Shtime

Fatimja, gruaja e kryetarit aktual të Shtimes, Naim Ismajlit thotë se do të donte të martohej edhe një herë me burrin e saj në kohën e sotme, pasi dasmat i duken më të mira sot. 

Debatet zgjedhore të emisionit Jeta në Komunë, sivjet i portretizojnë kandidatët për kryetarë komunash me fjalët e partnerëve jetësorë, ose anëtarëve të familjes së tyre. 

Gratë e gjashtë kandidatëve për kryetar të Shtimes zbuluan edhe gjëra tjera të panjohura për bashkëshortët e tyre. 

Hanife Ademi dhe Florie Rashiti, gratë e kandidatëve të VV-së dhe AAK-së, Enver Ademit e Xhemshir Rashitit thanë se burrat e tyre dinë të përgatisin makarona dhe gjëra të lehta ushqimore. 

Burrat e tyre i lavdëruan të gjitha gratë dhe kërkuan që ata të votohen nga qytetarët për arsyen se janë shumë të mirë. 

Fatime Ismajli tha se burri i saj Naimi, i pari i Shtimes, ka pasur para luftës kalë, e më pas traktor. Bukurie Musliu, gruaja e kandidatit të pavarur Isufit tregoi se burri i saj pëlqen shikimin e meçeve të boksit, ndërsa Hanife Ademi, gruaja e kandidatit të VV-së, tha se burri i saj shikon filma aksion. 

Nga debati i së hënës mbrëma doli se Naim Ismajli kur ka kohë luan futboll, por marrja me sport nuk i ka ndihmuar ta shpëtojë klubin më të njohur shtimjan nga shuarja. 

Klubi i hendbollit të femrave “Vjosa” ka ndërprerë aktivitetin për mungesë mjetesh e kushtesh, në kohën kur komuna ka mbështetur klubin shtimjan të volejbollit të meshkujve që nuk njihet për rezultate. 

Ismajli në debat tha se klubet janë ndihmuar barabarësisht, por atyre u mungon salla e sporteve. 

Ai premtoi palestër sportive për Shtimen gjatë këtij viti. 

Kryetari aktual i Shtimes më pas u lavdërua se infrastruktura rrugore e Shtimes është kryer në 90 për qind të territorit, ndërsa shtoi se qytetarët do të kërkojnë të vazhdohet me rezultate. 

Kandidati i LDK-së: Komuna po shtron “asfalloç”

Asfaltin e shtruar në komunën e Shtimes, Fatmir Zymberi, kandidati për kryetar të komunës nga LDK-ja e quajti “asfalloç”, duke u ankuar për kualitetin e dobët të tij. 

Debati u nxeh kur u fol për gjashtë gurthyesit e Shtimes. Pesë kandidatët e subjekteve politike thanë se do t’i zhvendosin gurthyesit në vende të përshtatshme, pa ndërprerë punën e tyre, duke mos saktësuar cilat janë ato vende. 

Kandidati i pavarur Isuf Musliu tha se shtimjanëve u duhet ngopja me bukë, pas së cilës do të mendojë për ndotjen e ajrit dhe ambientit. Ai nuk tregoi si do ta sigurojë bukën e përditshme për bashkëqytetarët e tij. 

Për gurthyesit në debat u pranua se po thërrmojnë pjesën më të bukur të komunës, në të cilën mund të zhvillohet turizmi malor. 

Kandidati i PDK-së Ismajli tha se njërin nga gurthyesit e drejtojnë simpatizantë të LDK-së. Kandidati i partisë më të madhe opozitare nuk e mohoi këtë.