën e tij, Dumani kaloi pikën e kontrollit së bashku me fëmijët.

Ndryshe nga Dumani, një nga bashkudhëtarët e tij, Ilir Shala, u arrestua në Rinas, disa minuta pasi Dumani hipi në aeroplan me fëmijët e tij, pasi siguroi policinë se ai ishte duke shkuar për të gjetur punë në Turqi.

Shala i kishte thënë familjes së tij se ishte drejtuar për  në Francë. Megjithatë, autoritetet pretendojnë se ai po udhëtonte për në Siri dhe se Dumani kishte paguar biletën e tij.

Mide Dumani nuk i ka parë fëmijët e saj që nga atëherë. Ajo ka biseduar me ta në disa raste përmes Skype, por vdekja e burrit të saj në Siri e ka lënë atë mjaft të shqetësuar për fatin e tyre.

Ajo raportoi zhdukjen e tyre në shkurt të vitit 2014, por edhe pasi Interpoli lëshoi një “flamur të kuq” ndërkombëtar, Eva dhe Endri nuk kanë ardhur në shtëpi.

As është mbajtur dikush përgjegjës për të ndihmuar Dumanin që të  dërgojë fëmijët e tij në Siri.

Zyrtarët e Ministrisë së Brendshme nuk pranojnë të tregojnë për  BIRN nëse dy policët në Rinas do të përballen me ndjekje penale.

Rasti në Kosovë ofron shpresë

Erion Zena, tetë vjeç, u kthye në Kosovë, pasi u mbajt për më shumë se pesë muaj në kampet në Siri. Erioni kishte të njëjtin fat si Eva dhe Endri Dumani – babai i tij e mori atë në Siri pa lejen e nënës së tij.

Lutjet e Pranvera Abazit për kthimin e djalit të saj u plotësuan, megjithatë, pasi shërbimi sekret i Kosovës negocioi me xhihadistët e Kosovës në Siri gjatë disa muajve.

Babai i Erionit, Arben Zena, si Dumani, shkoi për të luftuar në Siri për ISIS-in.

Teksa Pranvera Abazi tani ndihet me fat, Mide Dumani mbetet vetëm dhe e shqetësuar në lidhje me fëmijët e saj.

Burimet në ShISh i thanë BIRN-it se një raund i dytë i negociatave, duke përfshirë shërbimet e inteligjencës nga Turqia, Shqipëria dhe Kosova, është duke u zhvilluar me synimin për të sjellë Eva dhe Endri Dumanin në shtëpi.

Por edhe pas një viti e gjysmë pasi ata u zhdukën, projekti mbetet i papërmbushur. Para vdekjes së tij, besohet se dëshira e fundit e Shkëlzen Dumanit  ishte që fëmijët e tij  të qëndrojnë në Siri.

Vëllai i tij ka deklaruar gjithashtu se Shkëlzeni  u kishte thënë miqve të tij se nëse ai vdes, fëmijët  e tij duhet të mbahen larg nga nëna e tyre.

“Unë nuk kam asnjë të afërm të mbetur në Shqipëri,”  besohet t’u ketë thënë ai shokëve të ISIS-it në ditët e tij të fundit.

Nëna e Dumanit udhëtoi për në Siri disa javë pas vdekjes së djalit të saj për të sjellë nipërit e saj në shtëpi, por ajo është ende atje.

Ajo dhe dy fëmijët mbeten në një kamp të ISIS-it në Siri, duke pritur për leje për tu kthyer.

Pengje të xhihadistëve

Eva dhe Endri Dumani nuk janë të vetmit fëmijë shqiptarë jetimë në mes të luftës siriane.

Dhjetë xhihadistë shqiptarë kanë vdekur në luftimet që nga viti 2012 dhe disa prej tyre morën fëmijët e mitur dhe gratë me ta.

Hetimi nga Prokuroria për Krime të Rënda gjeti se pesë luftëtarë të vdekur  kishin lënë pas gratë dhe fëmijët në Siri.

Hamit Myslija  kishte lënë pas katër fëmijë, Bledar Hamza, një vajzë dyvjeçare, Diamant Rasha, gruan dhe dy fëmijë, ndërsa Hasan Korvafaj dhe Sherif Taushani kishin  lënë pas nga tre fëmijë.

Prindërit e fëmijëve të tjerë shqiptarë në Siri kanë mbetur gjallë.

Hetimi zbuloi se ata jetojnë së bashku me fëmijët dhe gratë e xhihadistëve të tjerë në kampe. Ata nuk mund të kthehen në shtëpi derisa xhihadistët t’i lejojnë ata për t’u kthyer.

Gruaja e Diamant Rashës, Floresha, ka qenë e bllokuar në Siri që nga fillimi i vitit 2014, kur burri i saj u vra.

Në Shqipëri, Diamanti, i njohur më vonë si Ebu Amar punonte si dërgues i picave. Në Siri, ai ishte një luftëtar për ISIS-in dhe vdiq nga një plumb snajperi në janar të vitit 2014.

Floresha Rasha thuhet se donte të kthehej në Shqipëri, por militantët thonë se të afërmit e një luftëtari të vrarë nuk mund të kthehen në shtëpi deri pasi të kenë kaluar katër muaj dhe 10 ditë pas vdekjes.

Megjithatë, rreth dy vjet kanë kaluar që atëherë dhe Floresha dhe fëmijët e saj nuk janë kthyer në shtëpi. Përgjimet telefonike  kanë zbuluar se imami Hysa kishte bërë presion mbi Floreshën të mos kthehen.

Në një bisedë telefonike, Hysa e pyeti një xhihadist me të cilin ai kishte lidhje të ngushta në Siri për ta bindur të venë të mos kthehet. “I thashë se në qoftë se ajo kthehet, ajo do të shkojë në burg,” u përgjigj xhihadisti.

Ndërkohë, burime të afërta me Zyrën e Prokurorisë thanë për  BIRN-in se Floresha të afërmve të saj në Tiranë u dërgoi një letër duke kërkuar miratimin e tyre  që të rimartohet në Siri.

Mide Dumani mbetet me shpresën se një ditë ajo do të përqafojë fëmijët e saj përsëri.

“Eva dhe Endri janë bijtë e mi, fëmijë shqiptarë. Ata kanë miqtë,  lodrat dhe shkollën e tyre,” shkroi ajo në letrën e saj të hapur.

“Tani fëmijët e mi zgjohen e flenë në një vend ku vdekja është më afër njeriut sesa Perëndia . Të lutem të më jepni mundësinë për t’u bashkuar me ta,” përfundon letrën ajo.