Gjendja e shkollës së shkatërruar në Ukrainë dhe projekti i Lendi Bojniku Osmani për ndërtimin e saj, Foto: KALLXO.com

"Fëmija i luftës": Arkitekti nga Kosova fiton garën për ndërtimin e shkollës së shkatërruar në Ukrainë

Gërmadhat mbizotërojnë në lokacionin ku nxënësit e një shkolle në Kharkiv të Ukrainës mbanin mësimin deri në ditën kur predhat ruse ranë pamëshirshëm mbi ndërtesë në korrik të vitit 2022. Por, pamja e këtij vendi pritet të ndryshojë sapo të krijohen kushtet që projekti në letër i arkitektit të ri kosovar të fillojë të implementohet.

Lendi Bojniku Osmani nga Prishtina është pjesë e ekipit fitues të tenderit për ndërtimin e kësaj shkolle. Ai është duke ndjekur studimet master në Arkitekturë në Torino të Italisë.

“E kemi fitu tenderin për realizimin e një shkolle në Ukrainë, më saktësisht në Kharkiv, fatkeqësisht e shkatërruar prej konfliktit atje” – rrëfen Lendi Bojniku Osmani, arkitekti që fitoi çmimin e parë në një garë ndërkombëtare për projektimin e shkollës në Kharkiv që u shkatërrua nga lufta në Ukrainë.

Ky projekt u përkthye në punim shkencor për Lendin, 25-vjeçarin nga Prishtina.

I diplomuar në Fakultetin e Arkitekturës të Universitetit të Prishtinës më 2021, tani në përfundim të studimeve master në Universitetin Politeknik të Torinos, Bojniku Osmani ishte në kërkim të një teme për master.

Teksa hulumtonte për temën e masterit, gara ndërkombëtare e dizajnit të arkitekturës e organizuar nga Instituti Aziatik i dizajnit me karbon të ulët (Asian Institute of Low Carbon Design – AILCD) i tërhoqi vëmendjen 25-vjeçarit për të marrë pjesë me idenë e krijimit të projektit që kërkonin dhe krijimit të punimit shkencor për temën e tij të masterit.

Organizuesit e garës kërkonin nga studentët dhe arkitektët e rinj që të ridizajnonin një shkollë të shkatërruar, duke adresuar kështu problemin e planit urban të pasluftës të qytetit të Kharkiv-it në Ukrainë.

Bojniku Osmani vendosi të marrë pjesë në garën ndërkombëtare të arkitekturës, në bashkëpunim me një zyre të profesorit të tij nga Universiteti Politeknik i Torinos, Edoardo Bruno që ofron shërbime të fushës së arkitekturës dhe quhet ‘2MIX architetti’.

“Kompeticionin e kam gjetë online, për arsye se kam qenë duke kërkuar temë për me zhvillu për temën e masterit tim dhe si rezultat i bashkëpunimit me ‘2MIX’  kam tentu me fitu kompeticionin, po njëkohësisht edhe me ndërtu punimin shkencor rreth këtij objekti” – ka treguar Bojniku Osmani, për KALLXO.com.

Për ta ridizajnuar shkollën e Kharkiv-it, ai thotë se kishte filluar të punojë në muajin tetor të vitit 2023.

Pasi nuk kishte përvojë të mëparshme të projektimit të një shkolle, Bojniku Osmani shpjegon se çka kishte analizuar derisa të bënte skica dhe vizatime të projektit.

Shumicën e projektit ai theksoi se e ka punuar vet, ndërsa dy kolege e kanë ndihmuar në muajin e fundit, para se ta dorëzonte aplikimin në garë.

“Unë nuk kam projektuar asnjëherë shkollë, as qendër për komunitet. Së pari kam fillu me lexu edhe me bazu punimin- projektin në bazë të kërkimeve në literaturë, dhe prej aty kanë fillu skicat, projektimet, analizat e shkatërrimit, analizat për rindërtim, analizat se si mundemi me kriju një arkitekturë më të qëndrueshme. Realisht këtë projekt e kam projektu vetë, me ndihmën e kolegeve të cilat më kanë ndihmu në muajin e fundit” – ka thënë Bojniku Osmani.

Lendi Bojniku Osmani duke punuar në projektin për shkollën në Kharkiv

Ai nuk kishte pasur ndonjë plan të mëparshëm të shkollës para se të shkatërrohej nga lufta, për ta krahasuar me projektin që kishte krijuar.

“Jo, për arsye se disa informata kanë qenë shumë konfidenciale edhe është dasht disa fotografi me i lyp online, edhe nga, le të themi edhe në Facebook që njerëzit i kanë publiku. Prej aty unë kam fillu rimendimin. E kam pasë shumë të kujdesshme me nderu memorien kolektive duke e rujt kopshtin e brendshëm që e ka pasë shkolla” – tha ai.

Gjendja e shkollës së shkatërruar në Ukrainë dhe projekti i Lendi Bojniku Osmani për ndërtimin e saj, Foto: KALLXO.com

Se projekti i tij ishte përzgjedhur fitues i vendit të parë, ai e kishte kuptuar në shkurt të vitit 2024, përmes profesorit me të cilin ka bashkëpunuar në garë. Në të njëjtën datë, lufta në Ukrainë ka shënuar dy vjet.

Sipas tij në garë kanë marrë pjesë 50 zyre të njohura në botë që ofrojnë shërbime të arkitekturës.

“Lajmin për fitimin e kompeticionit e kemi marr më 24.02.2024 … Unë kam qëndru gjithë natën duke i prit rezultatet, po për një moment s’kam mujt edhe kam thënë në rregull, nesër në mëngjes. Nesër në mëngjes më ka kontaktu profesor Bruno edhe më ka lajmëru që kemi fitu vendin e parë edhe i kemi mujt të gjitha zyret që kanë marrë pjesë, zyre shumë profesionale, zyre nga krejt bota” – ka rrëfyer Bojniku Osmani.

Tashmë, ai pritet që në muajin tetor të vitit 2024 ta prezantojë projektin e tij fitues në Japoni, ndërsa nuk është në dijeni se kur do të fillojë rindërtimi i shkollës, në të cilin sipas tij është menduar të investohet rreth 10 milionë euro.

Përveç në Japoni, ai tha se planifikon ta mbajë edhe një konferencë në Kosovë, për ta prezantuar projektin.

“Rreth 10 milionë është shuma e investimit (për shkollën), po tash në vlerësimet e fundit tona nuk ka dalë afër dy milionë që shkolla ka nevojë për rindërtim” – ka shtuar ai.

25-vjeçari ka qenë edhe pjesë e dy tenderëve tjerë të fituar në Itali, mirëpo projekti që ka fituar në Kharkiv të Ukrainës ka më shumë domethënie për të.

“Unë kam qenë edhe pjesëmarrës në dy tenderë të fituar këtu në Itali, një në Milano e një në Bari. Ky ka më shumë domethënie për mua për arsye se jam rrit në rrëfime të luftës (në Kosovë) edhe ndihem i lidhur me ngjarjet që janë t’u ndodhë në Kharkiv. Edhe ky rindërtim i shkollës në Kharkiv nuk është veç me ndërtu, është për me rikthy shpresën, dinjitetin dhe një ndjenjë të normalitetit për ata që janë të prekur nga konflikti” – ka theksuar Bojniku Osmani.

“Projekti nuk ka vetëm një rëndësi me ndërtu, me rikuperu po ka edhe një simbol personal me mua, për arsye se kush ma mirë se ne që e kemi përjetu luftën [e kupton këtë]. Unë kam lindë në kulminacionin e luftës në Kosovë, edhe jam rritë me tregime, rrëfime nga familjarë, shokë, të afërm. Këto kanë ndikuar thellësisht në formimin tim dhe në kuptimin se si lufta ka ndikim në komunitete. Prandaj edhe qasja në projekt ka një ndjenjë të thellë të rëndësisë së ndërtimit edhe rikuperimit” – ka shtuar ai.

Ai aspiron të kontribojë sa më shumë si arkitekt edhe në Kosovë.

“Patjetër që aspiratat e mia janë me kontribu shumë ma shumë në Kosovë. Kjo është mënyra që unë mundohna me kontribu, si një ‘ambasador’ dhe me ju tregu gjithë shteteve të botës që ka rini edhe në Kosovë që munden me mat vetën edhe me profesionistë me përvojë të fushës së arkitekturës” – është shprehur Bojniku Osmani.

“Një djalë i ri nga Prishtina ka arritë me u shty me 50 zyre botërore edhe e ka zënë vendin e parë. Mendoj që ka arkitektë edhe ka talentë shumë të mëdhenj në Kosovë edhe mendoj që e ardhmja është e jona” – ishte mesazhi i tij për të rinjtë kosovarë që studiojnë arkitekturën në Kosovë apo jashtë saj.

Për këtë sukses që ka arritur, arkitekti 25-vjeçar është intervistuar edhe nga gazeta e njohur italiane “la Repubblica”.

“Në prononcimin tim të fundit në intervistë për ‘la Repubblica’ kam fol shumë për Kosovën edhe ata në artikullin e tyre e kanë cekë (Kosovën)” – tha ai.

Më shumë se dy vjet luftë në Ukrainë

Sipas të dhënave të garës të cilën e ka fituar 25-vjeçari nga Prishtina, shkolla në Kharkiv e njohur si Liceu nr.46 (Lyceum 46) është shkatërruar më 10.07.2022 dhe kishte 1,328 nxënës, 129 mësimdhënës dhe 49 klasë.

E lokalizuar në rrugën “Derzhavinska”, në periferinë juglindore të qytetit ukrainas, shkolla është e specializuar në edukimin e filologjisë, biologjisë, kimisë dhe matematikës, për klasët 1 deri 11.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24.02.2022.

Presidenti rus Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Raportimet e KALLXO.com për luftën në Ukrainë i gjeni në këtë LINK.