Shkaku i shamisë mësueses në Suharekë nuk po i lejohet të hyjë në shkollën ku ajo jep mësim

Remzije Lezit nga Reshtani i Suharekës i është pamundësuar që të hyjë në shkollën “Flamuri i Arbërit” ku ajo ushtron profesionin e saj si mësuese për shkak se ajo ka filluar ta bartë shaminë.

Në rrjetet sociale ishte publikuar një vendim në të cilin thuhej se mësimdhënëses nuk i lejohet të ushtrojë profesionin e mësuesisë në shkollë me uniformë fetare.

Shkresa e nxjerrë nga SHFMU “Flamuri i Arbrit”. Foto: Avokat Muhamet Mujaj/ Facebook

Në lidhje me këtë rast ka pasur reagim edhe nga kryetari i komunës së Suharekës, Bali Muharremaj i cili ka thënë bordi i prindërve nuk është institucion i cili punëson apo largon një mësimdhënës nga puna.

Ai gjithashtu ka bërë të ditur se është në udhëtim jashtë vendit por se ka thënë që nga dita e hënë ky rast do të trajtohet me prioritet.

“Për momentin jam në udhëtim jashtë vendit, por që nga dita e hënë  do ta trajtoj me prioritet këtë rast, kjo në përputhje me ligjin, me urdhërin administrativ të Ministrisë së arsimit dhe interpretimit të Gjykatës Kushtetuese, dhe kështu do t’i japim fund edhe debatit krejt të panevojshëm për këtë temë” – ka shkruar Muharremaj në Facebook.

KALLXO.com ka tentuar të marrë një përgjigje nga Liman Bytyçi, drejtori i shkollës “Flamuri i Arbrit” në Reshtan, mirëpo nga kjo shkollë kanë thënë se drejtori nuk do të prononcohet para mediave me arsyetimin se ai do të presë deri sa kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj të kthehet në Kosovë.

Ani pse kreu i kësaj shkolle nuk u prononcua për mediat, njëra nga mësimdhënëset në shkollën “Flamuri i Arbërit”- foli para gazetarëve.

“Nuk është marrë vendimi, nuk është larguar ajo kolege e jona. Na vjen keq që nuk është në grevë me ne. Që 30 vite jemi bashkë, unë jam mësuesja më e vjetër e kësaj shkolle… Ka qenë edhe mësuese e mirë edhe kolege e mirë, të gjitha i ka pas. Mirëpo përzgjedhja, ligji po na thotë që nuk lejon të mbulohet edhe afër mendsh është kjo, shkolla fillore, manipulohen fëmijët shumë lehtë”- ka thënë kjo mësimdhënëse a cila ka shtuar se nuk është marrë ndonjë vendim zyrtar për largimin e Remzije Lazit nga puna.

“Jo, nuk ka qenë vendim i shkollës. Nuk është marrë vendim nga askush as nga DKA-ja, nga askush, vetëm ne si kolegë dhe bordi i shkollës ka bërë një largim të përkohshëm…”- ka thënë ajo para gazetarëve.

Se mësimdhënësja nuk është pushuar nga puna e kanë konfirmuar për KALLXO.com edhe nga Drejtoria Komunale e Arsimit (DKA) në Suharekë.

“Unë po ju tregoj se ajo (mësimdhënësja) nuk është përjashtuar nga puna sepse këshilli i bordit të shkollës nuk mund ta përjashtojë askënd. DKA-ja e pranon dhe e largon dikënd prej pune”- është përgjigjur drejtori i DKA-së në Suharekë, Remzi Bajselmani, i cili ka thënë se DKA pritet të dalë me një vendim të hënën.

“Të hënën, sepse e kam lëndën aty në tavolinë dhe jam duke e shqyrtuar, të hënën pritet të dalim me një vendim se çfarë do të ndodhë me mësuesen në fjalë. Ata bordi i kanë thënë vetëm për uniformën, jo për mu largu, por i kanë thonë që me atë uniformë nuk lejohet me hy në shkollë”.

Ndërkaq, përmes përgjigjes me shkrim Muhamet Mujaj, avokati i mësimdhënëses Remzije Lezi, ka thënë për KALLXO.com se prej të hënës së kaluar kësaj arsimtareje nuk i është lejuar hyrja në shkollë.

“Prej të hënës së kaluar kur ka shku në shkollë, nuk i është lejuar hyrja për shkak se kinse ke ardhë me uniformë fetare e ajo ka vendos vetëm një shami në kokë, nuk dallon prej veshjes së mëhershme, përveç shamisë. Shkresa zyrtare i është dorëzuar të martën, tek pas 7 dite moslejim në shkollë. E kemi drejtuar një kërkesë në DKA që me e anulu shkresën e paligjshme dhe diskriminuese të drejtorit të shkollës. Tash po presim” – është shprehur Mujaj për KALLXO.com.

KALLXO.com merr vesh se mësimdhënësja Lezi e ka vendosur shaminë gjatë verës kur e ka kryer haxhin dhe kur ka shkuar në shkollë për t`u paraqitur nuk e ka hequr shaminë, me ç’ rast nga drejtori i kësaj shkolle i është thënë që ajo të largohet dhe i është thënë se ajo po vie në shkollë me qëllime të caktuara.