Çekani i gjykatës - Foto: KALLXO.com

Të Rinjtë nga Peja Dënohen për Grabitje në Prishtinë

Një i akuzuar për grabitje dhe posedim të armës dhe dy të tjerë të akuzuar për grabitje janë dënuar me burg dhe gjobë nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Labinot Gashi nga Peja u dënua me 4 vjet burg dhe një gjobë prej 500 euro ndërsa Jetmir Gashi dhe Arianit Gashi u dënuan me nga 3 vjet e tetë muaj burg dhe gjobë të njëjtë sikurse i akuzuari i parë.

Përderisa Labinot Gashi akuzohej për grabitje dhe mbajtje në pronësi, kontroll, posedim apo shfrytëzim të paautorizuar të armëve, Jetmiri dhe Arianiti akuzoheshin vetëm për veprën e parë penale.

Ata u gjetën fajtorë nën akuzën se më 21 shkurt të këtij viti, rreth orës 19:30, në bulevardin ”Bill Clinton”, në Prishtinë, kishin grabitur me forcë, nën kërcënim të armës një pikë shitëse të kompanisë “IPKO”- “Euro Phone”.

Të pandehurit të maskuar dhe nën kërcënimin e armës së zjarrit i kanë grabitur një sasi të hollash nga arka e lokalit në shumë prej 500-600 euro dhe telefonin celular të të dëmtuarës Selvije Smajli.

Të njëjtin telefon i pandehuri Jetmir Gashi ia kishte shitur Besart Gashit.

Të pandehurve në dënim do t’u llogaritet edhe koha e qëndrimit në paraburgim prej datës 20 shkurt, kur ishin arrestuar.

Redaktoi: Naser Sertolli