Klinë

Kryetari dhe kandidati për kryetar të Klinës, Sokol Bashota i PDK-së zgjodhi fushatën zgjeedhore për të përuruar fabrikën e re të ujit dhe objektin e shtëpisë së kulturës.

Jeta Xharra nuk e la pa e pyetur se pse pikërisht në fushatë, kurse Bashota u përgjigj se ato projekte po kryhen brenda mandatit të tij, ndoshta duke e harruar se premtimi i ujit është përmendur tash e dy mandate nga vetë Bashota.

Qyteza që laget nga gjashtë lumenj: Drini i Bardhë, Klina, Mirusha, Burimi, Lumëbardhi i Pejës dhe Prizrenit, sipas raporteve  të GAP-it për 2013-ën ka të lidhur vetëm 23 për qind të populllatës në rrjetin publik të saj.

Fabrika e re e ujit është e gatshme për përdorim që nga muaji shkurt, por komuna u ka mbetur borxh kompanive holandeze dhe kosovare ndërtuese të saj rreth 300 mijë euro që pamundësojnë fillimin  e punës.

Në Emisionin Jeta në Komunë, të enjten mbrëma, kur u përballën kandidatët për kryetar të Klinës, Bashota tha se ka paguar të martën (para dy ditësh) këstin e fundit të borxhit për fabrikën e ujit, ndërsa shtoi se për nja dhjetë ditë qytetarët e Klinës do të kenë jë të bollshëm për pije.

Gazeta Jeta në Kosovë raportoi gjatë shtatorit për fabrikën e re të ujit që pret larjen e borxhit, për të furnizuar klinasit me ujë. 

Bashota gjatë debatit, ftoi kundërkandidatët e tij që më 25 tetor të marrin pjesë edhe në një përurim tjetër-atë të objektit të shtëpisë së kulturës, derisa moderatorja Jeta Xharra i tha atij se do ta mbajnë për fjale për dy premtimet.

Qyteza e Klinës nuk kishte shtëpi kulture, ndërsa nuk ka as objekt për bibliotekë. Shumica e kandidatëve për kryetar të kësaj komune thanë se do t’i bëjnë vend bibliotekës në objektin e sapopërfunduar të shtëpisë së kulturës.

Klina gjithashtu ka vetëm një çerdhe publike, ku numri i fëmijëve e kalon pesëdhjetëshin.

Garës për kryetar të Klinës, përveç Bashotës i kanë hyrë edhe Fadil Gashi i LDK-së, Hajzer Idrizi i VV-së, Enver Berisha i AAK-së, Avni Gashi i AKR-së, Prend Buzhala i PShDK-së dhe Filip Berisha, i Partisë Demokristiane për Integrim.

Range Roveri i Bashotës në ankand

Bashota u pyet edhe për xhipin  e tij të tipit Range Rover në vlerën e mbi 67 mijë eurove, të blerë me paratë publike nga kmuna, një gjë që i shkaktoi nervozitet, pasi tha se është diçka e konsumuar. Ai e pranoi se ka autorizuar mjetet për të, por tha se kjo është bërë në vitin 2009, kur nuk dihej se kush do ta udhëheqte komunën. Zgjedhjet e fundit lokale në Kosovë qenë mbajtur gjatë këtij viti.

Gazeta Jeta në Kosovë shkroi edhe për xhipin e kryetarit të Klinës në qershor, derisa kandidati i AKR-së për kryetar Avni Gashi tha se do ta shesë Range Roverin, nëse fiton besimin e qytetarëve, për të rregulluar dy shkolla të fshatrave të Klinës.

Raportet e GAP-it thonë se komuna e Klinës ka shpenzuar më shumë para për mirëmbajtjen e veturave, sesa atë të shkollave.

Komunë me tri drejtori

Filip Berisha nga  Partia Demokristiane për Integrim premtoi vetëm tri drejtori komunale: atë të financave, kadastrit dhe emigracionit. Drejtorinë e fundit ua dedikoi mërgimtarëve, pasi tha se është një Klinë brenda e një jashtë.

Modelin e qeverisjes me tri drejtori ai e quajti europian. Klina aktualisht ka gjashtë drejtori komunale që karakterizohen për shpenzime të shumave të mëdha të parave publike.

Kryetari aktual Bashota u “djersit” edhe një herë gjatë debatit, kur kandidatëve për kryetar iu bënë pyetje individuale të shtruara nga publiku nëpërmjet moderatores.

Veteranët e humbjes

Bashota u pyet pse nuk ka deklaruar pasurinë në Agjencinë Kundër Korrupsion, të cilën gjë ai e mohoi, por në vebfaqen e këtij institucioni nuk figuronte si deklarues deri pas debatit. 

Agjencia Kundër Korrupsionit, i tha më pas Gazetës Jeta në Kosovë se Bashota e ka deklaruar pasurinë, por formulari i deklarimit të tij gabimisht është postuar në vendin ku mund të shihet pasuria e zyrtarëve të Kllokotit.

AKK-ja të premten përmirësoi gabimin e saj.

Kandidatit të PShDK-së Prend Buzhalës iu shtrua pyetja se pse ka ndërruar tri parti gjatë karrierës së tij politike dhe a do ta ndërrojë edhe aktualen. Buzhala ishte më parë në LDK, AAK, PDK.

Buzhala tha se edhe politikani anglez Winston Churchill ka ndërruar pesë parti, por jo ehe parimet, duke thënë se edhe vetë është njësoj.

Kandidati i VV-së Hajzer Idrizi u pyet se ku ka shkuar teknika që posedonte qendra rinore, të cilën ai e drejtonte, pas mbylljes së saj. Idrizi tha se komplet pajisjet e qendrës kanë mbetur aty ku ishin.

Enver Berisha, kandidat i AAK-së edhe në zgjedhjet e kaluara, u desh të përgjigjet se pse gjithmonë është ai kandidat i kësaj partie. Berisha tha se zgjedhjet e kaluara i ka fituar, por ato janë manipuluar, prandaj edhe e ka besimin e partisë.

Fitoren e Bashotës në zgjedhjet e kaluara ai e quajti të turpshme.

Bashota, Berishën dhe kandidatin e LDK-së Fadil Gashin i quajti veteranë të humbjes, duke i paralajmëruar se e njëjta do t’i gjejë edhe në zgjedhjet e 3 nëntorit.

Kryetari i Klinës mori përgjigjen se vetë do të bëhet nga këto zgjedhje veteran i dhimbshëm i humbjes.

Edhe për kandidatët e Klinës, folën gratë e tyre.
 
Fadil Gashi i LDK-së i fejuar në djep

“Ne nuk jemi njoftuar hiq, na kanë fejuar të vegjël në djep”, tha Vera, bashkëshortja e Fadil Gashit, kandidatit për kryetar të Klinës nga radhët e LDK-së. Fejesa në djep është një traditë e moçme, kur nënat shtatzëna, zakonisht shoqe të mira, merreshin vesh se nëse foshnjat i kanë të gjinive të kundërta, t’i martonin kur të rriteshin.

Emisioni i debateve zgjedhore Jeta në Komunë që po transmetohet në RTV 21 ka vendosur sivjet që të portretizojë kandidatët për kryetarë komunash, nëpërmjet fjalëve të partnerëve të tyre jetësorë, ose familjarëve.

Vera Gashi fejesën në djep e zbuloi të enjten mbrëma, kur u zhvillua debati me kandidatët e Klinës.

Edhe Bukuria, gruaja e kandidatit të VV-së Hajzer Idrizit, tregoi diçka që lidhet më shumë me të kaluarën. Tha se Hajzeri kur nervozohet, ndodh t’i thotë “shuj, mshele”. Ajo shtoi se me shaka i ka thënë burrit të saj se a guxon t’i drejtohet kështu Jeta Xharrës.

Por, para drejtueses së emisionit Jeta në Komunë, Hajzeri, u desh ta bëjë të kundërtën. Ta çelë gojën e të flasë. Premtoi se LVV-ja do të subvencionojë, farën, naftën dhe plehun artificial për bujqit.

Premtime për zhvillimin  e bujqësisë dhanë edhe kandidatët tjerë, ndërsa Avni Gashi i AKR-së mirëqenien dhe punësimin për klinasit i bazoi te kreu i AKR-së Behgjet Pacolli dhe lidhjet e tij ekonomike me botën.

Gruaja e Avni Gashit, Fatmirja, tregoi se deri para tre vjetësh kanë mbajtur lopë e pula. Lopët si pjesë të ekonomisë fasmiljare, i përmendi edhe bashkëshortja e kandidatit të LDK-së Fadil Gashit.

Rreth 75 për qind e banorëve të Klinës janë të viseve rurale.