DKA në Suharekë ende pa vendim për mësuesen që nuk iu lejua të hynte në shkollë me shami

Javën e kaluar KALLXO.com ka raportuar për Remzie Lezin, mësueses që i ishte pamundësuar që të hyjë në shkollën “Flamuri i Arbërit” në Reshtan të Suharekës, për shkak se ajo ka filluar ta bartë shaminë.

Nëpër rrjetet sociale ishte publikuar një vendim në të cilin thuhej se mësueses nuk i lejohet të ushtrojë profesionin e mësuesisë në shkollë me uniformë fetare.

Shkresa e nxjerrë nga SHFMU “Flamuri i Arbrit”. Foto: Avokat Muhamet Mujaj/ Facebook

Porse, nga Drejtoria Komunale e Arsimit (DKA) në këtë komunë kishin thënë për KALLXO.com se kjo mësuese nuk është pushuar nga puna, dhe se kjo gjë varet nga vendimi që e merr DKA.

“Unë po ju tregoj se ajo (mësimdhënësja) nuk është përjashtuar nga puna sepse këshilli i bordit të shkollës nuk mund ta përjashtojë askënd. DKA-ja e pranon dhe e largon dikënd prej pune… Ata bordi i kanë thënë vetëm për uniformën, jo për mu largu, por i kanë thonë që me atë uniformë nuk lejohet me hy në shkollë” – kishte thënë për KALLXO.com kreu i DKA-së në Suharekë, Remzi Bajselmani, i cili kishte potencuar se DKA do të dalë me një vendim këtë të hënë.

Mirëpo, sot KALLXO.com ka kontaktuar drejtorin Bajselmanin, i cili ka bërë të ditur se mësuesja momentalisht është kthyer në shkollë por që DKA ende nuk ka dalë me një vendim.

“Po jemi në shqyrtim të situatës me kujdes, ajo ka shkuar në shkollë por meqë nuk ka filluar procesi mësimor ende nuk është situata shumë e qartë. Tash jam duke shkuar në shkollë për ta takuar, ajo është duke hyrë në shkollë, rrinë e vetmuar disi, por vendim, ndonjë dokument për të nuk kemi lëshuar”  – është shprehur ai për KALLXO.com.

I pyetur se kur do të dalë DKA me një vendim, Bajselmani është përgjigjur duke thënë se kjo pritet të ndodhë deri të premten.

“Deri të premten gjithsesi. Jemi t’u e përpunu, t’u konsultu njerëz ekspertë drejtën me të thënë se jemi pak të sfiduar”.

Ai gjithashtu ka shpjeguar se drejtorit të shkollës “Flamuri i Arbrit”, Liman Bytyçi, i është thënë që të jetë i qetë në lidhje me këtë situatë.

“Po i kemi thënë drejtorit të jetë i qetë, por komuniteti nuk është pro të drejtën me të thënë. Jam duke shkuar ta diskutojmë me të, ndoshta do ta gjejmë formën. Por ende nuk e kemi marrë një vendim si komunë lidhur me këtë” – ka treguar kreu i DKA-së.

Në anën tjetër, Muhamet Mujaj, avokati i mësimdhënëses Remzie Lezi ka thënë për KALLXO.com se përkundër që Lezit i është lejuar të hyjë në shkollë, asaj nuk i është lejuar që të nënshkruaj në listën sindikale.

“Mësuesja është duke viju në vendin e punës dje dhe sot. Ende nuk kemi ndonjë vendim të DKA-së me shkrim. Dje ka pas provokime e fjalë nga Drejtori i shkollës, nuk e ka leju as drejtori që të nënshkruaj se ka qenë prezent e po ashtu nuk e ka lejuar as përfaqësuesja e sindikatës të nënshkruaj në listë sindikale” – ka thënë Mujaj përmes përgjigjes me shrim.