Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Foto: Pixabay.

Gjykata Europiane Refuzon Çështjen e të Burgosurve Boshnjakë Kundër Serbisë

Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut ka hedhur poshtë një ankim të dytë të paraqitur në emër të boshnjakëve të arrestuar dhe torturuar në kampet Shlivovica dhe Mitrovo Pole në Serbi në vitin 1995, tha Qendra për të Drejtën Humanitare në Beograd, e cila përfaqësonte familjet.

Boshnjakët u ndaluan pasi u larguan drejt Serbisë për t’iu arratisur luftës në Bosnje dhe Hercegovinë.

Njësoj si me ankesën e tyre të parë kundër Serbisë, e cila u hodh poshtë në tetor 2016, gjykata tha se ishte e papranueshme për shkak se ajo ishte paraqitur shumë vonë.

Por Qendra për të Drejtën Humanitare tha se argumentet e Gjykatës Europiane nuk u vërtetuan nga faktet.

“Kjo dhe raste të ngjashme tregojnë një tendencë të qartë të gjykatës në Strasburg për të gjetur arsye formale, siç është dorëzimi në kohë i kërkesave për të shmangur raste me implikime politike të ndjeshme,” tha HLC në një deklaratë.

Ajo u shpreh se të dyja kërkesat ishin “mënyra e vetme” për të kërkuar drejtësi për viktimat dhe familjet e tyre.

Kur qyteti boshnjak i Zepës u pushtua nga forcat serbe të Bosnjës në korrik 1995, boshnjakët hynë në Serbi, me shpresën se do të gjenin strehë.

Ata u zbuluan nga rojet kufitare serbe dhe u dërguan në kampet e paraburgimit në Shlivovica dhe Mitrovo Pole. Ata u liruan në vitin 1996.

Sipas HLC-së, të ndaluarit u torturuan fizikisht dhe mendërisht, dhe si rezultat i kësaj, tre prej tyre vdiqën.

HLC ngriti padi kundër anëtarëve të policisë së Serbisë, ushtrisë dhe shërbimeve sekrete, të cilën prokurori serb për krimet e luftës e hodhi poshtë në vitin 2011.

Sipas ankesave të HLC-së, anëtarë të ushtrisë, policisë dhe shërbimit sekret krijuan dy kampe burgimi në të cilët ata torturuan dhe vranë burra dhe djem që u arratisën nga Bosnja në Serbi.

“Pretendimet për vrasje, rrahje të përditshme dhe torturim të të burgosurve, si edhe kushtet çnjerëzore në të cilat ata u mbajtën, u refuzuan nga prokurori i krimeve të luftës pa pyetur as edhe një nga 70 dëshmitarët e propozuar,” tha HLC.