Foto-ilustrim
Rezervim në Shtëpinë e Ushqimit
Asnjëherë nuk pajtohem me ata që thonë se duhet punuar vetëm për para. Bile, kjo as që është e mirë të thuhet.
Mirëpo, gjatë ditëve të punës, shumë mendoj edhe për anën tjetër – si do të kaloj fundjavën? Ca kohë e kaluar me miq, pije e ushqim i bën mirë gjithçkaje përreth. Po, po, edhe zhvillimit të biznesit vendor 🙂
Kështu që po ju njoftoj se këtë fundjavë do të shkoj pasdite në Country House (Shtëpinë e Fshatit), në Bërnicë, rreth 10 minuta me makinë nga qendra e Prishtinës.
Duhet të jetë mot i mirë me diell dhe ata kanë një terracë të shkëlqyer, me ajër të pastër dhe pamje që bëhen gjithnjë e më të gjelbra.
Mirëpo, nuk është vetëm kjo anë prozaike që më bën të kthehem dhe të mendoj për këtë vend. Në brendinë time tani ajo njihet plotësisht si Shtëpia e Ushqimit.
Do t’ia nis drekës me bukë (pitalkë) të nxehtë dhe një lloj lëngu që e shërbejnë nga shtëpia po që s’është krejt tradicional. Duhet të jetë zakonisht nisje e fuqishme. Pastaj do marr sallatë shtëpie sa për të mos e ngutur drekimin, një raki dardhe dhe ujë me akuj.
Do të vazhdoj me tavën e elbasanit që ka shijen më kënaqësidhënëse, pastaj me tavë me muskuj viçi si dhe me pak nga menyja e mishit të përzier, ani pse menyja është shumë e gjerë.
Gjithçka që mbetet është muhabeti i mirë, por me këtë ushqim në tavolinë ai është pothuajse gjithmonë pjesë e sigurt e pakos.
Pjesa tjetër e fundjavës është krejt private 🙂
Adresa: Bërnicë e Epërme, rrugës Prishtinë-Podujevë
Hapur: 10-23
Kontaktet: +381 38 515 255, +377 44 656 054