Viktimat e Srebrenicës Nderohen nga Aktivistët në Beograd

Duke mbajtur në duar pankarta me mbishkrime si “Ne kurrë nuk do të harrojmë gjenocidin në Srebrenicë” dhe “shumë të rinj për ta mbajtur mend, të vendosur ta mos harrojmë”, rreth 100 beogradas u bashkuan të hënën në mbrëmje për të përkujtuar 21-vjetorin e masakrave të vitit 1995, organizuar nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, një OJQ.

Ata vendosën letra me numra të shtypura në trotuar për të simbolizuar 8,327 burrat dhe djemtë boshnjakë nga Srebrenica që u vranë nga forcat serbe të Bosnjës.

Anita Mitiq, drejtore e Nismës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, tha se ata vendosën ta bëjnë përkujtimin përpara parlamentit, për shkak se legjislativi vazhdon të injorojë kërkesat për të miratuar një rezolutë që do ta quante masakrën e Srebrenicës, gjenocid.

“Ne donim të përkujtonim 21-vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë, pasi na ndaluan ta bënim këtë vitin e kaluar dhe eventi ynë u ndalua. Ne megjithatë po e përkujtojmë tani, në një moment specifik kur kemi parti të ndryshme politike në parlament që e kanë mbështetur drejtpërdrejt gjenocidin ose kanë marrë pjesë në luftë apo e mohojnë haptazi”, tha Mitiq.

Qeveria serbe nuk pranon se masakra e Srebrenicës përbën gjenocid, pavarësisht vendimeve të gjykatave ndërkombëtare dhe boshnjake, dhe nuk ka organizuar ndonjë ngjarje për të përkujtuar viktimat.

Vitin e kaluar në përvjetorin e 20-të, të gjitha ngjarjet përkujtimore të Srebrenicës u ndaluan në Beograd, sipas policisë për “arsye të sigurisë” pasi të djathtët kërcënuar kundër-demonstrata.

Në mars të vitit 2010, parlamenti serb miratoi një rezolutë që dënon masakrën, por nuk arriti ta quante atë gjenocid. Në të kaluarën, parlamenti ka lëshuar edhe deklarata ngushëllimi për viktimat në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Dy fraksione të pakicave në parlament, një e përbërë nga Partia Demokratike Liberale dhe Partia e Aksionit Demokratik të Sanxhakut, tjetra e përbërë nga Lidhja e Social Demokratëve të Vojvodinës dhe Partia e Gjelbër, dorëzuan një propozim muajin e kaluar për miratimin urgjent të një rezolute për gjenocid, por ata nuk arritën të mbledhin mbështetje të mjaftueshme nga deputetët që të miratohej.

Përkujtimi i këtij viti në Srebrenicë u shënua nga një mosmarrëveshje e hidhur ndërmjet zyrtarëve serbë dhe boshnjakë, pasi komiteti organizator refuzoi të ftonte këdo që ka mohuar se masakrat ishin gjenocid.

Marko Gjuriq, kreu i zyrës së qeverisë serbe për Kosovën, u përgjigj me zemërim se “dora e pajtimit” të Beogradit nuk ishte pranuar, dhe akuzoi boshnjakët se kishin organizuar një “inat shovinist”.

Si rezultat, asnjë zyrtar i Serbisë ose entitetit të Bosnjës të mbizotëruar nga serbët, Republika Srpska nuk mori pjesë në këtë ngjarje përkujtimore në Srebrenicë të hënën, edhe pse kreu i Partisë Demokratike Liberale të opozitës, Çedomir Jovanoviq mori pjesë.

“Kjo është arsyeja pse është më e rëndësishme se kurrë më parë që të mbahet ky përkujtim në Beograd në këtë atmosferë,” tha Mitiq.

“Sot në Serbi ne nuk flasim për viktimat, as në lidhje me përgjegjësinë për gjenocidin, i cili shtrihet në Beograd. Dhe 20 vjet pas, ne nuk kemi bërë praktikisht asnjë përparim,” shtoi ajo.

Vitin e kaluar në Srebrenicë, përkujtimet e 20-vjetorit u prishën kur kryeministri serb Aleksandër Vuçiq u sulmua me shishe dhe gurë nga vajtuesit e zemëruar.

Gjykatat serbe po i hetojnë vrasjet e Srebrenicës si krimet lufte, jo si gjenocid, duke përmendur “provat e pamjaftueshme dhe çështjet ligjore” si arsye.

Në çështjen e parë të lidhur me Srebrenicën në Serbi, ish-ushtari serb i Bosnjës, Brano Gojkoviq u dënua me dhjetë vjet burg në shkurt të këtij viti, pas një marrëveshje me prokurorët, duke pranuar se ai ka marrë pjesë në ekzekutimin e 800 boshnjakëve nga Srebrenica në vitin 1995.

Një rast tjetër i Srebrenicës vazhdon ende në një gjykatë serbe, ku vepra është përcaktuar si një krim lufte.