Fasada e shembur e stadiumit "Qemal Stafa" | Foto: Ivana Dervishi

Shqiptarët Kanë Ndjenja të Përziera për Fatin e Stadiumit “Qemal Stafa”

Qytetarët e Tiranës edhe pse e duan stadiumin e ri, dëshirojnë të ruajnë edhe trashëgiminë kulturore të “Qemal Stafës”

Shembja e stadiumit historik “Qemal Stafa” për t’i hapur vendin projektit 50-milionë euro të “Arenës Kombëtare” është pritur me skepticizëm nga qytetarët e Tiranës, të cilët kanë filluar të vënë në dyshim vullnetin politik për ruajtjen e trashëgimisë kulturore.

NDËRLIDHUR

Pikëpyetjet për atë që do të ruhet nga stadiumi i vjetër u shndërruan në një debat publik të premten, pas qarkullimit në media të fotove të shkatërrimit të fasadës dhe trajtimit pa kujdes të dy basorelieveve në hyrje të tribunës së stadiumit të vjetër.

Të vënë përballë dëshirës për një stadium të ri dhe obligimit për të ruajtur fasadën e “Qemal Stafës”, pjesë e ansamblit monumental të Sheshit “Nënë Tereza”, qytetarët kanë ndjenja të përziera.

“Sporti shqiptar është rritur. Ne u përfaqësuam denjësisht në Kampionatin Europian në Francë dhe është një lajm i mirë që më në fund do të kemi një stadium të ri, pasi ai i mëparshmi nuk kishte kapacitetin e duhur,” tha për BIRN Izeti një pensionist nga Tirana.

“Duhet t’i lëmë zbatuesit e projektit ‘të cilët e dinë më mirë këtë punë’ të çojnë përpara projektin e tyre,” shtoi ai.

Andon Marku, 40 vjeç nga Tirana ndan të njëjtin mendim.

“Nëse ekspertët vlerësojnë se struktura aktuale nuk ka ndonjë vlerë për t’u ruajtur, atëherë stadiumi i ri le të jetë një mundësi për t’ia nisur nga fillimi,” tha Marku për BIRN, i ulur në një nga lotosportet e Tiranës.

Megjithatë, jo të gjithë mendojnë se tifozët shqiptarë duhet të heqin dorë nga trashëgimia historike e së shkuarës për të pasur një stadium të ri, modern që nuk reflekton asnjë vlerë shqiptare.

“Trashëgimia kulturore e një vendi përfaqëson dinjitetin dhe madhështinë e tij dhe pavarësisht periudhës historike të cilës i përket, humbja e saj është humbje artistike dhe historike e pazëvendësueshme,” tha për BIRN, Juri Dashi, një artist nga Tirana.

Ndjeshmëria për stadiumin nuk u përket vetëm artistëve, por edhe tifozëve që janë ulur dhe do të vazhdojnë të ulen në shkallët e tij.

“Ndonëse jam e re në moshë, kjo nuk më bën të mos di historinë 70-vjeçare të atij stadiumi. Aty gjenden kujtimet më të bukura të brezave të sportit, që janë dëshmuar më së miri,” tha për BIRN, sportdashësja Albina Ruko, 20 vjeçe.

“Kjo qeveri po sheh vetëm interesat e saj dhe prishja e stadiumit e vërteton më së miri këtë. Tashmë nuk bëhet fjalë për histori, por vetëm për interesa,” shtoi ajo.

Edhe artisti Dashi i sheh interesat si një pengesë madhore të përparimit të Shqipërisë.

“Ndjesia për të ruajtur sadopak nga e kaluara historike është zëvendësuar me kohë nga dëshira për të fituar sa më shumë para mbi atë që është e të gjithëve,” tha ai.

Nëse brezat që do të vijnë, do të kërkojnë të mësojnë për të kaluarën e tyre, nuk do të mund t’ju tregojmë asgjë, përveç një mbishkrimi të pluhurosur diku në një cep të betontë të progresit: “Këtu ka qenë dikur stadiumi i vjetër,” përfundoi Juri Dashi.

Projekti “Arena Kombëtare” nuk do të shërbejë vetëm si një stadium me një kapacitet prej 22.500 vendesh, pasi projekti parashikon gjithashtu hapësira zyrash dhe biznesi, si dhe një kullë të lartë multifunksionale.

Kryeministri Rama reagoi në Facebook duke kritikuar ata që i quajti si “kujevënësit profesionistë” dhe hodhi poshtë që basorelievet në qendër të debatit të kenë ndonjë vlerë historike.

“Ato basorelieve që turpëronin edhe Realizmin Socialist, e kanë kryer misionin e tyre të shëmtimit e nuk hyjnë askund si vlerë e trashëgimisë kulturore,” shkroi Rama.

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, megjithatë siguroi se “Çdo gur do të pastrohet, konservohet dhe fasada do të restaurohet sipas teknologjive më bashkëkohore siç e ka projektuar Gherardo Bosio…”, ndërsa shpërndau statusin e Ramës për “imponim të Arenës Kombëtare me të gjithë rrezatimin e saj”.

Pensionisti Zejqo Muaj, megjithatë nuk është dakord me idenë e imponimit.

“Stadiumi i ri duhet të bëhet, por ai duhet të bëhet ashtu siç e duan njerëzit. Çdo punë duhet të pasqyrojë idenë e një shoqërie të ndërtuar mbi të drejtën,” tha Muaj për BIRN.

“Ne duam t’u lëmë diçka të dobishme brezave të ardhshëm dhe nuk duhet ta bëjmë këtë duke lënë jashtë trashëgiminë kulturore, pasi ajo i përket popullit shqiptar pavarësisht së cilës periudhë,” përfundoi ai.

Marrë nga reporter.al 

15 Gusht 2016 - 09:16

Ivana Dervishi, BIRN Tiranë 15/08/2016 - 09:16
NDËRVEPRIMI0