Mitrovicë

Qytetarët e mbledhur në sallën e Shtëpisë së Kulturës në Mitrovicë, ku u mbajt debati i Jetës në Komunë për këtë qytet të shtunën mbrëma, u ngjanin tifozëve të Klubit Basketbollistik “Trepça”, e jo njerëzve që do të dëgjonin ata që pas zgjedhjeve të tre nëntorit mund ta drejtojnë komunën e tyre.

Kryetari dhe kandidati për kryetar i Mitrovicës, Avni Kastrati, fjalët e të cilit kryesisht përcilleshin me fishkëllima dhe brohoritje mohuese, mund të jetë ndier si ndonjë lojtar i ekipeve mysafire, edhe pse udhëheq Mitrovicën që nga viti 2010.

Edhe kandidatët nuk ishin më pak të zhurmshëm. Për kreun e Mitrovicës po garojnë përveç Kastratit edhe Agim Bahtiri nga AKR-ja, Mehdi Jonuzi i LDK-së, Faruk Mujka nga VV-ja, Nexhmedin Spahiu i të Pavarurve të Mitrovicës, Shaban Dragaj i AAK-LDD–së dhe Vesel Neziri i Partisë së Drejtësisë.

Zhurma shkaktoi ndërprerjen para kohe të debatit, por kandidatët megjithatë arritën t’i thonë shumicën e fjalëve të tyre.

Kandidati i AKR-së Agim Bahtiri, premtoi punë, punë e vetëm punë, ndërsa tha se do ta rifunksionalizojë në tërësi Kompleksin Trepça.

Kastrati nga PDK-ja tha se do ta bëjë Mitrovicën qytet të rinisë e sportit, nëse qytetarët ia besojnë edhe një mandat, ndërsa kandidati i LDK-së Mehdi Januzi, premtoi që ta zgjidhë kaosin urbanistik të Mitrovicës.

Mitrovicën e quajti të ngulfatur për zhvillim të biznesit edhe kandidati i të Pavarurve të Mitrovicës Nexhmedin Spahiu, teksa premtoi programin trepikësh liri, liri ekonomike dhe luftë kundër krimit.

Edhe kandidati i LVV-së Faruk Mujka tha se do ta bëjë Mitrovicën qytet të lirë, me sundim të ligjit dhe me më shumë vende pune.

Kandidati i koalicionit AAK-LDD, Shaban Dragaj përmendi tri fjalë që do ta karakterizojnë nëse zgjidhet i pari i Mitrovicës: ndershmërinë, sigurinë dhe profesionalizmin.

Vesel Neziri nga Partia e Drejtësisë, mitrovicasve iu ofrua me trinomin: komb, fe shtet. Tha se i vetmi ka mbajtur premtimin dhënë organizatorëve për sjelljen në sallë të vetëm njëzet përkrahësve të partisë së tij.

Kështu do t’i mbaj premtimet edhe në raport me qytetarët e Mitrovicës, tha ai, duke shtuar se të tillë janë njerëzit që i frikohen Zotit.

Kandidatët me 100 vota

Moderatorja e emisionit të së shtunës, i ktheu disa nga kandidatët e Mitrovicës prapa në zgjedhjet e vitit 2009, për t’i pyetur se sa vota kanë marrë atëherë.

Mehdi Jonuzi nga LDK-ja tha se nuk i kujtohej rezultati personal në zgjedhjet e kaluara, por Jeta Xharra ia kujtoi se Januzi ka marrë vetëm 115 vota që nuk ia kanë mundësuar as një vend si asamblist.

Edhe kandidatit të PD-së Vesel Nezirit, iu bë me dije se ka pasur vetëm 110 vota në zgjedhjet e kaluara, ndërsa Neziri tha se votat atëherë i janë vjedhur.

Debati në vazhdim u fokusua në programin e partive politike dhe të kandidatëve në fushat e infrastrukturës, urbanizmit, ambientit dhe vjeljen e tatimeve.

Idetë e atyre që garojnë për fronin e Mitrovicës ishin kryesisht teorike dhe të përgjithshme.

Edhe debatin e Mitrovicës, e bënë më interesant familjarët e kandidatëve. Për Nexhmedin Spahiun dhe Agim Bahrin folën nënat e tyre, ndërsa për katër të tjerë gratë. Kandidati i AAK-LDD-së Shaban Dragaj nuk pranoi t’i intervisohen familjarët, duke shtuar se në disa raste duhet të bëhen përjashtime.

Nënat nuk duan para haram

Gruaja e kryetarit të Mitrovicës Afërdita Kastrati, tha se burri i saj dëshiron të mbetet në histori si kryetar i Mitrovicës, të kujtohet për bëmat e tij, ndërsa nëna  e kandidatit të AKR-së Agim Bahtirit, pasi tregoi për jetën  emirë që bëjnë si familje, tha se nuk dëshiron që biri i saj t’i sjellë para haram në shtëpi.

Bashkëshortja e kandidatit të LVV-së, Semiha Mujka e lavdëroi burrin e saj farukun për njohjen eshumë gjuhëve të huaja. Përveç tri gjuhëve zyrtare të Kosovës, sipas Semihasë, burri i saj di edhe greqisht e turqisht.

Edhe nëna e Nexhmedin Spahiut, Abidja e vllerësoi shumë të mençur djalin  esaj, duke thënë se në rini Nexhmedini ka marrë pjesë në shumë kuize të diturisë.

Gruaja e Mehdi Jonuzit të LDK-së tregoi se nuk i pëlqen fakti se bashkëshorti i saj ka filluar ta vozisë më shpejt veturën. Ajo shtoi se për këtë Mehdiut edhe i janë shqiptuar gjoba nga policia.

Rabie Neziri, e shoqja e kandidatit të PD-së Vesel Nezirit, tha se nuk është e interesuar të dijë për programin e subjektit të burrit të saj ndërsa tha se është e kënaqur dhe e lumtur me jetën që bëjnë së bashku.

Pas dëgjimit të grave dhe familjarëve të kandidatëve Jeta Xharra tha se më së tepërmi ( jo vetëm asaj) po i pëlqen kjo pjesë e emisionit.