Ndryshimi i kontekstit të deklaratës së Blerim Rekës

Ministri i Integrimeve Evropiane, Blerim Reka, të enjten e 5 marsit ishte i ftuar në Emisionin ‘Jeta në Kosovë’.

Gjatë intervistës së tij, Reka foli edhe për ulësen e Kosovës në OKB dhe marrëveshjen përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Ai deklaroi se nëse në marrëveshjen përfundimtare është caku që Kosova ta fitojë ulësen në OKB, duhet të shikohet se cili është kompensimi apo ‘flijimi’ i Kosovës, se çka duhet të japë Kosova për atë ulëse.

Në pyetjen e gazetares Jeta Xharra, se nëse vet ministri Reka i do t’i drejtonte negociatat dhe i thuhet “ju duhet me i dhënë diçka Serbisë, nëse doni ulëse në OKB”, Ministri Reka deklaroi se e ka një ide personale në lidhje me këtë çështje.

“Po. Në vend të kësaj që po flitet, apo po kualifikohet kinse duhet me i dhënë territor Serbisë, unë e kam një ofertë tjetër. Ne mund t’ia japim korridorin transit Serbisë, për dalje në detin Adriatik përmes Kosovës, përmes autostradës së Kosovës, në Durrës dhe më duket që është kompromis ‘fer’ për Serbinë. Por nuk mund tani të tregtojmë ulësen në OKB për pjesë të territorit të Kosovës, që është tepër shumë ,por nuk është as pak, nëse japim qasje”, deklaroi Reka.

Ai tha se Serbia pas prishjes së marrëdhënieve me Malin e Zi e ka të pamundur daljen në portin e Tivarit dhe se me anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO, do ta ketë të vështirë daljen në Selanik.

“Për të (Serbinë) do të jetë shumë më e lehtë dhe këtu e kam parasysh iniciativën e Berlinit 2014 dhe të Merkelit për një autostradë apo një korridor rrugor që do ta lidhte Serbinë me detin Adriatik, Durrësin. Dhe ky është një kompromis jashtëzakonisht i madh që po e bën Kosova”, deklaroi Reka.

Pas kësaj deklarate të ministrit Reka, reagoi menjëherë opozita duke e quajtur këtë ide shqetësuese dhe të rrezikshme.

“Partia Demokratike e Kosovës e konsideron tepër shqetësuese dhe të rrezikshme idenë e promovuar nga Qeveria e Albin Kurtit, përkatësisht Ministri i tij Blerim Reka, me të cilën do t’i bëhej një favor jashtëzakonisht i madh shtetit serb, ndërsa do të rrezikohej ekzistenca e shtetit të Kosovës. Si kompromis për marrëveshjen përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, Ministri i Vetëvendosjes ka propozuar që Serbisë t’i hapet korridori për daljen në Detin Adriatik”, thuhej në reagimin e PDK-së, përmes një komunikate.

Sipas PDK-së, kjo ide e ministrit është rehabilitim i të gjitha përpjekjeve historike serbe. PDK-ja e kërkoi dorëheqjen e ministrit Reka.

Ndaj kësaj deklarate reagoi edhe ish kryeministri Ramush Haradinaj, duke thënë se Reka ka propozuar kompromisin me Serbinë, kthimin e Kosovës në Serbi dhe hapja e rrugës që Serbia të futet në Shqipëri.

“Kjo ofertë e dytë shkatërruese i mundëson Serbisë që të futet në shqiptari dhe të realizojë ëndrrën e tyre shekullore për të pushtuar tokat e arbërit. Ky Ministër duhet menjëherë të japë dorëheqje para se t’i kërkohet ajo. Këto deklarata dhe sjellje të rrezikshme politike të Qeverisë së Mashtrimit, njëherë me heqje të taksës e tash me ofertën e qasjes në Adriatik, prodhojnë pasoja të nënshtrimit dhe kapitullimit politik”, kishte shkruar të shtunën në ‘Facebook’, ish kryeministri Haradinaj.

Më pas reagoi edhe vetë ministri Reka, duke thënë se opozita deklaratën e tij në ‘Jeta në Kosovë’, e kishte nxjerrë nga konteksti dhe vetëm pjesa e dytë e përgjigjes.

“Pas përgjigjes sime se nuk mund të përgjigjem në pyetje hipotetike, por assesi askush nuk guxon të jap territor për ulësen në OKB, sepse integriteti territorial është i panegociueshëm; në insistimin e gazetares se çka atëherë mund të japim për atë ulëse në OKB, thashë ndoshta si ide eventuale qe t’i lejojmë Serbisë kalimin tranzit nëpër autostradën tonë për detin Adriatik. Pra, diçka që edhe deri tash i është lejuar Serbisë dhe që është ngritur si ide edhe në kuadër të Procesit të Berlinit që nga viti 2014”, thuhej në reagimin e Rekës.

Lidhja e Autostradës Durrës – Prishtinë me qytetin e Nishit në Serbi, përkatësisht korridorin e X- Autostrada që lidh Selanikun me Beogradin është përmendur që nga viti 2014, kur ka nisur procesi i Berlinit për vendet e Ballkanit.

Ish-ministri i Infrastrukturës në Qeverinë e Kosovës, Lutfi Zharku kishte thënë se Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim ishte duke e bërë një studim të fizibilitetit për vazhdimin e Autostradës Ibrahim Rugova nga Besia në Merdare për t’u lidhur me Autostradën që kalon nëpër Preshevë.

“Autostradën deri në Prishtinë e kemi përfunduar. Ka mbetur pjesa Besi – Merdare ajo që pritet të financohet. Por, dallimi është se shtetet vetë duhet të zotohen se vetë do të financojnë. Se sa është masa e financimit nga Bashkimi Evropian ajo nuk është vendosur, sepse 1 miliard euro janë për gjithë Ballkanin”, tha Zharku.

Ministri Pal Lekaj në një prononcim për Indeksonline më 26 maj 2018 ka thënë se ndonëse ky projekt e ka rëndësinë e vet, punimet serbe me ato të Kosovës janë krejtësisht të ndara.

“Ky projekt e ka rëndësinë e vet për lidhjen e Kosovës me korridorin X, i cili është pjesë e procesit të Berlinit, por si projekte praktike janë të ndara dhe nuk kemi të përbashkët thuajse asgjë më atë se si do ta zhvillojë Serbia këtë projekt”, ka thënë Lekaj.

Ndërsa, për pjesën e kësaj autostrade në Kosovë, Lekaj ka treguar se në vjeshtë të këtij viti do të jetë gati projekti.

“Sa i përket pjesës tonë, deri në vjeshtë ne e kemi gati projektin për këtë autostradë nga Besia deri në Merdar. Pastaj ne nga momenti kur ta kemi projektin do të dimë kur do te fillojë e kur do të përfundojë kjo autostradë”, ka shtuar Lekaj.

Ky artikull është punuar nga Internews Kosova nga Prishtina dhe është botuar në bashkëpunim me Fondacionin Metamorphosis në Shkup, Maqedoni e Veriut, në kuadër të projektit të tyre Fuqizimi i Standardeve të Përmirësuara të Mediave, implementuar nga Fondacioni Kombëtar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (National Endowment for Democracy – NED).