Policia e Kosovës në Vitin 2015 Synon Interpolin

Policia e Kosovës paraqiti raportin vjetor në përmbyllje të vitit dhe ndau mirënjohje për policët me performancën më të mirë për vitin 2014.

Drejtues të policisë, në këtë ngjarje thanë se kanë arritur të krijojnë marrëdhënie bashkëpunimi me të gjitha agjencitë e sigurisë në rajon dhe më gjerë.

“Anëtarësimi i Kosovës në Interpol dhe institucionet e tjera relevante është synimi i avancimit në fushën ndërkombëtare”, tha drejtori i Policisë, Shpend Maxhuni.

Ai u shpreh se është krenar për punën e bërë por edhe janë të vetëdijshëm se u mbetet shumë për të bërë në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe terrorizmit.

Nga ana tjetër Ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, tha se në vitin 2015 Policia e Kosovës me bashkëpunëtorët e saj do të ofrojnë rezultate të prekshme.

Ai u zotua se nuk do të lejojë që Kosova të shndërrohet as në vend origjine as në rrugë transite për ekstremizma të çfarëdo lloj natyre.

Ndërsa tregoi se në çka do të fokusohet puna e tij në vitin 2015.

“Këtu bënë pjesë lufta e pa kompromis kundër tregtisë me njerëz, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe lufta kundër ekstremizmit të dhunshëm”, u shpreh ministri Hyseni.

Ai tha se duhet të demonstrohet qartë që Kosova është shtet i pavarur dhe se është në drejtim të integrimit në strukturat e Bashkimit Evropian dhe NATO-s.

Në këtë ceremoni u ndanë mirënjohje për policët me performancën më të mirë ndërsa Letër Falënderimi morri edhe Durim Shala nga Rubrika Policia në emisionin “Drejtësia në Kosovë”.

Në të thuhet se Policia e falënderon Shalën për kontributin e tij dhënë në bashkëpunimin dhe pasqyrimin e punës policore.