Aleksander Llukashenko: Diktatori i fundit i Evropës

Protesta të shumta në Bjellorusi po zhvillohen për më shumë se 12 ditë, si presion ndaj Aleksander Lukashenkos, presidentit shumëvjeçar të Bjellorusisë, për të dhënë dorëheqjen e tij. Llukashenko e ka vazhduar udhëheqjen e tij 26-vjeçare në zgjedhjet e fundit të mbajtura më 9 gusht, mirëpo opozita bjelloruse refuzon pranimin e rezultateve me arsyen se ato zgjedhje janë  manipuluar.

Demonstratat paqësore janë sfiduar me një sulm të ashpër të policisë, mijëra qytetarë bjellorus janë arrestuar.

Njëkohësisht, pas gati dy javë protestash, Llukashenko nuk po shfaq asnjë shenjë të dorëheqjes, ka deklaruar se nuk do të lejojë mbajtjen e zgjedhjeve të reja dhe është zotuar se do ti shtypë me forcë protestat gjatë ditëve të ardhme.

Udhëheqësja opozitare në Bjellorusi, Svetlana Tikhanovskaya është zotuar të “mos dorëzohet deri në fund” duke protestuar në lidhje me zgjedhjet aq të diskutueshme  si dhe me dhunën që ka rezultuar më pas. Përmes një deklarate dhënë BBC-së, ajo ka thënë se “ nëse protestat do të ndaleshin tani, bjellorusët do të bëheshin “skllevër” në të ardhmën.

Zonja Tikhanovskaya doli si kandidatja kryesore opozitës, duke tërhequr turma të mëdha pas vetës gjatë fushatës zgjedhore.

Mirëpo ajo u detyrua të largohet në Lituaninë fqinje një ditë pas zgjedhjeve të 9 gushtit, duke thënë se kishte frikë për sigurinë e saj dhe të familjes së saj pasi Z. Lukashenko u shpall zyrtarisht fitues me një shumicë të madhe votash. Ajo ka thënë se do të kthehet në Bjellorusi atëherë kur të ndihet e sigurt për veten dhe familjen e saj.

Javën e kaluar rreth 200,000 protestues anti-Lukashenko mbushën qendrën e Minskut, kryeqytetin bjellorus, dhe shumë  greva masive po vazhdojnë në të njëjtën kohë.

Ditëve në vijim, Bjellorusia do të vazhdojë me organizimin e protestave, në të cilat pritet të kundërshtohet vendimi i presidentit Aleksandar Lukashenko, i cili ditë më parë urdhëroi forcat e armatosura që të qëndrojnë në gatishmëri, për të mbrojtur kufijtë perëndimor të vendit të ti.

Mbi 7,000 protestues janë arrestuar dhe qindra të tjerë janë rrahur nga policia. Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë kritikuar procesin zgjedhor dhe kanë dënuar brutalitetin e përdorur nga autoritetet ndaj protestuesve.

Kush është Aleksandër Llukashenko?

Aleksander Llukashenko sundon me Bjellorusinë tash e 26 vjet si presidenti me mandatin më të gjatë në Evropë. Mirëpo, ditëve të fundit Llukashenko është vënë në qendër të vëmendjes botërore sikurse asnjëherë më parë në karrierën e tij politike.

Në zgjedhjet e 9 gushtit 2020, sipas të dhënave nga Komisioni Republikan i Zgjedhjeve, Llukashenko ka marrë 80% të votave të përgjithshme. Të paknaqur me rezultatet, mijëra njerëz janë shfaqur në rrugët e Bjellorusisë duke provokuar protesta masive të tilla çfarë Bjellorusia nuk i ka parë asnjëherë qysh nga shpërbërja e ish Bashkimit Sovjetik.

Shumë njerëz e parashikojnë fundin e tij të shpejtë ndërkohë që shumë të tjerë thonë se Llukashenko është akoma i fortë për tu dorëhequr.

Ekzistojnë shumë pyetje në lidhje me atë se çfarë në të vërtetë përfaqëson Aleksander Llukashenko. Disa e cilësojnë si “babain e kombit”, si adhurues të sportit të hokejit, si një njeri me një karizëm populist. Po ashtu njihet edhe si lideri i fundit i “oazës së fundit staliniste në Evropë”, ku opozita liberale përmbyset dhe ngulfatet dhe mediat cenzurohen.

Llukashenko konsiderohet si kampion evropian me fitore në zgjedhje. Pas vetes mban gjashtë fitore, prej të cilave vetëm zgjedhjet e para konsiderohen si të rregullta dhe demokratike. Qysh prej asaj fitoreje të parë në vitin 1994, bota ka përjetuar ndryshime të jashtëzakonshme mirëpo pozita e Llukashenkos në ulësen e presidentit, si rrallë ndonjë tjetër, ka mbetur e paprekur.

Ka mendime të ndryshme në lidhje me atë se si ka arritur Llukashenko që të mbizotërojë në pushtet për kohë aq të gjatë në një vend me burime të varfra dhe me një mjedis të rrezikshëm gjeopolitik. Disa janë të mendimit se fuqia e tij qëndron në “grushtin e hekurt” dhe refuzimin e patundur për ndryshime, mirëpo kur shikohen gati tre dekada të sundimit të Llukashenkos, mund të vërehet se këmbëngulja e tij ishte shumë fleksibile dhe se ai me dinakëri e ktheu vendin e tij në një vend shembullor të autoritarizmit adaptiv.

Llukashenko lindi me 30 gusht 1954, në një fshat të varfër në Bjellorusinë lindore. Ai u rrit vetëm me nënën e tij. Puna e tij e parë ishte kultivimi i tokës në një kolkhoz (fermë kolektive në ish BRSS), por kjo nuk ishte e mjaftueshme për një të ri ambicioz, kështu që ai së pari mori diplomën e një mësuesi, dhe më vonë u pajis edhe me një diplomë në agroekonomi në Fakultetin e Bujqësisë. Ai shërbeu në ushtri për dy vjet, dhe u bë anëtar i Partisë Komuniste të BRSS në 1979.

Ngritja politike e Llukashenkos  fillon në vitin 1990 kur zgjidhet deputet. Paraqitjet e tij energjike kanë qenë ndihmesë e madhe për të që ai të zgjedhet për Kryetar të Komitetit në luftë kundër korrupsionit, andaj kjo e shtyri popullin bjellorus që tek Llukashenko ta shohë një avokues kundër vjedhjes dhe padrejtësive.

Në referendumin e vitit 1991, shumica e qytetarëve bjellorusë kanë votuar kundër shpërbërjes se Bashkimit Sovjetik dhe që nga atëherë janë përpjekur për arritjen e  stabilitetit në vendin e tyre. Llukashenko e ka shfrytëzuar këtë situatë dhe në vitin 1994 në mënyrë befasuese ka fituar në zgjedhjet presidenciale – ka qenë deputeti i vetëm i cili shpërbërjen e ish Bashkimit Sovjetik e ka përshkruar si katastrofën më të madhe të shekullit 20 dhe ka premtuar se nuk do të lejojë “privatizimin plaçkitës” për të cilën kishin frikë bjellorusët, sepse në shumicën e ish republikave sovjetike kishin ndodhur shitjet e pronave shtetërore.

Për dallim prej shumicës së republikave sovjetike të cilat kishin kërkuar ose ti dëbonin ose ti asimilonin rusët, Llukashenko i dha gjuhës ruse statusin zyrtar përmes një referendumi të mbajtur në vitin 1995. Me këtë filloi edhe kursi kulturor, ekonomik dhe politik i afrimit me Rusinë i cili, me pak ndryshime gjatë viteve të fundit, po vazhdon edhe në ditët e sotme.

Pas kësaj, pasuan vite të prosperitetit relativ, që ishte një pasojë e subvencioneve bujare ruse dhe për shkak të së cilës shumica e bjellorusëve e toleruan me pasion regjimin e Llukashenkos. “Kontrata e tij sociale” mbështetet në rritjen e vazhdueshme ekonomike dhe shpërndarjen më të mirë të pasurisë, por ai model, e bashkë me të edhe sundimi i tij, është i paqëndrueshëm në mungesë të subvencioneve për naftë dhe gaz të lirë nga Rusia.

Viti i parë i sundimit të Llukashenkos u karakterizua me sloganin “as majtas, as djathtas, por me popullin”, dhe po i njëjti popull i dha atij pseudonimin “ baçka” që nënkupton Baba. Me stil të një lideri “baba i kombit” ai ka mbetur besnik edhe sot e kësaj dite.

Kur thuhet se Llukashenko në republikën e tij e ka krijuar një lloj “bashkimi mini-sovjetik” kjo kryesisht i referohet sektorit relativisht të suksesshëm industrial dhe bujqësor që përfiton nga mbështetja e shtetit. Sidoqoftë, i referohet gjithashtu anëve më të errëta të sundimit të tij, të cilat përveç atyre që janë cekur si më lartë, siguruan jetëgjatësinë e tij si lider shteti.

Llukashenko me shumë sukses e ka zhvilluar një regjim të personalizuar autoritar, i cili mbështetet në shërbimin inteligjent të KGB, i cili në Bjellorusi edhe sot e mban të njëjtin emër sikurse dikur në Bashkimin Sovjetik.

Ai shpejt vendosi themelet e një sistemi të tillë duke mbajtur një referendum kushtetues në vitin 1996, përmes të cilit mandati i tij presidencial u vazhdua deri në vitin 2001. Pastaj pasoi një referendum, i cili e hoqi kufizimin kushtetues në numrin e mandateve presidenciale.

Dekretet e Llukashenkos u mveshën me fuqinë e ligjit dhe ai praktikisht e mori kontrollin e plotë mbi buxhetin e shtetit. Me fuqi të tilla, ai vendosi lehtësisht kontroll personal mbi të gjitha institucionet kryesore – gjyqësorin, komisionet zgjedhore, sindikatat, ushtrinë, policinë, mediat dhe shumë sektorë të tjerë.

Ai përzgjedh dhe mban zyrtarët në bazë të besnikërisë së tyre personale ndaj tij, dhe ata kanë mësuar të mos ekspozohen në publik. Ai ka shmangur formimin e një partie në pushtet, një politikëbyroje, apo çfarëdo forme institucioni që do të rrezikonte pushtetin e tij.

Parlamentit bjellorus i është marrë fuqia në vitin 2016 ndërkohë që një opozitë e lehtë properëndimore është toleruar mirëpo, si e tillë, është në një kontroll të rreptë nga Llukashenko. Kundërshtarët politikë të cilët paraqesin rrezikun real ndaj Llukashenkos janë ose në arrati, prapa grilave apo janë zhdukur pa ndonjë gjurmë. Asnjëherë nuk është lejuar formimi i një opozite proruse.

Në këtë mënyrë, presidenti bjellorus e ka fituar nofkën si “diktatori i fundit në Evropë” ndërkohë që vendi i tij është dënuar me sanksione nga Bashkimi Evropian.

Sidoqoftë, ajo kohë ka kaluar që nga viti 2014 dhe aneksimi rus i Krimesë. Në atë kaos, Llukashenko zgjodhi të mbetet neutral, gjë që i solli atij një reputacion ndërkombëtar dhe pjesë të negociatave për Ukrainën lindore në Minsk.

Tutje, Llukashenko i ka liruar disa aktivistë të opozitës, duke i hapur kështu rrugën heqjes së sanksioneve të BE-së në vitin 2016. Sidoqoftë, Bjellorusia ka mbetur larg demokracisë. Sipas përfaqësuesit special të KB në Bjellorusi, të drejtat e njeriut vazhdojnë të shkelen rregullisht atje.

Ndërkohë që Llukashenko iu afrua Perëndimit, presioni i Rusisë për integrim më të madh rritej vazhdimisht. Afërsia me Rusinë është një nga shtyllat kryesore të sundimit të Llukashenkos, mirëpo edhe kjo afërsi ka pasur uljet dhe ngritjet e saj. Me Boris Yeltsinin, paraardhësin e Vladimir Putinit, në vitin 1997 ai themeloi një shtet të përbashkët Rusi-Bjellorusi, një bashkim që ka ekzistuar më shumë në letër deri më tani. Bjellorusia ishte gjithashtu themeluesi i Bashkimit Ekonomik Eurasian – përndryshe, projekti i preferuar i Putinit që synonte riintegrimin e ish republikave sovjetike.

Që nga ardhja në pushtet e Vladimir Putinit në Rusi, marrëdhëniet bilaterale kanë qenë lojë e vazhdueshme ndërmjet ftohjes dhe acarimit të cilat edhe kanë diktuar rrethanat ekonomike, politike dhe gjeostrategjike. Megjithatë, Bjellorusia ishte dhe ka mbetur e varur shumë nga subvencionet ruse, kjo është arsyeja pse ai shpesh duhet të sakrifikojë aksionet e mallrave kryesore bjelloruse në këmbim të huave të marra nga Moska.

Me shfaqjen e pandemisë Covid-19 gjatë këtij viti, forca shtytëse e cila i ka dhënë Llukashenkos fuqinë absolute tanimë ka filluar të rrezikohet. Kriza shëndetësore ka prodhuar një krizë ekonomike, çmimet e naftës kanë pësuar një kolaps historik, duke i dhënë një goditje të madhe Rusisë dhe, bashkë me të, edhe Bjellorusisë. Qytetarët bjellorusë e kanë kuptuar se çfarë nënkupton rënia ekonomike, gjë që mund të shpjegojë faktin se pakënaqësia u përshkallëzua menjëherë pas zgjedhjeve të këtij viti, edhe pse zgjedhjet e mëparshme nuk kanë qenë më të rregullta dhe më demokratike.

Llukashenko ka humbur besimin e disa prej mbështetësve të tij për shkak të reagimit të gabueshëm ndaj pandemisë, në fakt duke mohuar vazhdimisht ekzistencën e saj  si dhe nevojën për vendosjen e masave kufizuese ashtu siç kishin bërë shumica e vendeve evropiane. Sipas tij, terapia më e mirë dhe më efektive kundër koronavirusit ishte vodka dhe sauna. Megjithatë, dy muaj më vonë, në korrik, vetë Llukashenko deklaroi se ishte infektuar me Covid-19 mirëpo nuk kishte ndonjë simptomë dhe se e kishte tejkaluar këtë virus pa ndonjë regjim shtrati.