Kandidati për deputet nga PSD pro ndërtimit të termocentralit të tretë me qymyr

Kandidati për deputet nga PSD dhe ministri në detyrë i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, është shprehur për ndërtimin e termocentralit të tretë me qymyr.

Unë mendoj që një termocentral modern, po”, ka thënë Bytyqi në një intervistë për KALLXO.com.

Por, kohë më parë, bashkëpartiaku i tij nga Partia Socialdemokrate, Dardan Sejdiu, kishte kundërshuar ndërtimin e termocentralit.

Tutje, Bytyqi tha se është për privatizimin e Telekomit të Kosovës.

Ndërsa, tha se është po ashtu për ndërtimin e autostradës së Dukagjinit.

Më poshtë mund ta lexoni intervistën e plotë të kandidatit të AAK-PSD, Shyqiri Bytyqi:

KALLXO.com: Cila është kauza që keni me e shty nëse bëheni deputet?

Shyqiri Bytyqi:  Kauza ime do të jetë arsimi, sfidat të cilat tashmë janë të identifikuara prej periudhës sa kam qenë ministër, do të jetë një rol kryesor që do ta luaj në pjesën e arsimit.

KALLXO.com: Nëse e merrni mandatin a keni me vazhdu me qenë deputet apo keni me kalu me ndonjë post tjetër?

Shyqiri Bytyqi: Kjo është çështje që i takon diskutimit së bashku me partinë, por besoj që do të jem deputet.

 KALLXO.com: Cilat taksa mendoni se duhet me u ulë dhe cilat me u rritë në Kosovë?

Shyqiri Bytyqi: Konsideroj që taksat nuk janë të larta dhe duhet të mbesin këto që janë, përjashto artikujt e shportës që duhet zvogëluar TVSH.

KALLXO.com: Cilat janë tri amendamentet e para që keni me i propozu?

Shyqiri Bytyqi:  Amendamentin e parë dhe kryesor është ligji për arsimin parauniversitar, bartja e kompetencave te drejtorët e shkollave.

KALLXO.com: Cilat janë tri problemet/nevojat kryesore e komunës prej nga vini?

Shyqiri Bytyqi:  Unë tash jetoj në Prishtinë. Prishtina ka probleme të shumta të cilat besoj se do t’i adresojmë në nivelin lokal dhe tash iu është dhënë mundësia përmes ligjit për Prishtinën.

KALLXO.com: A ka gjasa ta ndërroni partinë ku jeni tash ?

Shyqiri BytyqiUnë sapo kam aderuar në një parti. Shpresoj që kam gjetur një ambient të përshtatshëm sepse ka në mesin e tyre shumë intelektualë dhe që kanë vizion për shtetin.

KALLXO.com: A ka gjasa me votu kundër qëndrimit të grupit tuaj parlamentar?

Shyqiri Bytyqi: Unë do të votoj kundër çfarë do ligji apo vendimi që do të bie në kundërshtim me të mirat e vendit tonë.

KALLXO.com: Cili grup i diskriminuar do ta ndjenë më së shumti përkrahjen tuaj si deputet?

Shyqiri Bytyqi: Unë mendoj që për secilin grup të diskriminuar  në duhet të bëjmë që të kenë të drejtat e barabarta dhe t’i respektojmë si pjesë që i takon shoqërisë sonë.

KALLXO.com: Çka do të bëni për përmirësimin e ambientit (mjedisit) dhe ajrit të ndotur në Kosovë?

Shyqiri Bytyqi: Siç kam bërë kur kam qenë ministër i arsimit, që të mos përdoret thëngjilli në shkollë, mendoj se do të kontribuojmë se kudo që kemi mundësi qoftë me akte ligjore apo me akte të tjera ta mbrojmë ambientin.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR ndërtimit të termocentralit të tretë me qymyr?

Shyqiri Bytyqi: Unë mendoj që një termocentral modern, po.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR djegies së qymyrit nëpër shtëpi gjatë dimrit?

Shyqiri Bytyqi: Kundër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR përdorimit të qeseve të plastikës?

Shyqiri Bytyqi: Kundër

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR shitjes së Telekomit të Kosovës?

Shyqiri Bytyqi: Duhet të privatizohet.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR ndërtimit të autostradës së Dukagjinit?

Shyqiri Bytyqi: Për.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR shkëmbimit të territoreve me Serbi?

Shyqiri Bytyqi: Kundër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR heqjes së tarifës me Serbinë?

Shyqiri Bytyqi: Kundër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR ndërtimit të hidrocentraleve në lumenjtë e Kosovës?

Shyqiri Bytyqi: Varësisht se në cilët lumenj dhe sa e pengojnë, jam kundër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR mbylljes së Universiteteve Publike nëpër komuna nëse nuk i akreditohen programet nga Agjencia e Akreditimit?

Shyqiri Bytyqi: Nuk ka mbyllje, ka vetëm udhëzim për rregullimin e çështjeve që janë gjetur nga ekspertët. Jam kundër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR monopolit në homoligim?

Shyqiri Bytyqi: Kunder.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR martesave në mes të gjinisë së njëjtë?

Shyqiri Bytyqi: Ajo çka është kushtetuese është e lejuar.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR bartjes së shamive në shkolla?

Shyqiri Bytyqi: Edhe kjo është e rregulluar me ligj dhe jam për ligjin.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR kuotës për deputetë nga diaspora?

Shyqiri Bytyqi: Jam për.

KALLXO.com: A je PËR apo KUNDËR ridizajnimit të skemës për veteranët e luftës me të cilën është abuzu?

Shyqiri Bytyqi: Skema pensionale në tërësi do të rregullohet dhe sigurisht edhe kjo pjesë pa dyshim.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR heqjes së kartonit të gjelbër për diasporën?

Shyqiri Bytyqi: Për.

KALLXO.com: Kush po ua financon fushatën?

Shyqiri Bytyqi: Individualisht.

KALLXO.com: Sa vende pune i keni momentalisht dhe sa vende pune keni me i mbajtë gjatë kohës kur jeni deputet/ministër?

Shyqiri Bytyqi: Unë e kam vetëm një vend pune dhe do të vazhdoj të kem vetëm një vend pune.

KALLXO.com: Sa janë të hyrat mujore dhe çfarë pasurie keni?

Shyqiri Bytyqi: Unë kam vetëm pagën që e marrë dhe të ardhurat tjera familjare që janë të prezantuara në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

KALLXO.com: A e keni pasurinë e përbashkët me grune/burrin? Nese jo, a keni me e regjistru bashkarisht?

Shyqiri Bytyqi: Shumicën e kemi bashkë me gruan.

 KALLXO.com: Herën e fundit kur jeni sëmurë, ku jeni shëru, në spital privat apo publik?

Shyqiri Bytyqi: Kohëve të fundit nuk kam pasur ndonjë sëmundje.

KALLXO.com: Ku keni me shku kur të bëheni deputet nëse sëmureni?

Shyqiri Bytyqi: Nëse spitalet publike i ofrojnë shërbimet, sigurisht në spitale publike.

KALLXO.comFëmijët e juaj a janë në shkolla publike apo private ?

Shyqiri Bytyqi: Fëmijët e mi janë në universitete private, të cilët janë para se të vijë unë ministër.

KALLXO.com: Sa familjarë i keni të papunë dhe a keni me i punësu gjatë kohës që e merr mandatin?

Shyqiri Bytyqi: Aktualisht vetëm unë jam i punësuar, djemtë janë në studime, ndërsa gruaja është pa punë. Gruaja ka mbetur pa punë që disa muaj dhe nuk është punësuar në mandatin tim dhe shpresoj që gruaja do të gjej vet punë.

KALLXO.com: Qysh keni me votu për fatin e Trepçës, me u privatizu apo me mbetë nën qeverisjen shtetërore?

Shyqiri Bytyqi: Mendoj që statusi që është bërë tani me ligj është një zgjidhje e mirë dhe mendoj që tani vetëm duhet investuar.

KALLXO.com: Me cilin projekt keni me e kushtëzu votën tuaj për buxhet?

Shyqiri Bytyqi: Unë mendoj që nëse do të vjen një rritje e buxhetit për arsim do të jem pro.

KALLXO.com: Cili ka me qene projekti/puna me te cilen keni me lane gjurme/trashegimia juaj si deputet?

Shyqiri Bytyqi:  Në asnjë moment zëri im nuk do të ndalet nëse do të ketë veprime të cilat janë në jo në përputhje me interesat e qytetarëve dhe të shtetit dhe do të bëjë përpjekje që puna ime të kontribuoj në pozitivitetin e mirëqenies së qytetarëve të Kosovës.

KALLXO.com: Sa pyetje parlamentare keni me i parashtru brenda një viti?

Shyqiri Bytyqi: Unë mendoj që jam person shumë aktiv dhe do të jem aktiv edhe në pyetje.

KALLXO.com: Sa takime me qytetarë keni me i mbajtë gjatë një viti/mandati?

Shyqiri Bytyqi: Jam shumë i hapur dhe besoj se do të jetë numër shumë i madh i takimeve.

KALLXO.com: Makinat më të vjetra se cili vit nuk duhet të lejohen të importohen në Kosovë?

Shyqiri Bytyqi: Mendoj se kjo është çështje e ekspertëve që duhet ta vlerësojnë dhe ato makina që shkaktojnë ndotje, nuk duhet të jenë në përdorim.

KALLXO.com: Sa dëgjime publike keni me i iniciu ne komisionet ku keni me qene pjese?

Shyqiri Bytyqi: Varësisht nga temat e rëndësishme, por jam i gatshëm të inicioj dëgjime publike.

KALLXO.com: A jepni dorëheqje nëse ju ngritët aktakuzë?

Shyqiri Bytyqi: Po.

KALLXO.com: A e votoni rrëzimin e qeverisë nëse kryeministri ka aktakuzë?

Shyqiri Bytyqi: Po.

KALLXO.com:  A e votoni një qeveri që i ka mbi 15 Ministri?

Shyqiri Bytyqi: Nëse ka një konsensus të përgjithshëm po.

KALLXO.com: Sa zv.ministra duhet t’i ketë një ministri?

Shyqiri Bytyqi: E konsideroj të mjaftueshëm një, në disa ministri mund të jenë dy në maksimum.

KALLXO.com: A keni me i votu për anëtarësim në borde të ndërmarrjeve publike & shoqërore njerëzit që nuk i plotësojnë kushtet për emërim?

Shyqiri Bytyqi: Mendoj që kjo duhet të hiqet njëherë e përgjithmonë. Pra, jo.

KALLXO.com: A keni me i bo transparente fondet e partisë?

Shyqiri Bytyqi: Padyshim, besoj që është disponim i krerëve të partisë dhe i Këshillit Drejtues të partisë që duhet të bëhen transparente.

KALLXO.com: A keni me i hape dokumentet/faturat ne kuvend/ministri?

Shyqiri Bytyqi: Sa herë që kërkohet të ketë qasje, patjetër. Gjithçka duhet të jetë transparente.