Tahir Ahmeti - Foto: Facebook

Ahmeti: Instituti Hidrometeorologjik është dashur t'i paralajmërojë qytetarët për erërat e forta

Tahir Ahmeti, njohës i çështjeve të emergjencave dhe njëherësh bashkëthemelues i Qendrës Kërkimore për Politika të Sigurisë (SPRC), ka thënë se Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës është dashur t’i paralajmërojë qytetarët për erërat e forta që gjatë natës së mbrëmshme përfshinë Kosovën.

“Edhe pse gjatë gjatë mbrëmjes kishim erëra të forta në rajonin e Prishtinës, Drenasit dhe në rajonin e rrafshit të Dukagjinit, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale por njëkohësisht duke u rrezikuar edhe jeta e qytetarëve të vendit, nuk kishte asnjë paralajmërim nga instituti hidrometeorologjik i Kosovës për këto ndryshime klimatike”, ka shkruar Ahmeti në Facebook.

Tutje ai ka thënë se një paralajmërim i tillë është obligativ edhe me Ligjin për këtë Institut, në rastet kur rrezikohet jeta e njerëzve.

“Bazuar në ligjin për veprimtaritë hidrometeorologjike, neni 1.6 e thotë qartë se ku institut duhet të bejë paralajmërimin hidrometeorologjik me dhënien e informatave dhe të dhënave në lidhje me rreziqet e mundshme hidrometeorologjike që mund të ndikojë ose të shkaktojë dëme në njerëz, prona dhe në mjedis”, ka shkruar tutje Ahmeti.

Sipas tij siguria e qytetarëve dhe ruajtja e pronave të tyre është primare, ndërsa institucionet relevante duhet që të jenë në dijeni për përgjegjësitë ligjore që i kanë.

Gjatë natës së mbrëmshme në Kosovë ka pasur erëra të forta të cilat kanë shkaktuar dëme ta konsiderueshme materiale si dhe temperatura shumë të ulëta.

https://kallxo.com/moti-sot-temperaturat-bien-deri-ne-minus-9-grade-celsius/