Caktohet Data e Zbatimit të Marrëveshjes me Serbinë për Sigurimin e Automjeteve

Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se marrëveshja për sigurimin e automjeteve mes Kosovës dhe Serbisë do të nisë të zbatohet javën e ardhshme, më 12 gusht.

Kjo është arritur gjatë takimit të sotëm në Bruksel ndërmjet delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Delegacioni i Kosovës në këtë takim është udhëhequr nga Ministrja për Dialog, Edita Tahiri.

Marrëveshja e cila u mundëson kosovarëve të kalojnë nëpër territorin e Serbisë pa pasur nevojë të paguajnë taksa shtesë për automjetet e tyre, ka qenë dashur të hyjë në fuqi më 1 gusht, por kjo nuk u bë.

Ndërsa në takimin e sotëm, qeveria e Kosovës thotë se të dyja palët raportuan për finalizimin e përgatitjeve teknike për fillimin e mbarë të zbatimit të kësaj marrëveshje sipas planit zbatues.

“Palët u zotuan që me përkushtim do të zbatojnë këtë marrëveshje e cila është lehtësuar dhe garantuar nga Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Byrove Evropiane. Me ketë rast, ministrja për Dialog, Edita Tahiri, theksoi se pas këtij takimi çdo gjë është gati që të fillojë zbatimi i marrëveshjes për sigurimin e automjeteve që është në interes të qytetarëve të Republikës së Kosovës sepse u hiqet një barrë e pagesës së tarifave të larta dhe se tani e tutje nuk kanë nevojë të paguajnë tarifa shtesë gjatë kalimit në Serbi”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.

Sipas Qeverisë së Kosovës, kjo marrëveshje kontribuon për përmirësimin e lëvizjes së lirë për qytetarët e të dyja shteteve dhe është në pajtim me standardet evropiane për lëvizjen e lirë.