Kllokot

Përveç kryetarit aktual dhe kandidatit për kryetar të Kllokotit nga SLS-ja, Sasha Mirkoviq, garës për Kllokotin i ka hyrë edhe një emnak i tij me mbiemrin pak më të gjatë-Marinkoviq, me formacionin politik “Narodno Jedinstvo” (Bashkimi Popullor).

Këta të dy replikuan më së shumti gjatë debatit të Jetës në Komunë, për Kllokotin.

Për kreun e kësaj komune po kunkurrojnë edhe Hasan Rashiti i LDK-së, Xhelal Rexhepi i PDK-së dhe Zoran Krqmaroviq nga “Zajednica za Buduqnost” (Bashkësia për të Ardhmen).

Kandidatët treguan edhe çfarë do t’u ofrojnë qytetarëve.

Pse duhet votuar kandidatët

Zoran Krqmaroviq  nga “Zajednica za Buduqnost “ tha se qytetarët duhet ta votojnë atë për shkak të përvojës së mjaftueshme dhe nga fakti se është njëri nga kreatorët e projektit të themelimit të komunës së Kllokotit.

Edhe Sasha Marinkoviq  nga inciativa “Narodno Jednistvo “, e përmendi decentralizimin, duke thënë se duhet të vazhdojmë, aty ku kemi mbetur, në vitin 2009, kur siç tha ai “Piter Feit me planin e Ahtisarit ka ardhë në Zyrën Lokale për Komunitete dhe kemi filluar me procesin e decentralizimit te komunës”.

Kryetari aktual dhe kandidati i SLS-së Sasha Mirkoviq e kërkoi votën e qytetarëve për faktin se tha që i ka hyrë një procesi që askush nuk ka guxuar t’i futet, në kohën kur ky proces bojkotohej nga serbët, ndërsa ata që ishin pjesë e tij etiketoheshin me fjalë të ndryshme.

Komuna e Kllokotit është themeluar në shkurt të vitit 2010.

Kandidati i LDK-së Hasan Rashiti  tha se në zgjedhjet e kaluara më shumë ka pasur të vetemëruar, sesa të zgjedhur dhe pjesmarrja e Krqmaroviqit dhe Rexhepit i japin sharm këtij debati . “Kam ekip shumë  të mirë që është në gjendje me u përballë me sfidat prezente”, shtoi Rashiti.

Edhe Xhelal Rexhepi nga PDK-ja, e lavdëroi veten me përvojën e tij menaxheriale, duke thënë se kam udhëhequr fimra në Kosovë dhe Shqipëri.

Kllokoti qëndron mbi ujë , por nuk ka ujë

Komuna nuk është kompetente të paguajë rrymën e shpenzuar, ose edhe ujin dhe qytetarët i bojotojnë faturat e këtyre dy produkteve,  tha Mirkoviq.

Kllokoti ka mungesë uji, ndërsa Xhelal Rexhepi si zgjidhje të problemit me ujë të pijes sheh ndërtimin e një bazeni në në lartesi, që me rënie të lire t’I furnizojë qytetarët me ujë .

Sasha Marinkoviq u shpreh i habitur se si komuna nuk mund t’i ndajë 200-400 euro për pagesën e rrymës për pompat e ujit.

Kryetari dhe kandidati për kryetar të Kllokotit Sasha Mirkoviq, duke e akuzuar rivalin e tij për mosnjohje të ligjit, tha se komuna nuk ka të drejtë të paguajë rrymën për funksionalizimin e pompave të ujit në cilindo fshat.

Kandidatët u pajtuan se duhet punuar për t’i bindur qytetarët se duhet paguar rrymën dhe ujin .
Serbët bojkotuan kanalizimin

Xhelal Rexhepi tha se kanalizimi në Mogillë është  gjysmëfunksional, sepse pusetat për filtrimin e ujërave të zeza nuk kanë shkuar deri në fund  dhe  në Vërbovc ky rrjet ka mbetur i përgjysmuar .

Hasan Rashiti i LDK-së reagoi duke i thënë Rexhepit të PDK-së se vetë ishte mbikëqyrës I këtij projekti të kanalizimeve. Pa e mohuar këtë, Rexhepi tha se kanalizimi në Vërbovc ka dështuar, ngase qytetarët nuk e kanë lejuar atë.

Kryetari aktual Mirkoviq vërtetoi fjalët e Rexhepit, duke thenë se kanalizimin në Vërbovc e kanë bojkotuar qytetarët dhe kështu kanë mbetur pa të.

Ndërsa Shasha Marinkoviq tha se me 3 nëntor qytetarët e Vërbovcit do ta tregojnë se a e kanë bojkotuar kanalizimin në fshatin e tyre.

“Krenohem që isha në burg, mbrojta familjen”

Pas shumë përplasjeve ne mes kandidatit Mirkoviq dhe Marinkoviq lidhur me projektet e kanalizimit dhe përgjegjësit, Mirkoviq zbuloi se në atë kohë Marinkoviq ka qenë në burg. 

“Derisa kthehesha nga Serbia, pas lindjes së djalit të dytë , në pike-kalimin kufitar polici më ka thënë se fëmija nuk ka dokumente adekuate të lindjes   dhe nuk mund të hyjë në Kosovë dhe pas disa replikave dhe mosëmarrëveshjeve  ai pas nëntë ditësh ka paraqitur kallëzim penal ndaj meje “ tregoi versionin e tij Marinkoviq .

Ai shtoi se kerenohet që ka qëndruar në burg, sepse ka mbrojtur familjen.

“Asnjëhere nuk kam prek policin dhe asnjëhere nuk kam  dalë në gjykim për këtë rast , një ditë para se ta nënshkruaj kandidaturën, në vend të Sasha Mirkoviqit  kan ardhë policia dhe më kanë thënë duhesh me shku në mbajtje të dënimit “, thotë Marinkoviq.

Marinkoviq në vitin 2007 qe dënuar nga Gjykata Komunale e Kamenicës me tre muaj burg, për sulm ndaj personit zyrtar. Pas ankesës së tij, Gjykata e Qarkut në Gjilan, ia zvogëloi dënimin në dy muaj.

S᾽funksionon tregu në Kllokot

Sasha Marinkoviq thot se tregu nuk funksion  në Kllokot edhe sot e e kësaj dite  dhe bujqit prodhimet e tyre i shesin pranë rrugës .

 Kandidatët premtuan  subvencione si financiare, ashtu edhe mjete të  punës  për fermerët , e disa edhe frigoriferë për ruajtjen e prodhimeve .

Zoran Krqmaroviq u akuzua nga Sasha Marinkoviq se në kohën derisa ishte koordinator i komunës së Vitisë, i emëruar nga Qeveria e Serbisë, rreth 200 tonë patate bujqit është dashur t’i gjuajnë ose t’i japin falas .

Ndërsa Krqmaroviq u arsyetua se në atë kohë as zyrë nuk ka pasur, ndërsa ka treguar se ishte emëruar vetëm formalisht nga ministri Samarxhiq, duke shtuar se nuk ka mundur të udhëheqë dhe merret me këto probleme .

“Marinkoviq po e manipulon opinionin zgjedhor dhe po e thotë të pavërteten  “, deklaron Krqmaroviq .
“ Banjat “  vendturizëm 

Kandidatët serbë u bënë thirrje qytetarëve serbë që të vijnë në trajtim në banjat e Kllokotit, e disa prej tyre kërkuan  të caktohet një taksë për çdo pacient . U propozua që për prodhuesit e ujit të hiqet TVSH-ja e eksportit dhe nga qeveria dhe komuna të ndihmohen me infrastrukturë.