Kryeshefi i Agjencionit Pyjor të Kosovës | Foto: KALLXO.com

Tre Muaj Bllokim i Aplikimeve për Tokat Pyjore

Qytetarët janë ankuar në KALLXO.com se Agjensioni Pyjor i Kosovës nuk po pranon dokumentacionin e aplikuesve për shfrytëzimin e tokës.

Këtë veprim kallxuesit e kanë cilësuar si konflikt interesi dhe të paligjshëm.

“Agjencioni Pyjor i Kosovës si përgjegjëse për menaxhimin e tokës pyjore në Kosovë, në kundërshtim me ligjin nuk lejon bizneset që të aplikojnë për shfrytëzim të tokës. Kjo praktikë është duke vazhduar qe 6 muaj. Nëse shkoni për të aplikuar ju thonë që nuk pranojmë aplikacione”, thuhet në ankesën e ardhur në KALLXO.com.

Ankuesit shprehin dyshime se aplikacionet nuk po pranohen për t’ia mundësuar ndokujt përfitimin.

“Cili ligj ua mundëson atyre të mos pranojnë aplikime, ata mund të ju refuzojnë, por jo të mos pranojnë dokumentacionin. Qëllimi është që ata me ndikim të dikujt për arsye konkurrence nuk ju mundësojnë të tjerëve të veprojnë. Si institucion publik nuk mund t’i selektojnë kompanitë se kujt duhet pranu e kujt jo aplikacionin”, vijon më tutje raportimi në KALLXO.com.

Por kryeshefi i Agjencionit Pyjor të Kosovës Ahmet Zejnullahu thotë se aplikacionet për shfrytëzimin e tokave pyjore nuk janë pranuar për shkak të grumbullimit të kërkesave në vitin 2016.

“Duke pasur parasysh që vitin e kalum kemi pasur kërkesa të shumta edhe kemi pasur grumbullim të kërkesave ne kemi vendosë që të gjitha kërkesat e vitit 2016 të shqyrtohen të vendosen edhe ashtu është vepruar, ndërsa kërkesat e vitit 2017 e kemi shty një afat për aplikim.

Zejnullahu tregon për KALLXO.com se aplikacionet nga Agjencioni Pyjor i Kosovës për sivjet kanë nisur të pranohen nga muaji mars.

“Aplikimin e kërkesave për vitin 2017 e kemi fillu me i pranu edhe është një numër mjaft i madh i kërkesave të cilat janë paraqitur gjatë këtij viti. Aplikimi i tyre ka fillu gjatë këtij viti por intensiteti i tyre është dikund në fillim të marsit, edhe kështu që çdo kërkesë që paraqitet tek ne e pranojmë edhe çdo kërkesë i nënshtrohet edhe verifikimit të komisionit në terren”, tha Zejnullahu.

Ndërprerja e pranimit të aplikacioneve sipas Zejnullahut ishte bërë në muajin dhjetor të vitit të kaluar.

Grumbullimin e aplikacioneve të pashqyrtuara për tokat pyjore, Zejnullahu e lidh me mungesë të stafit.

“Ne në nivel të agjencionit e kemi një komision i cili shqyrton të gjitha kërkesat në territorin e Republikës së Kosovës. Grumbullimi i madh i kërkesave ka bo që komisioni nuk ka arritur brenda afatit t’i shqyrtojë kërkesat për arsye se numri i tyre ka qenë mjaft i madh”, tregoi Zejnullahu.

Ai shpjegoi procedurat e shqyrtimit të aplikacioneve për tokat.

“Secila kërkesë duhet të shqyrtohet në vendin e ngjarjes, duhet të bëhen rekomandimet edhe në bazë të rekomandimeve jepet aprovimi apo refuzimi i çdo kërkese”, sqaroi Zejnullahu.

Komisioni për shqyrtimin e aplikimeve për shfrytëzimin e tokës, përbëhet prej pesë anëtarësh, tre nga Agjencioni Pyjor dhe dy nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural. Ndërsa, komisionerët dalin në terren, dy ditë në javë.