141 Policë të Hetuar për Gjashtë Muaj

Shefit i hetimeve në Inspektoratin Policor të Kosovës, Jetullah Aliu, thotë se në periudhën janar-qershor të këtij viti janë 141 raste të pranuara në këtë institucion që merret me mbikëqyrjen e policisë.

“Prej tyre 47 kanë rezultuar me kallëzim penal, ndërsa 33 janë duke u punuar”, tha Aliu.

Kur policët suspendohen, ata të paktën për një periudhë gjashtëmujore vazhdojnë të marrin pagë mesatarja e të cilave sillet në 350 euro. Kur kjo shifër shumëzohet me numrin e policëve të përballur me hetime, del se shteti mund të paguajë rreth 50 mijë euro paga ndonëse zyrtarët policorë nuk mund të punojnë për shkak të suspendimeve etj.

Aliu thotë se inspektorati ka kërkuar nga prokuroria dhe gjykata që këtyre lëndëve tu jepet prioritet në zgjidhje. “Është shumë me rëndësi që procedura ndaj këtyre policëve të
përshpejtohet në prokurori dhe gjykatë në mënyrë që të mos dëmtohet buxheti i Kosovës”, tha ai.

Policia e Kosovës nuk ka të drejtë ligjore tua ndalojë pagat policëve të cilët dyshohen për vepra penale, deri në momentin kur gjykata e thotë fjalën përfundimtare.