Protestuesit në Sarajevë të mërkurën. Foto: BIRN.

Veteranët Boshnjakë Protestojnë Kundër Uljes së Pensioneve

Qindra ish-pjesëtarë të Ushtrisë Boshnjake dhe të Këshillit Kroat të Mbrojtjes u mblodhën jashtë ndërtesës së Qeverisë të entitetit të Federatës në Sarajevë të mërkurën, duke kërkuar që pensionet e tyre të llogariten si para se të miratohej një ligj në vitin 2013.

Ligji ndryshoi mënyrën si përllogariten pensionet për veteranët e luftës, duke ulur ndjeshëm të ardhurat mujore të shumë veteranëve në Federatë, entiteti me shumicë boshnjake dhe kroate.

Ndryshimet ishin një kusht që Fondi Monetar Ndërkombëtar vuri me qëllim që të miratonte një sasi kredish për Bosnjën dhe Hercegovinën, dhe që vendit i nevojiteshin urgjentisht për të ruajtur stabilitetin e tij fiskal.

Ish-ushtarët që dolën në pension midis vitit 1997 dhe 2008 humbën 20 deri në 70 për qind të pensioneve të tyre.

“Ky është faji i komunitetit ndërkombëtar, sepse ata vënë kushte për të ulur buxhetin dhe Qeveria jonë e pati më lehtë të ulte shpenzimet tona”, tha për BIRN  ish-mjeku i ushtrisë Muhamed, në fund të të 50-tave të tij.

Ai tha se tani merr rreth 370 marka boshnjake (rreth 190 euro) çdo muaj, ndërsa më parë merret rreth 700 marka (rreth 360 euro).

Përfaqësues të ish-ushtarëve, Unioni i Shoqatave të Veteranëve, u përpoq të negocionte një marrëveshje të re me Qeverinë.

Unioni tha se ishte premtuar se çështja do të zgjidhej deri më 1 janar, por Qeveria nuk ka gjetur ende një mënyrë për të trajtuar kërkesat e tij.

Në tubimin në të cilin morën pjesë e disa jo-veteranë, kishte edhe prani të madhe forcash policore.

“Erdha këtu që të mbështes këta njerëz të cilëve u është marrë dinjiteti”, tha për BIRN Meho, një student 24 vjeçar.

“Ata morën pensionin të cilin e fituan duke luftuar kur ishin të rinj, që ne të mund të jetojmë jetën tonë dhe të arsimohemi”, tha ai.

Pasi një grup përfaqësuesish të veteranëve hynë në ndërtesën qeveritare të Federatës në përpjekje për të negociuar një marrëveshje, Qeveria pranoi të nënshkruante një dokument që e detyron atë të fillojë punën për legjislacionin e ri.

Premtimi i Qeverisë bëri që përfaqësuesit e veteranëve të lajmëronin se protesta për momentin pezullohej.