Dhuna:Qytetari nga Rahoveci rrëfen për tërheqjen zvarrë nga policia

KALLXO.com ka publikuar sot në mëngjes një video ku shihet dy zyrtar policor të cilët tërheqin zvarrë një person duke e nxjerrë nga vetura e tij.

Hajdar Sahiti nga Rahoveci pas publikimi të videos, ka rrëfyer për KALLXO.com se si ka ndodhur e gjithë ngjarja.

I gjithë rasti sipas tij ka filluar me ndalimin e një punëtori të tij nga ana e policisë.

“Derisa ishte koha e pauzës, e ka ndalë polici Amir Mushla një punëtor timin dhe ja kishë marrë dokumentet, edhe kur shkova unë të punëtorët i pash krejt së bashku, edhe i thash çka është problem edhe me tregun që e ka ndalë policia dhe ja ka marrë dokumentet”, ka treguar Sahiti.

Ai ka vazhduar të tregoj ngjarjen se si ka shkuar të takohet me policin në fjalë për të biseduar me të.

“E mora punëtorin me vete edhe shkova te polici Amir, në parkingun e qytetit përball “Park Pllazës”. Aty nuk ka pasur asnjë shenjë që nuk kam pas të drejtë me hy, unë t’u mendu që është parking i qytetit dhe kam shkuar drejtë tek polici” ka treguar Sahiti.

Sahiti ka vazhduar të tregoj se si polici në fjalë ka filluar t’i bërtiste për shkak se kishte hyrë në parking.

“Dola prej veturës edhe i thash a bon veç me fol diçka, ai më tha “Ku guxon ti pa leje me hy brenda, tha dil menjëherë jashtë”. I thash “Zotëri a mundem vetëm një minutë me fol me ty”, tha “Jo s’bon menjëherë dil përjashta, edhe veç kam bo me dorë, thash s’di çka po bohet”, ka treguar Sahiti.

Sahiti ka treguar se pasi ka hyrë në veturë, polici në fjalë e ka urdhëruar që ta ndalë veturën.


“Kam hy në veturë e kam ndez, dhe tu dashtë mu largu nga parkingu, po vjen polici (Amir) po ma qel derën edhe po më thotë ndale kerrin menjëherë. I thash kadal se na njihemi, në atë aspektin që më njeh që jam punëtor dhe nuk jam dikush i problemeve”, ka treguar Sahiti.

Ai ka treguar edhe momentin kur policia ka filluar ta tërheq zvarrë për ta nxjerrë nga vetura e tij.

“E kom pas dorën në timon edhe thash me ndal kerrin, në momentin që e kam heq dorën nga timoni ata më kanë ngreh zhag edhe shkelma. I thojsha kadal se është masa publike këtu mos bëni këto skena se nuk jam kriminel, ata më kanë shti në kerr”, ka thënë Sahiti.

Sahiti ka treguar se pas arrestimit është dërguar në Stacion Policor duke mos i treguar për arsyen e arrestimit.

“Kur kemi shku në stacion, Amiri më ka shkru një gjobë për mos bindje të urdhërave të policisë, 150 euro, edhe ata kanë mendu që unë jom për ata që duhet me pagu e kom marr përsipër duhet me pagu, kom shku në postë e kom pagu edhe e kom kry”, ka treguar Sahiti.

Sahiti duke treguar shenjat të cilat i janë shkaktuar në trup për shkak të dhunës së ushtruar nga ana e policisë ka treguar se për shkak se para gjashtë muajve ka qenë në koma, rrahja nga policia i ka ripërsëritur problemet.

“Para gjashtë muajve kom ra prej skeles në punë edhe kam qenë tri ditë në koma, edhe kam pas shumë marramendje, kam qenë të mjeku, po kur kam dal prej shpisë e kam vërejte që përsëri kam marramendje, dhe kam shku në ambulancë, doktori më ka dhënë udhëzimin për me shku te mjeku  në Prizren me bo një kontrolle”, ka thënë Sahiti.

KALLXO.com ka kërkuar një përgjigje nga ana e Policisë në Rajonin e Gjakovës në lidhje me rastin, të cilët thonë se personi në fjalë është arrestuar sepse edhe pse ishin vendosur shiritat për shkak të një manifestimit,  njëjti ka hyrë në perimetrin e caktuar dhe ka refuzuar të largoj veturën nga aty.

“Zyrtarët policor  refuzimit të urdhrit verbal zyrtar, për të futur situatën nën kontroll kanë përdorur forcën fizike-teknikat duar thatë dhe të njëjtin e kanë tërhequr nga automjeti duke e pranguar dhe shoqëruar për në stacionin policor në Rahovec. Në stacion policor të njëjtit ju është shqiptuar gjobë për ,, mos respektim të urdhrit të personit zyrtar”, dhe më pas është liruar. Gjatë përdorimit të forcës fizike personi në fjalë nuk ka pësuar asnjë lëndim trupor.”, ka thënën policia.

Ndërsa Inspektorati Policor i Kosovës në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se hetuesit policor po merren me rastin.

“Hetuesit e IPK-së kanë pranuar informacionin për rastin dhe menjëherë kanë vepruar sipas detyrës zyrtare, me ç’rast edhe kanë kontaktuar me qytetarin në fjalë. I njëjti sot ka paraqitur ankesë në IPK dhe rasti është duke u trajtuar nga hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e IPK-së.