Trashëgimia në Kosovë – femrat ende besnike ndaj “traditës dhe Kanunit”

Trashëgimia në Kosovë është e rregulluar me ligjin për trashëgiminë. Ligji përcakton se trashëgimia mund të transferohet tek një person sipas ligjit ose sipas testamentit. Nga një hulumtim i bërë gjatë muajit janar prej monitoruesve të BIRN -it, në lidhje me trashëgiminë në Kosovë dhe rastet gjyqësore nga kjo fushë e së drejtës, rezulton se trashëgimia në Kosovë, në shumicën e rasteve transferohet sipas ligjit, përderisa vetëm në një numër rastesh, trashëgimia transferohet në bazë të testamentit. Hulumtimi konstatoi gjithashtu se në shumicën e rasteve vetëm meshkujt janë subjekt i së drejtës në trashëgimi, përderisa femrat me vetë dëshirë heqin dorë nga kjo e drejtë. Vetëm në Prishtinë, Gjakovë dhe Prizren, ka raste ku edhe femrat kanë trashëguar nga prona e prindërve të tyre. Sidoqoftë, në shumicën e komunave sikurse në Ferizaj, Pejë, Mitrovicë e Drenas, në 98% të rasteve femrat heqin dorë nga e drejta në trashëgimi. Një gjë e tillë, ka mbetur si traditë që nga “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, ku femrat ishin të diskriminuara nga e drejta në trashëgimi kur pronat e familjes ishin ndarë në mes të anëtarëve të familjes. Sipas Kanunit dy femra kishin trashëguar sa një mashkull. Në Prizren, një numër i madh i femrave, kryesisht nga zonat urbane, janë subjekte të kësaj të drejte, përderisa ky nuk është edhe rasti i njëjtë me femrat që jetojnë nëpër fshatra. Në një rast në gjykatën komunale të Therandës, ku një femër kishte kërkuar që pasuria të ndahej në mënyrë të barabartë ndërmjet të gjithë anëtarëve të familjes, gjykata ka vendosur në favor të femrës dhe tani rasti është në përfundim të procedurave.