Policia e Shtetit- Tirane- Foto: Policia e Shtetit/Facebook

Policia e Tiranës Konfiskon 155 Kilogramë Kanabis

Tre djem të rinj janë vënë në prangat e Policisë së Tiranës, të kapur teksa transportonin lëndë narkotike.

Në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative këtë të shtunë u sekuestrua një sasi prej 155 kg drogë e llojit kanabis sativa, ndërsa në pranga kanë përfunduar tre persona dhe një i katërt është shpallur në kërkim.

Policia e Tiranës sqaron se ka arrestuar të rinjtë Kejvin Vathi, 23 vjeç, banues në Tiranë, Gëzim Laçi, 26 vjeç, banues në Krujë, Arian Laçi, 23 vjeç, banues në Krujë, si dhe u shpall në kërkim shtetasi M.K., 32 vjeç, banues në Krujë.

Në rrugën “Skënderbeu” gjatë kontrollit të ushtruar në automjetet tip “Audi” dhe “Golf 4”, me të cilët lëviznin të dyshuarit, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 155 kg bimë narkotike kanabis sativa.

Gjithashtu u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 131 000 lekë të reja, dy automjete dhe 4 telefona celularë.

Ndaj të dyshuarve hetimet janë në vijim, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme. /21Media