Gjykimi Politik Si Veprim Politik

Analistët që shprehin mendimet e tyre në kolumne të rregullta, intelektualët që vendosin herë pas here të dalin nga skutat e fildishta dhe të thonë edhe ata mendimin e tyre për aferat e vdekatarëve të zakonshëm që merren me të keqën e pashmangshme—politikën, pra—janë që të gjithë shumë rehat kur japin mendimet e tyre mbi dhe rreth politikës. Kur e bëjnë këtë ata, të orientuar nga paragjykimi demokratik, e shohin vetën duke konsumuar një të drejtë të pakontestueshme që është e pakushtëzuar dhe e mbrojtur si e tillë nga ligje vendore e ndërkombëtare. Shprehja e lirë në shoqëritë demokratike është një e mirë në vetvete dhe ato nuk sanksionojnë kritere ligjore që specifikojnë çfarë është një mendim me vlerë që si i tillë meriton të publikohet dhe çfarë është një që është i pavlerë dhe si i tillë nuk meriton të lexohet a dëgjohet publikisht. Ashtu siç ka një treg të lirë të të mirave materiale, vazhdon argumenti normativ, duhet të ketë edhe një treg të lirë të ideve sepse vetëm kështu mund të përparojë shoqëria e lirë. Rregullimi më i mirë në këtë fushë është vetërregullimi. Dora e padukshme e tregut të lirë të ideve e bënë të pafuqishëm ose eliminon një mendim të pavlerë duke e përqeshur dhe ironizuar atë ose duke mos u marrë fare me të, me ç’rast ia komunikon dënimin me harresë dhe më këtë ia merr çfarëdo fuqie ndikimi që mund të synonte. Pra, opinioni publik duhet të jetë arbitri i fatit të opinionit publik dhe jo ndërhyrja qeveritare dhe kjo për dy arsye kryesore që mund t’i gjesh në traditën e filozofisë politike që ka adresuar çështjen e rregullimit të lirisë së shprehjes. Arsyeja e parë është ajo e etikës racionaliste: ndërhyrja e qeverisë vetëm sa do t’i keqësonte gjërat sepse censura zakonisht krijon heronjë nga horrat dhe viktima nga të guximshmit, duke e katandisur kështu kualitetin e sferës publike si jo më keq; arsyeja e dytë, në anën tjetër, është ajo e etikës liberale: shprehja e lirë është një e mirë në vetvete sepse procesi i shkëmbimit të lirë të mendimeve dhe kritika e vazhdueshme, që është e vetmja rrugë mbretërore drejt së vërtetës, është një proces emancipues që i mëson qytetarit të dallojë mendimin e arsyeshëm nga ai i paarsyeshmi.  

Mund të pajtohemi plotësisht me të dyja mbrojtjet filozofike që i bëhen lirisë së shprehjes—atë racionaliste dhe atë liberale—por prapë të mos jemi plotësisht të kënaqur. Ajo që këto dyja harrojnë të cekin është një cilësi e veçantë që konsumimi i të drejtës së shprehjes së lirë e merr në terren politik e që Hegeli e kuptonte shumë mirë:  konsumimi i kësaj të drejte në politikë përbën një veprim politik. Dikush mund ta gjykojë këtë që kam shkruar këtu si të papërshtatshme a të paarsyeshme, dhe pa marrë parasysh sesa i (pa)arsyeshëm është, ky gjykim do të ishte brenda fushës së të kuptueshmës. E njëjta gjë nuk do të vlente, ta zëmë, po që se i njëjti gjykim do bëhej mbi një libër që flet për shkaktarët e sëmundjeve të zemrës. Dija politike është e ndryshme në karakter nga dija e shkencave natyrore dhe prandaj edhe natyra e gjykimit që mund të bëhet në këto dy fusha ndryshon esencialisht. Nëse në fushën politike kur gjykojmë flasim për të papërshtatshmen a të paarsyeshmen, në fushat e shkencave natyrore kur bëjmë të njëjtën flasim, më parë dhe më shpesh, për të pasaktën a të pavërtetueshmën.  Ky ndryshim cilësor ka dy pasoja të rëndësishme për gjykimin në terren politik. Së pari, ai është në të njëjtën kohë edhe veprim; dhe së dyti, e për pasojë, ai kurrë s’mund të jetë vetëm një mendim i pafajshëm.

Të gjykosh politikisht do të thotë të veprosh sepse çdo gjykim politik i ndryshon—duke i cilësuar—faktet mbi të cilat gjykon. Kur dikush vendos të gjykojë një veprim politik, ta zëmë, si të papërshtatshëm ose të paarsyeshëm, ai ka cilësuar faktet sipas një pikëvështrimi të caktuar. Këto fakte janë modifikuar duke u interpretuar sipas një kornize konceptuale dhe si rezultat është nxjerrur një gjykim. Prandaj, faktet nuk janë kurrë vetëm fakte në politikë dhe të gjykosh politikisht do të thotë të krijosh një fakt të ri që nuk ekzistonte para gjykimit dhe kjo është edhe mënyra më politike e intervenimit në një kontekst të caktuar shoqëror. Për pasojë, gjykimi politik nuk është kurrë i pafajshëm. Ai asnjëherë nuk është vetëm një mendim dhe asgjë më shumë. Fakti që është shprehur në një medium disi të papërcaktueshëm ose kalimtar ose të pazararshëm—pra, fakti që është vetëm një fjalë goje ose vetëm një opinion—nuk e anulon karakterin substancial të gjykimit. Përkundrazi. Sidomos në terren politik, duhet të jemi shumë të vëmendshëm ndaj karakterit substancial të mendimit të shpehur publikisht, dhe në këtë mes, gjykim politik që është në gjendje të krijojë një fakt politik nuk është domosdoshmërisht vetëm gjykimi i studentëve të kualifikuar ose profesionistëve të politikës. Përkundrazi. Lidhja e ngushtë mes analizës dhe synimit që e karakterizon gjykimin politik është aty edhe tek shprehja e lirë e mendimit të një qytetari që nuk e ka profesion politikën. Edhe kur lexojmë një kolumne politike në gazetë, marrim pjesë në një mbledhje politike, ose flasim me fqinjin për politikën, jemi duke gjykuar dhe vepruar politikisht, në një formë ose tjetrën.

Kjo nuk është për të thënë që intelektuali dhe kolumnisti nuk kanë përgjegjësi më të madhe kur veprojnë duke gjykuar politikisht. Rexhep Qosja, humanisti i njohur i letrave tona, doli para ca ditësh nga biblioteka e tij për të shprehur mendimin e tij në lidhje me opozitën e vendit. Hera e fundit që e kisha dëgjuar të prononcohej publikisht kishte qenë tek intervista që i kishte dhënë para ca muajsh emisionit SHQIP të Rudina Xhungës, ku kishte folur kryesisht për krizën politike në Shqipëri. Nga biblioteka e tij në Prishtinë Qosja tingëllonte goxha i kthjellët tek po analizonte krizën politike në Tiranë. Në një pikë gjatë emisionit, ai tregon se çfarë, sipas tij, e bënë dallimin mes fashistëve dhe komunistëve. Të parët thotë Qosja, manipulojnë estetikisht me pasionet dhe emocionet, frikërat dhe ankthet, e popullit; ata nuk synojnë t’i ofrojnë program emancipues popullit, përkundrazi duan ta lënë nivelin e gjykimit politik të tij aty ku është duke manipuluar për qëllime vulgare me elementet emocionalë të tij. Në anën tjetër, vazhdon Qosja, komunistët (ose të majtët në përgjithësi) gjithmonë i ka shquar ideali dhe programi emancipues politik që i kanë ofruar popullit; për dallim nga fashistët, vazhdonte Qosja në bisedë me Xhungën, këta kanë punuar dhe synuar gjithmonë që t’ia ofrojnë popullit programin emancipues që jo vetëm do përmirësonte gjendjen e tij politike dhe ekonomike, por edhe do edukonte vetëdijen e tij të përgjithshme shoqërore.

Nuk mund të pajtohesha më shumë me Qosjen mbi këtë pikë, sidomos kur flasim për fashizmin dhe komunizmin si tipe ideale, ashtu siç po bënte edhe vetë Qosja në atë intervistë. Ndonëse ka mënyra të shumta për të tërhequr vijën që ndan fashistët nga komunistët, këndi nga i cili Qosja ka vendosur të kapë këtë dallim—pra, stili argumentativ (optika e kritikës letrare definitivisht do ketë ndihmuar këtu)—është shumë i vyeshëm edhe analitikisht dhe kjo më mbeti në kujtesë. Kur para disa ditësh lexova prononcimin e Qosjes mbi opozitën në Kosovë—ai kishte deklaruar që “nëse duan, le ta bëjnë luftën LDK-ja dhe Vetëvendosja” — m’u kujtua menjëherë dallimi që Qosja kishte bërë në intervistën për emisionin SHQIP. Më saktë, m’u kujtuan katër fjalët kryesore që kishin mbetur si asociacione në kokën time: fashistët dhe estetika, në njërën anë, dhe komunistët dhe emancipimi, në anën tjetër. Të parët, fashistët, duan t’i ftojnë qytetarët të gjykojnë si qenie estetike duke vënë në përdorim, para së gjithash, emocionet dhe shqisat e tyre estetike, përderisa të dytët duan t’i ftojnë të njëjtët të gjykojnë si qenie racionale duke vënë në përdorim arsyen e tyre politike. Po Qosja si po gjykonte kur po deklaronte, para ca ditësh, “luftën le ta bëjnë LDK dhe Vetëvendosje”? A nuk po manipulonte me figura letrare (mjetet e zanatit të tij që i zotëron kaq mirë) duke bërë dy hapa që synojnë pikërisht manipulim emotiv dhe krijim qarqesh të shkurtëra në mendjet e njerëzve, por kurrsesi jo angazhim të arsyes së tyre: 1) Qosja po evokonte metaforën e luftës për të frikësuar popullin nga aktiviteti opozitar, dhe 2) duke i bashkërenduar në një fjali LDK‘në dhe Vetëvendosjen (ç’kritik letrar i shkëlqyeshëm që është!), po sugjeronte, kontra arsyes së qytetarit edhe më të painteresuar për politikën, që këto të dyja kanë diçka të përbashkët. Sipas vetë Qosjes, fashistët janë mjeshtrit më të mëdhenjë mu në këtë lloj stili të argumentimit.

Fashizmi u bë temë e gjithëpranishme këto ditë në Kosovë si pasojë e deklaratës së ambasadorit francez, i cili, poashtu, ishte brenda për brenda paradigmës formalo-stilistike fashiste të argumentimit, të definuar sipas humanistit Qosja. Ai evokoi fashizmin për të manipuluar emocionalisht me publikun duke dashur kështu të lëçis ata të cilët po përdornin të drejtën e tyre për shprehje të lirë për t’i kërkuar llogari një zyrtari publik në një forum universitar ku kjo e drejtë do duhej të ishte më e mbrojtura. Ndonëse një pjesë e mirë e opinionit publik—edhe pse edhe këtu pati, çuditërisht, disa përjashtime—e quajti të padrejtë këtë kualifikim të ambasadorit francez, është shumë domethënëse sesi pothuajse pjesa dërrmuese e kolumnistëve nuk harronin që, megjithatë, veprimet e Vetëvendojes t’i quanin “të tepruara” ose “jo të bukura”.  Të paaftë të adresojnë racionalisht argumentin, veprimin ose gjykimin politik të Vetëvendosjes analistët e intelektualët janë duke iu kthyer gjykimit estetik, thuajse Vetëvendosja po vepron politikisht për të marrë bekimin estetik të tyre, e jo për të bërë një argument racional politik që kërkon të ndryshojë gjendjen në terren përmes vetëdijësimit popullor. Kush po imiton stilin fashist të argumentimit atëherë? Qosja defintivisht di të gjykojë më mirë, por nuk do ta bëjë këtë. Pse?