Takimet e "fshehta" të krerëve

Zhvillimet politike në vend për taksën ndaj Serbisë dhe dialogu ka bashkuar edhe sot në dy takime liderët e shtetit. Por në dallim prej takimit të djeshëm, në takimin e mëngjesit të sotëm prezent ishte edhe ambasadori amerikan, Philip S. Kosnett.

Ndërsa në orët e vona, është mbajtur edhe një takim mes kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, kryeparlamentarit, Kadri Veseli, presidentit, Hashim Thaçi, zëvendëskryeministrit, Behgjet Pacolli si dhe kryesuesëve të ekipit negociator në dialogun me Serbinë, Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti.

Në takimin të mbyllur për media, i pari që doli nga takimi i mëngjesit ishte parë ambasadori S. Kosnett, i cili nuk tregoi se për çfarë u bisedua aty.

Kosnett largohet nga takimi me krerët e shtetit

Kurse, presidenti Hashim Thaçi, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli shfrytëzuan homazhet tek shtatorja e Zahir Pajazitit në 22 vjetorin e rënies së tij, që të japin pak detaje se cila ishte tematika e këtij takimi.

I pari që ishte aty, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se u është kërkuar që t’i jepet shans vazhdimit të dialogut Kosovë-Serbi dhe shtoi se nuk e kupton se pse dialogu ndërlidhet me heqjen e taksës ndaj produkteve serbe.

“Na kërkohet t’ia japim shansin dialogut, na kërkohet edhe nga ambasadori amerikan  dhe prej të gjithëve. I dëgjojmë me kujdes këto mendime. Dëshira jem është me pa dialogun të vazhdojë, por e thash edhe një herë por nuk e kuptoj pse  ndërlidhet vazhdimi i dialogut me një temë që është e Kosovës”, tha kryeministri.

Haradinaj shtoi se heqja e taksës për t’i dhënë dialogut rrugë, kanë dallime.

“Edhe unë jam për me vazhdu dialogu, por nuk dua t’i ndërlidh temat. Vendosja e taksës ndaj Serbisë është vendim sovran i qeverisë së Kosovës”, u shpreh Haradinaj.

Haradinaj pas takimit me Kosnett: S’e kuptoj pse lidhet dialogu me heqjen e taksës

Pak orë pas tij tek shtatorja e Zahir Pajazitit shkoi, presidenti  vendit, Hashim Thaçi ku tha se nuk do të lejojë që asnjë agjendë politike të shkatërrojë partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ai takimin e sotëm me liderët e tjerë dhe ambasadorin amerikan në Kosovës, Philip Kosnett e ka cilësuar si takim që i kontribuon fuqizimit të marrëdhënieve me ShBA-në.

“Takime të tilla ndodhin shpesh, janë takime të rregullta edhe me ambasadorin e ShBA-së edhe me bartësit e institucioneve të vendit dhe liderët politik në përkushtimet që i kemi për një koordinim edhe më të mirë në agjendat që kemi para nesh si bartës të institucioneve. Kosova është dhe do të mbetet mik i përjetshëm i Amerikës, dhe nuk ka individë apo agjendë ditore që do ta sfidojë këtë partneritet, as sot as kurrë”, tha ai.

Thaçi: Kosova mik i përjetshëm i Amerikës, s’ka agjendë e as person që e sfidon këtë

Ndërsa, kryekuvendari, Kadri Veseli ndau të njejta fjalë si presidenti Thaçi, se partneriteti me Amerikën është qëllimi kryesor i Kosovës.

“Gjithë orientimi ynë përpjekja jonë është e qartë, ta mbrojmë atë të cilën e kemi deri më sot, shteti ynë i pavarur dhe t’i ruajmë partnerët tanë stragjetik, SHBA-të dhe përndimorët. Kjo është ajo që po e bjëmë, të jenë të sigurtë qytetartët tanë se sovriantetit dhe shteti mbrohen përmes politikave të cilat janë të mençura, të qarta komëbtare të cilat jemi duke i mbajtur. SHBA janë vetë Kosova, ne jemi një aty ku është Amerika dhe anasjelltas”, tha Veseli.

Ndërsa, në orët e vona presidenti Hashim Thaçi, ka shkruar një status në profilin e tij në Facebook duke njoftuar për takimin e mëngjesit, por jo për takimin e mbrëmjes duke thënë se në ditët në vijim pret vendimmarrje të përgjegjshme nga liderët.

“Në këto takime kemi biseduar për çështje të rëndësishme shtetërore, për ruajtjen e partneritetit të përjetshëm me SHBA-në dhe për procesin e dialogut Kosovë-Serbi. Interesi shtetëror duhet të bëjë bashkë gjithë spektrin politik, për të marrë vendime të rëndësishme për perspektivën e qytetarëve dhe për të ardhmen tonë euroatlantike, në përputhje me interesat e SHBA-së dhe partnerëve strategjikë të Kosovës”, ka shkruar ai.

Thaçi: Ditët në vijim, pres vendimmarrje të përgjegjshme

Në lidhje takimin mes krerëve të shtetit dhe Kosnett në media po ashtu u lansua një lajm i Radio Televizionit të Kosovës me burime të saj, ku thuhej se ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip Kosnett, ka përplasur derën pas takimit me liderët institucional të mbajtur mëngjesin e sotëm.

Këtë gjë e ka quajtur të pavërtetë shefi i kabinetit të kryeministrit Ramush Haradinaj, Avni Arifi, i cili ka qenë prezent në atë takim.

“Nuk dua ta komentoj takimin, por mund të konfirmoj se diçka e tillë nuk ka ndodhur”, tha Arifi për KALLXO.com.

Në lidhje më këtë KALLXO.com ka tentuar të marrë përgjigje edhe nga Presidenca e vendit, por këta të fundit nuk kanë dhënë përgjigje.

Avni Arifi: Lajmi për përplasjen e derës nga Ambasadori Kosnett është i pavërtetë

Krerët e shtetit po ashtu edhe gjatë ditës së djeshme kanë pasur një takim, ku edhe ky ishte i mbyllur për media.

Për këtë takim kishte njoftuar Zyra e Kryeministrit përmes një komunikate për media.

“Takimin e sotëm të liderëve të partive të koalicionit qeverisës, u diskutua për zhvillimet e fundit politike në vend, për funksionimin e institucioneve, përmbushjen e agjendës qeverisëse dhe legjislative, me theks të posaçëm aprovimin e Buxhetit 2019, pakon e ligjeve përcjellëse, platformën e dialogut dhe çështjen e taksës”, ishte thënë në këtë njoftim.

Haradinaj tregon se çka u bisedua në takimin e liderëve të partive të koalicionit

Së fundmi krerët e shtetit kanë pasur mosmarrëveshje rreth taksës ndaj produkteve serbe të vendosur nga Qeveria Haradinaj muaj më parë.

Haradinaj po refuzon të heq taksën prej 100 për qind, duke i dalë kundër kërkesës së SHBA-së, që kërkuan heqjen e saj ditë më parë.

Nga ana tjetër presidenti Thaçi kërkon që taksa të hiqet. Edhe kryeparlamentari Veseli, ndonëse e kishte përkrahur Haradinajn për vendimin rreth taksës dhe thoshte se ishte idea e tij, tani është duke kërkuar pezullimin e saj.