Familja Çoçaj fal familjen Avdija për aksidentin me kamion në Gjilan

Familja Çoçaj nga Hasi i Prizrenit dhe familja Avdija nga Peja, në zyrën e kryetarit të Komunës së Gjilanit  në prezencën e një numri të madh të pjesëmarrësve kanë shtrirë dorën e pajtimit dhe faljes njëra – tjetrës për aksidentin që ndodhi me 7 mars në Gjilan, me ç’rast vdiq Qerim Çoçaj.

Në sallën e Kuvendit Komunal, Refki Çoçaj, në prezencën e kryetarit Lutfi Haziri, ndërmjetësuesit Fetah Bekolli e kryetarit të Bashkësisë Islame të Gjilanit, Naim Aliu, zgjati dorën e pajtimit dhe të faljes familjes së Sokol Avdiaj nga Peja, duke thënë se “Për nder të madhit Zot, të shpirtit të babës, të edukatës që ai na ka dhënë neve, ju qoftë falë gjaku i babës”.

E Sokol Avdija, babai i shoferit që ka shkaktuar aksidentin tragjik, me emocione të mëdha e ka thënë shkurtimisht që e ka shumë të vështirë të gjej ndonjë fjalë për të përshkruar këtë akt të sotëm.

“E kam shumë të vështirë të flas. Do të doja që unë të isha atje, e ai të jetonte sot. Por, qenka e vështirë. Zoti ju shpërbleftë familjen tuaj”.

Ndërsa, kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, ka thënë se Qerimin do ta kemi gjithmonë në kujtimet tona, si një njeri të mirë dhe me vyrtyte të larta njerëzore, humane e intelektuale.

“Qerimin do ta mbajmë në mendje gjithmonë për urtësinë e tij, për butësinë, fjalët e mira dhe humanizmin e tij të vazhdueshëm. 7 marsi ishte një ditë e rëndë për të gjithë ne, por që është vendosur mbi shpatullat dhe peshën e Qerimit. Ai ka shpëtuar tre fëmijë nga një aksident shumë i rëndë. Vrapi dhe intervenimi i tij ka bërë që të ndal një tragjedi edhe më të madhe. Pas vetes, Qerimi ka lënë një familje të mrekullueshme, dy djemtë, vajzat dhe familjen e gjerë, e cila menjëherë atë natë kanë bërë aktin e madh duke ftuar burrërisht familjen nga Peja që të jetë së bashku për të ndarë dhimbjen dhe mërzinë”, ka thënë kryetari Haziri.

Kryetari Haziri, ka thënë se kjo falje erdhi si vlerë e pjekurisë së madhe që ka treguar Refkiu dhe familja Çoçaj.

“Familjes Çoçaj, Komuna e Gjilanit do t’i qëndroj gjithmonë afër. Dy familjet që sot keni shtrirë dorën e pajtimit, tani e tutje jeni edhe pjesë e Gjilanit. Do u bëjmë gjysëm gjilanas edhe juve. Urojmë që asnjëherë akte të tilla të mos përsëriten në asnjë vend. Ky akt i sotëm le të mbetet një mesazh edhe për familjet tjera që janë në ngatërresa, që të shtrijnë dorën e pajtimit edhe ato gjatë të ardhmes”, ka thënë kryetari Haziri.

Naim Aliu, ka falënderuar palët për gjakftohtësinë e tyre të treguar në këtë rast.

“Falënderoj kryetarin e Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, familjen Çoçaj, imamin Bekolli, dhe kjo tragjedi e përbashkët uroj që të kthehet në miqësi gjatë të ardhmes”, ka përfunduar Aliu.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për aksidentin në Gjilan dhe veprimet e prokurorisë pas këtij aksidenti.

https://kallxo.com/aksident-i-rende-ne-gjilan-disa-te-lenduar/

https://kallxo.com/video-aksidenti-ne-gjilan-ndalohet-edhe-pronari-i-kompanise-se-kamionit/