Rashit Qalaj, drejtor i Policisë së Kosovës

Drejtori i policisë kërkon aktivitete të shtuara gjatë verës

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj gjatë një takimi të mbajtur sot me stafin menaxhues, duke përfshirë edhe Drejtorët e Drejtorive Rajonale të Policisë dhe Shefat e Njësive të Trafikut Rajonal dhe të Autostradës, ka kërkuar aktivitete të shtuara të policisë gjatë sezonit veror.

Në këtë takim u diskutua për gjendjen e përgjithshme të sigurisë në vend duke përfshirë edhe sigurinë në trafikun rrugor.

Sipas njoftimit të policisë, referuar të dhënave statistikore për gjashtëmujorin e parë të këtij viti krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, ka rezultuar se ka rënie të veprave penale dhe të aksidenteve në trafik.

“Po ashtu është diskutuar edhe për masat dhe aktivitetet policore në ditët në vijim gjatë sezonit veror, ku u kërkua aktivitet shtesë dhe prezencë policore në çdo pjesë të vendit, përfshire rrugët lokale/fshatit, rajonale, nacionale dhe autostrada. Meqë këtë periudhë kohore e karakterizon edhe ardhja e bashkatdhetarëve dhe organizimi i ahengjeve të ndryshme familjare, kërkohet nga policia që të jetë sa më tepër prezent dhe në të njëjtën kohë të ndërmerren masa për ofrimin e sigurisë në trafik dhe masa parandaluese të dukurive të tjera të kundërligjshme”, thuhet në njoftimin e policisë.

Përmes këtij njoftimi, Policia e Kosovës ka kërkuar nga qytetarët që në ahengjet familjare të mos përdorim armët për të festuar, të ruhet rendi dhe qetësia publike si dhe respektojnë rregullat e trafikut rrugor.