array(1) {
  [0]=>
  array(4) {
    ["archive_color"]=>
    string(7) "#B9D156"
    ["menu_attr"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["main_title"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["custom_item"]=>
    string(8) "?level=5"
  }
}

Rrena e Kryptë për Marrëveshjen për Drejtësi

Deklarata

Edita Tahiri: “Kjo marrëveshje është e rëndësishme për shtetin dhe qytetarët e saj, sepse institucionet shtetërore të drejtësisë me 10 janar 2017 do të fillojnë funksionimin tashmë në tërë territorin e shtetit tonë si dhe më në fund qytetarët do të mund të kërkojnë drejtësi nga institucionet shtetërore të Kosovës”

Edita Tahiri

Vlerësimi

Rrenë e kryptë

Marrëveshja për Drejtësinë nuk ka nisur implementim në terren. Kryeprokurori dhe kryegjykatësi i Mitrovicës kanë konfirmuar se marrëveshja nuk ka nisur së zbatuari edhe përkundër përgatitjeve të kryera.

Artikulli

Ministrja për Dialog Edita Tahiri në fund të nëntorit të vitit të kaluar kishte deklaruar 10 janarin si datë për finalizimin e Marrëveshjes për Drejtësi.

Tri javë pas tejkalimit të datës së premtuar, kryenegociatorjaTahiri hesht për pazbatueshmërinë e saj duke u arsyetuar me tensionet e krijuara.

E Nehat Idrizi, kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, tha për KALLXO.com se kjo marrëveshje për shkak të ndërrimit të rrethanave nuk fillon.

“Marrëveshja për Drejtësi për shkak të rrethanave të reja nuk fillon. Për detaje tjera drejtojuni ministres për Dialog EditaTahiri”, ka thënë ai.

Marrëveshja për Drejtësisë  parasheh shuarjen e strukturave paralele në sistemin gjyqësor që kanë vepruar në veri të vendit në mënyrë ilegale. Serbia ishte obliguar që deri më 9 dhjetor të njoftojë BE-në me shkrim për shfuqizimin e kontratave të punës dhe ndaljen e pagesave për gjyqtarë e prokurorë serbë të cilët parashihen të integrohen në sistemin gjyqësor të Kosovës.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Gjykatës së Mitrovicës Ali Kutllovci nuk e di se kur do të vendosen në objektet e Gjykatës në Mitrovicën Veriore.

“Nuk kam asnjë informatë detale se çka, ose kur do të bëhet kjo (kthimi në objektin e gjykatës) përveç informatave që kemi nga mediat se ne pritej të vendoseshim më 20 janar”, ka deklaruar për Emisionin “Drejtësia në Kosovë” Ali Kutllovci, ushtrues detyre i kryetarit të Gjykatës së Mitrovicës.

I painformuar për fatin e marrëveshjes është edhe kryeprokurori Shyqeri Syla.

Ai ka thënë se premtimet kanë qenë që do vendoseshin në objektin e marrë me qira në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicën Veriore me datë 17 janar, por kjo nuk ka ndodhur.

“Zyrat janë të gatshme, janë bërë ndarjet, është e pajisur me inventar është e pajisur me të gjitha. Ndërsa ju e dini që është arritur një marrëveshje për integrimin e të prokurorëve të komunitetit joshumicë dhe pa realizimin e kësaj marrëveshjeje nuk e besoj se do kthehemi. Data e fundit ka qenë 17 janari, nuk është realizuar, po shpresoj që ndoshta shpejt do bëhet edhe kjo.  Arsyeja qe s`jemi kthyer ende është si shkak i mosrealizimit të marrëveshjes së arritur në Bruksel, marrëveshjes politike. Mund të them se jemi viktimë e kësaj marrëveshjeje për momentin, sepse për nëntë vjet ne jemi këtu në Vushtrri dhe punojmë në kushte mizerje”, ka thënë Syla