Jakup Krasniqi- Ish kryeparlamentar

Krasniqi: Daçiq Synon të Krijojë një ‘Republika Srpska’, në Kosovë

Kryetari i Asamblesë të Përgjithshme të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi ka paralajmëruar për qëllimet e Ivica Daçiq që sipas tij po tenton të krijojë një Republika Srpska në Kosovë.

Përmes një statusi në Facebook, Krasniqi tha se institucionet duhet të kenë kujdes karshi kërkesave të negociatorit Daçiq nëpërmjet dialogut Kosovë-Serbi.

Ai tha se marrëveshja e nënshkruar për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë nga Daçiqi nuk shihet si asociacon.

“…Serbët, pa bisedimet e Brukselit, mund ta marrin Statusin ekzistues të komunave dhe ta formojnë asociacionin që u takon, pra ashtu sic është edhe për komunat e tjera të Kosovës. Ndërsa, vet kërkesa për t’u biseduar Asociacioni në Bisedimet e Brukselit do të thotë se fjala nuk është për Asociacion, por për diçka më shumë”, shkroi ai.

Ai po ashtu kërkoi kujdes nga akterët e përfshirë në dialog në mënyrë që të mos bëhet ‘një minim i rrezikshëm në Republikën e Kosovës’.

“Pra për të gjithë, në Kosovë e në Bruksel duhet ta dinë se nuk është fjala për Asociacion të komunave me shumicë serbe, por për një Republika Serbska në Kosovë, të ngjashme me atë të B e H.Kushdo që ta injoron ketë, merr përgjegjësi të madhe mbi vete! Pasi këtu nuk po kërkohen të drejtat që u takojnë qytetarëve serbë të Kosovës me dokumentet e përmendura, por po kërkohet minim i rrezikshëm në Republikën e Kosovës. “, shkroi ai.