Banka Botërore paralajmëron rrezikun e recesionit për shkak të luftës në Ukrainë

Sipas Bankës Botërore, vendet më pak të zhvilluara në Evropë dhe Azinë Lindore përballen me një “recesion të madh”  pasi lufta e Ukrainës i ka goditur ekonomitë tashmë të tronditura nga pandemia Covid-19.

Rreziku i inflacionit të lartë dhe rritjes së ulët – i ashtuquajturi “stagflacion” – është gjithashtu më i lartë, deklaroi presidenti i Bankës Botërore, David Malpass.

Faturat e energjisë dhe ushqimit janë rritur në mbarë botën.

“Lufta në Ukrainë, bllokimet në Kinë, ndërprerjet e zinxhirit të furnizimit dhe rreziku i stagflacionit po e godasin edhe më shumë rritjen. Për shumë vende, recesioni do të jetë i vështirë për t’u shmangur”, tha Malpass.

Ai paralajmëroi gjithashtu në raportin e Bankës Botërore për Perspektivat Ekonomike Globale për qershorin se rreziku i stagflacionit është “i konsiderueshëm”.

“Rritja e ulët ka të ngjarë të vazhdojë gjatë gjithë dekadës për shkak të investimeve të dobëta në pjesën më të madhe të botës. Me inflacionin që tani shkon në nivelet më të larta shumë dekadash në shumë vende dhe oferta pritet të rritet ngadalë, ekziston rreziku që inflacioni të mbetet më i lartë për kohë më të gjatë.

Gjithashtu të martën, Banka Botërore miratoi 1.49 miliardë dollarë fonde shtesë për Ukrainën, të cilat tha se “do të përdoren për t’i paguar pagat për qeverinë dhe punonjësit socialë”.

Rritja e kostove të ushqimit dhe energjisë kërcënon me mjerim dhe vështirësi për vendet më të cenuara.

Shtetet në Evropë që kanë më shumë gjasa të pësojnë një rënie të mprehtë të prodhimit ekonomik në vitin 2022 janë Ukraina dhe Rusia, parashikon Banka Botërore.

Por ai paralajmëroi se pasojat nga lufta dhe pandemia Covid do të ishin më të gjera.

“Edhe nëse shmanget një recesion global, stagflacioni mund të vazhdojë për disa vite – nëse nuk vihen në lëvizje rritje të mëdha të ofertës,” tha Malpass.

Midis viteve 2021 dhe 2024, rritja globale parashikohet të ngadalësohet me 2.7 pikë përqindjeje, më shumë se dyfishi i ngadalësimit që pati midis 1976 dhe 1979, kur bota pa për herë të fundit stagflacion, shtoi tutje Malpass.

Raporti i lartcekur paralajmëroi se rritja e normave të interesit të nevojshme për ta kontrolluar inflacionin në fund të viteve 1970 ishin aq të pjerrëta, saqë ato prekën një recesion global në vitin 1982 dhe një varg krizash financiare në tregjet në zhvillim dhe ekonomitë në zhvillim./BBC