130 Studentë Pranohen në Konvikte Pas Ankesave

Komisioni për shqyrtimin e ankesave të studentëve për vende në konvikte i ka konsideruar të bazuara vetëm 41 nga 1 mijë e 400 ankesat e pranuara.

Drejtori i Qendrës së Studentëve Fatmir Sfishta tha për KALLXO.com se procesi i shqyrtimit të ankesave ka përfunduar.

Megjithatë, sipas Sfishtës në konvikte pas ankesave në konvikte kanë hyrë edhe 130 studentë nga vendet e zbrazëta dhe ato që nuk janë zënë nga studentët e pranuar.

“Ankesa të bazuara kanë qenë vetëm 41. Vendet që i kemi lënë rezervë për rast të ankesave kanë qenë 56. Mirëpo, gjatë procesit të vendosjes së studentëve që janë pranuar në konvikte, disa prej tyre, diku rreth 74 studentë, nuk i kanë zënë vendet dhe këto vende i kemi plotësuar me ankesa që nuk kanë qenë të bazuara, por përafërsisht i kanë plotësuar kushtet,” tha Sfishta.

Ai tregoi se çfarë kritere janë ndjekur për ata që nuk i kanë plotësuar të gjitha kushtet për banim në konvikte.

“Jemi shkuar te nota mesatare e studentëve me notë mesatare të mirë, studentët me gjendje jo të mirë ekonomike, disa raste me fëmijë të dëshmorëve dhe gjithsej 130 emra me lista të ankesave sot janë shpallur edhe në konvikte, edhe në ueb faqet tona,” sqaroi Sfishta.

Sfishta, tha se shqyrtimi i ankesave të studentëve ka zgjatur 8 ditë nga shkaku që ka pasur shumë ankesa të cilat është dashtë veç e veç të shqyrtohen.

Në komision kanë marrë pjesë zyrtarë të Qendrës së Studentëve, një përfaqësues nga Parlamenti i Studentëve dhe ekipi i monitoruesve të KALLXO.com.

Në shtator Internews Kosova dhe Qendra e Studentëve nënshkruan marrëveshje për monitorimin e konkursit të konvikteve.

Sipas Sfishtës në konvikte sivjet janë pranuar 3 mijë e 500 studentë.

KALLXO.com shkroi edhe për ankesat dhe përzgjedhjen e studentëve nëpër konvikte.