Foto: Atdhe Mulla

DnV: Votimi Familjar Parregullsia më e Shpeshtë

“Raporti i Vëzhgimit të Zgjedhjeve” i publikuar nga Demokracia në Veprim (DnV) për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës me 11 qershor 2017 ka evidentuar se votimi familjar apo në grup ka qenë parregullsia që është raportuar më së shpeshti.

“Kjo dukuri ka qenë më e shpeshta në zgjedhjet e 11 qershorit dhe është raportuar në 845 vendvotime apo 33.9 për qind të vendvotimeve në nivel vendi”, thuhet në raportin e DnV-së.

Kur këto shifra zbërthehen në komuna për parregullsinë e votimit familjar prin Prishtina, e pasuar nga Prizreni, Ferizaj, Gjakova dhe Peja.

Raporti ka evidentuar më shumë sfida se aspekte pozitive në zgjedhjet e 11 qershorit.

Sipas raportit të vëzhgimit nga DnV ndër sfidat më të shprehura në këto zgjedhje ishin numri në rritje i fletëvotimeve të pavlefshme, problemet teknike në regjistrimin e votuesve nga jashtë, listat e pasakta të votuesve dhe prania evidente e personave të vdekur.

U vërejt gjithashtu edhe përdorimi i resurseve publike për qëllime të fushatës zgjedhore, prania e fëmijëve në fushatë dhe numri i ulët i grave në aktivitetet zgjedhore, ndërsa sipas DnV-së pati cenimi të fshehtësisë së votës, vonesa në certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve, akreditim i vëzhguesve të subjekteve politike përmes OJQ-ve fiktive etj.

Këto ojq fiktive nën petkun e të cilave vepronin partitë politike ishin zbuluar nga KALLXO.com ditën e zgjedhjeve.

http://kallxo.com/skandali-zgjedhjeve-pdk-e-aak-fshehin-vezhguesit-partiake-ne-ojq-joaktive/

Të gjeturat kryesore të raportit tregojnë se incidente janë evidentuar vetëm në komunat me shumicë serbe duke përfshirë Leposaviqin dhe Graçanicën. E gjuha e urrejtjes është evidentuar në 30 raste.

Një ndër sfidat e zgjedhjeve të 11 qershorit ishte edhe shfrytëzimi i resurseve publike dhe pjesëmarrja e shërbyesve civilë në aktivitete të fushatës.

“Veturat zyrtare kanë qenë resurset publike që janë përdorur më së shpeshti nëpër aktivitete të fushatës zgjedhore nga subjektet politike, gjithsej në 57 aktivitete. PAN dhe LAA  prijnë për nga numri me nga 25 raste secila”, thuhet në raportin e publikuar nga DnV.

Sa i përket pjesëmarrjes së shërbyesve civilë në aktivitetet e subjekteve politike janë evidentuar 49 raste. Edhe në këto raste PAN dhe LAA kanë dominuar me përdorim  më të madh të këtyre resurseve, thuhet në raport.

Propaganda politike brenda vendvotimit në ditën e zgjedhjeve nga DnV është evidentuar në 80 raste.

“Këtu përfshihen rastet si lejimi i votuesve në vendvotim me simbole të subjekteve politike, promovimi i subjekteve politike gojarisht përmes komisionarëve apo vëzhguesve si dhe për prani të materialeve propaganduese brenda perimetrit të ndaluar”, shkruhet në raport.

Kurse komunat në të cilat ka pasur më së shumti propagandë politike brenda vendvotimeve janë Ferizaj, Prishtina, Suhareka, Deçani dhe Gjakova.

Fotografimi i fletëvotimit gjithashtu e ka përcjellë edhe këtë proces zgjedhor, madje është evidentuar më shumë se në zgjedhjet e vitit 2014.

Në zgjedhjet e 11 qershorit janë evidentuar 166 raste të fotografimit të fletëvotimit, apo pesë herë më shumë se në zgjedhjet e kaluara në të cilat ishin 33 raste.

Tentimi për të votuar më shumë se një herë është evidentuar nga DnV në 176 raste në 68 vendvotime të ndryshme nga të gjitha vendvotimet e hapura në Kosovë.