Komuna e Prishtinës | Foto: KALLXO.com

PDK e Akuzon, Komuna e Prishtinës e Vlerëson Fushatë

Zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Adonis Tahiri, e ka quajtur “fushatë të parakohshme” kallëzimin penal të bërë në Prokurorinë Speciale nga Dega e PDK-së në Prishtinë kundër kryetarit, drejtorëve dhe ish-drejtorëve të Komunës.

“Fushata do të duhej të fillonte të enjten, jo sot”, është shprehur Tahiri për KALLXO.com.

Ndryshe, Dega e PDK-së në Prishtinë ka njoftuar se ka bërë kallëzim penal për leje të dyshimta ndërtimore kundër kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti, ish-drejtorit të Urbanizmit, Liburn Aliu, ish-drejtorit të Inspektoratit, Salih Zyba, drejtorit të Financave, Ismail Kokaj, si dhe kundër ish-sekretarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj.

Partia opozitare në kryeqytet ngre dyshime se personat kundër të cilëve është dorëzuar kallëzimi kanë kryer veprën penale “krim i organizuar”, ku “me dashje direkte dhe me vetëdije, me qëllim të ushtrimit të veprimtarisë së kundërligjshme të grupit të organizuar u kanë mohuar të drejtat e lejes së ndërtimit në kundërshtim me nenin 21 të Ligjin nr.04/L-110 për Ndërtim, neni 4 paragrafi 2 të Ligjit nr.03/L-040 për Vetëqeverisje Lokale, si dhe në kundërshtim me Planin Rregullativ të Komunës së Prishtinës kanë kryer veprime kundërligjore”.

Në kallëzimin penal, Dega e PDK-së përmend shembujt në lagjen “Lakërishte”, pas Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, është mohuar një leje ndërtimi për objekt, ndërsa në vijë të drejtë të ndërtimit është lëshuar leja e ndërtimit për një objekt tjetër.

Rasti i njëjtë, sipas PDK-së së Prishtinës, është edhe në lagjen “Arbëria”, afër objektit të ri të Komunës, ku edhe pse qytetarët i posedojnë lejet urbanistike prej vitit 2006, Komuna e Prishtinës i penalizon duke mos iu lëshuar leje ndërtimore.

Gjithashtu, në kundërshtim me nenin 21 të Ligjit nr.04/L-110 për Ndërtim dhe në kundërshtim me Planin Rregullues, Komuna e Prishtinës ka lëshuar leje ndërtimi në hapësirë gjelbëruese në lagjen “Bregu i Diellit”, konkretisht në Rrugën B, thekson PDK.

Kallëzimin penal e kanë dorëzuar në Prokurorinë Speciale sekretari i këtij subjekti politik në Prishtinë, Bujar Cakolli, së bashku me avokatin e autorizuar të tyre, Alban Arifi.