BE Dërgon Zbogarin në Kosovë

Ministri i Jashtëm në largim i Sllovenisë, Samuel Zbogar është emëruar përfaqësues special i Bashkimit Evropian në Kosovë.

Burime nga Ministria e Jashtme e Sllovenisë ia kanë konfirmuar lajmin agjencisë sllovene të lajmeve STA.

“Lajmërimi zyrtar për emërimin pritet të bëhet në Bruksel, të  mërkurën”, shkruan STA.

Zbogar do të zëvendësojë në këtë post përfaqësuesin aktual të BE-së, Fernando Gentilini, të cilit i skadon mandati në janar.

Kryediplomati slloven në largim ka konfirmuar më herët se ka aplikuar për këtë post, duke shpresuar se përvoja diplomatike dhe politike në rajon do të kontribuojë edhe në aktivitetet e BE-së në Kosovë.