Ilustrim

MAShTI ndalon tubimet e partive në hapësirat e brendshme të shkollave

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ka marrë vendim që t’ua ndalojë partive politike mbajtjen e tubimeve zgjedhore në hapësirat e brendshme të shkollave publike në vend, në kuadër të zgjedhjeve lokale të 17 tetorit.

Sipas vendimit të siguruar nga KALLXO.com, tubimet në hapësirat e jashtme mund të mbahen vetëm me leje nga ana e Komunave përkatëse dhe Policisë së Kosovës.

Ndërsa, në hapësirat e brendshme po ashtu është theksuar se nuk mund të mbajnë punime as gjatë e as pas orarit të punës.

“Hapësirat e jashtme të objekteve të institucionit arsimor nuk mund të përdoren nga subjektet politike të certifikuara për zgjedhjet lokale 2021, vetëm nëse paraprakisht kanë leje për organizimin dhe mbajtjen e tubimeve politike nga Komisionet Komunale të Zgjedhjeve dhe Policia e Republikës së Kosovës në komunat përkatëse”, thuhet më tej në vendimin e ministres, Arbërie Nagavci.

Partitë politike ndër vite kanë përdorur hapësirat e shkollave për t’i mbajtur tubimet e tyre zgjedhore.

.