Prizren

Në sallën e Shtëpisë së Kulturës në Prizren, qytetarët dëgjuan shtatë kandidatët për kryetar të qytetit historik lidhur me zgjidhjet që ofrojnë për tejkalimin e problemeve. 

Kandidatët folën për degradimin e Zonës Historike dhe lumit të Prizrenit, si dhe për mungesën e ujit dhe parkingjeve në qytet. 

Në debatin e Jetës në Komuna, të mërkurën mbrëma, u tha se që nga miratimi i Projektligjit për Qendrën Historike të Prizrenit, në këtë zone janë ndërtuar 100 objekte pa leje. 

Gjatë debatit qytetarët shtruan pyetje të ndryshme për vështirësitë me të cilat përballen, ndërsa kandidatët u munduan të japin opsionet e tyre për tejkalimin e problemeve. 

Kandidatët paraqitën para qytetarëve programet e tyre politike ku të gjithë potencuan si prioritet zhvillimin ekonomik të qytetit.

Arbër Rexhaj, kandidat i Vetëvendosjes (LVV) tha se zhvillimi ekonomik do të bëhet, nëse investohet në kulturë, pasi që kjo po sjell sukses në turizëm. Ai tha se do të rrisë  po ashtu subvencionet për bujqësi.

Ben Kizolli nga Partia Konservatore e Kosovës (PK) tha se partia e tij ka një masterplan për zhvillim ekonomik, duke krijuar një zonë industriale prej 200 mijë metrash katrorë dhe se bizneset aty do të kenë lehtësira.

Eqrem Kryeziu nga LDK-ja humbi sekondat e tij për shpalosjen e programit duke e kritikuar qeverisjen aktuale të Mujës për degradimin e qytetit. Metaforikisht simbolizoi qeverisjen Muja si fenomen të gaforres, kur tha se  pushteti ka bërë dhjetë hapa pas dhe një hap para.

Fadil Softa nga Alternativa Demokratike e Kosovës (ADK) tha se do të punojë për ekonomi të qëndrueshme duke përmendur qindra milionë euro si donacione.

Lulzim Kabashi nga koalicioni AAK-LDD tha se nëse merr pushtetin në Prizren, do të sigurohet se do të ketë mirëqeverisje në këtë komunë. Ai tha se do të punojë për funksionalizimin e zonës industrial, duke thjeshtësuar procedurat për bizneset. Ai premtoi se do të investojë në bujqësi dhe turizëm.

Naser Bresa nga AKR-ja tha se në programin e partisë së tij janë pesë shtylla që do të zhvillohen: kultura, arsimi, mjedisi, urbanizmi dhe zhvillimi ekonomik.

Zafir Berisha nga Bashkimi Demokratik po ashtu theksoi se do të krijojë një zonë industriale prej 34 hektarësh me qëllim punësimi të qytetarëve.

Mungon Kryetari Muja në Debat

Në këtë debat ka munguar kryetari aktual Ramadan Muja që garon përsëri për të parin e qytetit nga radhët e PDK-së. Po ashtu kanë munguar edhe Fadil Kryeziu, nga Nisma Qytetare për Prizrenin dhe Pajtim Kosova që garon me Partinë e Drejtësisë, PD.

Arbër Rexhaj tha se kryetari Muja nuk ka ardhur në debat për shkak të skandaleve të tij.

Fadil Softa tha se “ata kanë pranuar humbjen”.

Lulzim Kabashi tha se kryetari Muja mungon, sepse ka kritika të shumta kundër tij për shkak të keqqeverisjes.

Ndërsa, Zafir Berisha përmendi seancën gjyqësore të së enjtes, në të cilën kryetari Muja duhet të paraqitet dhe ky gjykim ndaj tij është arsyeja kryesore për mungesë. “Duhet trimëri dhe burrëri e madhe për të dalë para këtyre qytetarëve”, tha Berisha.

Ramadan Muja dhe pesë zyrtarët tjerë komunalë, akuzohen nga Gjykata Themelore e Prizrenit për shpërdorim detyre dhe të autorizimit.

Mrekullitë, Revolet e Thikat

Eqrem Kryeziu, ish kryetar i Prizrenit premtoi se në mandatin katërvjeçar do të sigurojë ujë të pijshëm për tërë qytetin e Prizrenit pa marrë parasysh zgjerimin që qyteti mund ta ketë.

“Do të bëjmë mrekulli. Prizreni nuk do të vuajë për ujë”, tha ai para qytetarëve në debat.

Mirëpo Kryeziu nuk dha përgjigje të qartë për pyetjen se pse shtëpia e tij në fshatin turistik në Prevallë nuk ka përfillur projektin.

Ai po ashtu nuk deshi të përgjigjej për djegjen e kadastrit të Prizrenit në kohën kur ai ishte kryetari i qytetit, duke thënë se debati ‘i ngjan si seancë gjyqësore’.

Zafir Berisha, ish-anëtar i PDK-së, arsyetoi shoferin e tij Isa Berisha, të cilit i është gjetur një revole, gjersa ishte si vëzhgues i zgjedhjeve të kaluara.

“Ai ka mbajt revole si fëmijë”, tha Berisha, duke ironizuar se mbajtja e revoles është bërë për shkak se zgjedhjet janë mbajtur në Kosovë e jo në Suedi. 

Isa Berisha është dënuar me katër mijë euro gjobë dhe pesë vjet mospjesëmarrje në zgjedhje si vëzhgues.

Asamblisti i LDK-së Kapet me Thikë

Xhavit Ukaj, asamblistit të LDK-së në kuvendin komunal të Prizrenit, i është gjetur një thikë në hyrje të sallës ku mbahej debati zgjedhor. Hyrja në sallë menaxhohej edhe nga stafi i BIRN-it.

Ukaj, i cili ishte së bashku me djalin e tij, ka refuzuar që t’u japë thikën policëve dhe ka bllokuar hyrjen për një kohë të shkurtër. Thikën e hedhur më pas nga djali I tij e morën policët. Ukaj ishte I pranishëm në sallë deri në fund të debatit.

Portretizimi i Kandidatëve Nga Gratë e Tyre

Risi në këto debate zgjedhore është portretizimi i kandidatëve përmes partnerëve të jetës së tyre që shkëpusin pjesë të jetës së përbashkët dhe tregojnë se çfarë i karakterizojnë burrat ose gratë e tyre.

Nurishahe Kryeziu, bashkëshortja e kandidatit të LDK-së, tha se burri i saj nuk mban kuletë dhe as para me vete, sepse nuk është materialist. Ajo vetë i jep të holla burrit për të pirë kafe. Ajo tha se burri i saj madje nuk e di sa e ka rrogën. Zonja Kryeziu theksoi qëndrimin e burrit të saj deri në orët e vona të mengjesit duke lexuar.

Brikena Berisha, gruaja e Zafirit, tha se ajo është njohur me burrin e saj gjersa punonte në zyrat e PDK-së në Prizren dhe janë martuar në vitin 2002. Ajo tha se Zafirit i pëlqejnë shumë specat  djegës.

Zejnepe Rexha, gruaja e kandidatit të LVV-së, tha se Arbëri është dorëlirë dhe të keqe e ka që është shumë serioz. Ajo tha se Arbëri ka në gjak protestimin, ndërsa vetëm ajo mund ta bëjë të qeshë.

Xhejlan Kizolli, gruaja e kandidatit të Partisë Konservatore të Kosovës (PK) tha se burri i saj është shefi në shtëpi. Ben Kizolli mohoi të jetë përjashtuar nga Partia e Drejtësisë për shkak të disa keqbërjeve.

Tyrkane Softa, gruaja e Fadilit thotë se burrit të saj ‘ i shkojnë punët  për dore dhe rregullon në shtëpi”. Softa tha se nuk do të bëjë koalicion me PDK-në. 

Naser Bresa, kandidat i AKR-së nuk ka mundur ta bindë bashkëshorten e tij që të flasë për të para kamerës. 

Lulzim Kabashi u karakterizua nga gruaja e tij, Visare Millaku-Kabashi si i suksesshëm në biznes dhe aktiv në procese, duke qenë edhe komandant gjatë luftës në Kosovë. Ajo përshkroi pasurinë e madhe të  familjes. Ky çift ka katër shtëpi e tri banesa, ndërsa Lulzimi vozit Audi Q7.